S’Dua Lipa!

Nga Olti Curri
Kush tha që do të këndojë Dua Lipa dhe do marrë zjarr sheshi si në koncertet e AC\DC ? Keni dalluar ndonjë gjë të përbashkët në muzikën e tyre?!

Kush tha që Dua Lipa do të vijë dhe do të zgjidhë problemet aktuale të nivelit të muzikës moderne shqiptare? Ajo nuk është magjistare.

Kush tha që në koncertin e saj, Dua Lipa do të këndojë vetëm këngë të njohura të repertorit të saj? Ajo ka hitet që ka dhe nuk bën emision me kërkesa muzikore për njerëz që duan të kërcejnë si tek panairi qofteve.

Kush tha që Dua Lipa do shoqërohej nga balerina çingije që të kënaqte sytë e masturbatorëve serialë që ndaluan në sheshet ku këndoi, pa e ditur se kush ishte ajo? Ajo këndoi siç këndojnë këngëtaret Pop kudo në koncertet e tyre.

Kush tha që Dua Lipa duhet të mbajë mbi vete akuzat se bën fushatë për kryebashkiakun e Tiranës? Ai ka fituar zgjedhjet ku ju e votuat dhe vajza ka ardhur të këndojë dhe jo të prezantojë projektin e ndonje sheshi të dhënë për ndërtim. Nëse ju ndikoheni nga këngëtarë që të votoni atë që do t’ju drejtojë, mortja ju ngrëntë.

Kush tha që Dua Lipa do të bënte namin me projeksione dhe performanca fishekzjarresh? Pse nuk u ankuat për këngëtarë të tjerë si p.sh. Jessie J, që nuk bëri asgjë nga këto? Dua Lipa, po ecën prej zërit se është këngëtare dhe jo skenografe.

Kush tha që Dua Lipa duhet t’i pëlqejë të gjithëve dhe se ajo ka në dore fatet tona në përfaqesimin ndërkombëtar si komb? Ajo nuk është ambasadore që paguhet nga taksat tona.

Kush tha që duhet të pranojmë gjithë këtë vrer ndaj Dua Lipës, ndërkohë që mbajmë si popull era silikon i djegur nga tharësja e flokëve që drejtojnë ekstejshënat e porno-këngëtareve? Dua Lipa nuk ka pse të durojë zilinë shqiptare duke lexuar komente: u bë kjo? Sepse ajo është bërë dhe ju, jo.

Kush ju tha, që më pëlqen Dua Lipa? Por derisa të vdes dua t’i them të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë, sidomos në raste si ky, kur vajza po çan në një botë të egër ku babi, mami, apo dashnori me lekë nuk të bëjnë dot HIT.

Mos prisnit që Dua Lipa t’ju freskonte në këto ditë zhegu vere?! Ajo nuk është kondicioner./revista who

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *