Ne jemi palë në krim, sepse fajin e ka gruaja!  

Nga Jonida Hitoveizi

Pas çdo krimi apo rasti dhune që arrin të bëhet mediatik, thuajse gjithmonë gjendet një alibi apo përshfaqen “fakte e prova”, se në fakt viktimat e kanë merituar atë që u ka ndodhur. Kjo ndodh përherë sa herë kemi denoncim të dhunës seksuale, asaj psikologjike apo vrasje të grave. Madje në rastet kur dhuna nuk përfundon direkt në vdekje, ajo që sheh në llumin e komenteve në internet, është një ushtri zombiesh të etura për gjak. Komentet e dhunshme në një numër të konsiderueshëm tregojnë ashiqare se nga çfarë individësh rrethohemi përditë.

Ditët e fundit ka pasur një sërë ngjarjesh të rënda ku kronika e zezë e masakrimit të grave e fëmijëve, ka zënë vëmendjen kryesore të të gjitha mediave në vend.

Lajmi jepet sipas detajeve të policisë dhe në orët në vijim gazetat e portalet e ndryshme e plotësojnë atë me një sërë shkaqesh, ku dominon “vrasja për shkak të xhelozisë”. Madje dhe për rastin e fundit në Korçë, ku babai vrau dy djemtë e tij e më pas veten, direkt dolën fotot e bashkëshortes së tij, e cila mësohet se punon në një lokal nate. Sipas mediave ishin pikërisht mosmarrëveshjet për llojin e punës që “detyruan” bashkëshortin të kryente krimin më të rëndë të mundshëm; atë të vrasjes së fëmijëve. Xhelozia ishte po ashtu shkaku që detyroi burrin nga Fieri të hidhte nga dritarja e banjës, gruan e tij. Ky është një motiv që duke nisur nga lagjia, qyteti, kryeqyteti e tek media, deri diku tolerohet në mos edhe nxitet.

Nuk janë të pakta komentet që thonë “mirë ia bëri”, “hallall” apo “dava k…” etj. Në këtë flakë të nxitjes së fanatazisë sesi është mirë të vritet një grua, një  frymë të fuqishme luan edhe media, e cila thjesht në një vëzhgim të përciptë, jo vetëm që nxit dhunë me sensin e lajmeve të zeza që boton për klikime, por thuajse kurrë  në të nuk gjen të botuara shkrime që të kenë qëllim edukimin apo të tregojnë anën tjetër të medaljes, një shoqëri më të hapur ndaj tjetrit dhe veseve e gabimeve të tij njerëzore, pse jo. Media po ashtu lejon pa snjë filtër të gjitha komentet, që  ngjallin dhe nxisin dhunë. Kjo në emër të lirisë së shprehjes!

Të gjithë rendin të botojnë sa më shumë detaje rreth “moralit të gruas”, “kush qe ajo” ‘ “a ishte parë me ndonjë burrë tjetër apo buzëqeshte më shumë sesa duhet”, gjë e cila sipas mentalitetit të shoqërisë sonë  justifikon veprimin e çdo mashkulli, i cili e ka për “nder” të jetë kriminel, por kurrë s’mund të jetojë i “zhburrëruar”.

Fajtorë për këto krime makabre, nuk janë veç duart e lyera me gjak të disa burrave. Jemi të gjithë ne që drejtojmë gishtin tek familja e tjetrit, tek gruaja e tjetrit, tek puna e tjetrit.  Të gjithë kemi kontributin tonë, që nga thashethemet në lagje, tek intimidimi i tjetrit që është ndryshe nga ne, apo ka jetë të ndryshme nga e jona, shije të ndryshme nga tonat,  e deri tek shkrimet diskriminuese në media e komentet në rrjetet sociale.

Krime të tilla nuk janë të shkëputura nga asnjë hallkë e zinxhirit të madh në të cilin jemi të lidhur të gjithë.

Ne të gjithë hedhim gurin për të vrarë, jo thjesht fizikisht, sa herë gruaja ngacmohet seksualisht,  sa herë gruaja përdhunohet, sa herë gruaja prostituohet. Apo thjesht pse mund të jetë e bukur. Ne duam që fajin ta ketë gruaja, ndaj kemi shpikuar kaq shumë rregulla sesi ajo duhet të frymojë dhe ekzistojë, nëse e do kokën.  Gruaja e ka fajin kur rrihet dhe gruaja e ka fajin kur vritet. Diçka nuk e ka bërë mirë kjo grua. Ndoshta qysh tek këshillat e para që i ka dhënë të birit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *