Banaliteti dhe hipokrizia që shoqëron debatin për trashëgiminë

Nga Jonida Hitoveizi

Duhet t’ia dimë për nder medias online, internetit dhe sidomos rrjeteve sociale “zgjimin” e shqiptarëve për rëndësinë e mirëmbajtjes së monumenteve të kulturës. Pasi për 25 vite të gjata askush nuk mori mundimin, asnjë ministri kulture, të kishte një strategji të qartë, të organizuar për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre, krejt papritur na doli gjumi dhe sot ndodhemi në një fushë loje ku topin e pasojnë kryesisht amatorët ose inatçinjtë. Nuk është e vështirë të kuptosh dhe as të dalësh në konkluzione nëse viziton, qoftë edhe përciptaz Shqipërinë për të prekur gjendjen katastrofike ku ende ndodhet trashëgimia, edhe pse duhet theksuar se sot ka vëmendjen që nuk e ka patur kurrë këto vite demokraci.
Çmenduria që shoqëroi rënien e bustit të diktatorit dhe mospasja e një shteti serioz, varfëria, lëvizjet demografike zhvillimi i pakontrolluar urban, mospasja e një kulture sa i takon nderimit të historisë, çuan në një shkatërrin masiv sidomos në disa qytete si Durrësi, por edhe në shumë kala, fortrsa e kisha të Shqipërisë, të ruajtura e në gjendje shumë të mirë nga sistemi i kaluar. Ato u kthyen në restorante dhe qeveria e kaluar, e cila sot ka angazhuar kritikën e saj të Facebook-ut, jo më larg se 3 vite më parë kur po ikte ka firmosur lejen për lokale e resorte në Kalanë e Lezhës. Por dhe për atë leje u kryqëzua kjo qeveri si e paaftë për të fituar gjyqin me letrat që kanë kopsitur vet dhe gjyqtarët që kanë emëruar po vet. Po ashtu varret mijëravjeçar ilirë të Selcës janë mbuluar me një plasmas të tmerrshëm dhe për kasollet e mesjetës dhe po degradojnë ditë pas dite, ndërsa vëmendja është zhvendosur tek dy skulptura që po hiqen nga stadiumi. Në këtë vend nuk të surprizon asgjë, për arsyen e thjeshtë se askush nga ata që ngjirret në rrjete sociale nuk e ka hallin vërtetë tek ato dy skulptura apo tek trashëgimia në vetvete. Halli ose më mirë gjithë angazhimi është që meqë doli si çështje, të përdoret politikisht dhe të gjithë të japin një mendim. Këtë e them pasi edhe trashëgimia kulturore si çdo gjë tjetër në këtë vend, zihet në gojë aq kohë sa çon ujë diku. Dhe veç kësaj, cilët janë këta dashnorë të ruajtjes së monumenteve? Çuditërisht janë ata që pa pikë mëshire kanë firmosur shkatërrime të mëdha të historisë dhe as e kanë pasur ndonjëherë në refene trashëgiminë historike e qoftë natyrore. Ndaj debati për trashëgiminë i bërë në kushtet kur përdoret për interesa të ngushta është më shumë se banal. Është hipokrit, sepse bëhet nga njerëz që kanë dhënë kontribut për shkatërrimin dhe harrimin, jo për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë. Ku ishin 25 vite të gjata këta zëra të egër që nuk falin zhvendosjen po qoftë edhe shkatërrimin fare të atyre dy skulpturave? Ku ishin gjithë këta njerëz dje, kur firmoseshin e vidheshin pasuritë e Shqipërisë natyrore, shpirtërore, historike? Kur vepra, statuja, ikona, piktura shiteshin në tregjet e zinj të Evropës e botës? Sigurisht ishin duke bërë pazare dhe pasi mbaruan mishin, kockat i lanë aty si dëshmi e babëzisë së tyre. Por falë zotit tani mund të flasim!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *