Për HEC-et e Damianit dhe Kulturën e Mirelës

Nga Jonida Hitoveizi

Prej dy ditësh nëpër media qarkullon një lajm se në zonën e Kurveleshit  do të ndërtohet një hidrocentral, i cili rrezikon të shkatërrojë gjithë bukuritë natyrore të kanioneve të Nivicës, të cilat të magjepsin, edhe pse është fakt që pakkush ka mundur t’i shkelë ato. Unë e kam pasur atë fat pasi jam rritur në atë vend. Kur ishim në shkollë shkonim shpesh tek Kalaja për ekspeditë, e cila sipas të thënave dikur rrethonte gjithë fshatin. Pas saj zbrisnim poshtë kanioneve për të shkuar tek Pellgu i Zi e më pas tek ajo që quhej Shpella me Qiell. Ato vende në kujtesën time kanë një bukuri, të cilën nuk gjej dot asnjë fjalë ta përshkruaj, apo t’i mbush mendjen dikujt Që Të Mos i Prish. Janë pasuri, që gjenden fiks poshtë Kalasë,  e cila ka të njëjtët gurë në themelet e saj si ata në Butrint e kala të tjera të periudhës ilire.
Pavarësisht këtyre, Nivica sot është një vend që gjithë zhvillimin e saj e ka tek blegtoria, edhe pse fare mirë ajo mund të ishte zhvilluar si zonë turistike e arkeologjike.
Nga viti 1975 Nivica ka pasur një muze arkeologjik, i cili u shkatërrua pas ardhjes së demokracisë. Në të kanë qenë të ekspozuara sende të ndryshme të gjetura në fshat, që i përkisnin periudhave të hershme historike, duke shkuar deri tek ajo ilire. Ato sende sot nuk dihet se ç’fat patën apo më mirë të themi fati i kujt u bënë pas shkatërrimit të muzeut.
Po si të mos mjaftonte lënia në harresë e kësaj zone, e këtij fshati që njihet për dashurinë e tij për dijen e kulturën, sot disa njerëz që i kemi veshur me pushtet kujtohen të shkatërrojnë edhe çfarë  ka falur Zoti e çfarë na ka lënë trashëgimi robi, dmth të parët që kanë jetuar në ato troje.
Një HEC, nga ata që ministri Gjiknuri tha se do të anulonte kur PS-ja erdhi në pushtet, ka marrë dhe autorizimin e ministres Kumbaros që të bëhet mu aty ku mendohet se ka vendbanim ilir. Dhe për të larë gojën, Ministria e Kulturës ka vënë kusht që të restaurohet një shtëpi e vjetër e fshatit që i përket Mufit Kaçupit dhe që për ironi gjendet afër kalasë, ku poshtë këmbëve të saj, në guvë do vihet dinamiti për hidrocentralin e ri.
Përveç kanioneve që janë një pasuri e natyrës, Nivica është një vendbanim i hershëm ilir, me një kala ende të paeksploruar.
Fakte të tjera që ky shtet dhe kjo ministri kulture duhet të mësojë, janë ekzistenca e  mureve të periudhës ilire në rrethinat e fshatit, varret e lashta që thuhet se janë të periudhës romake, në të cilat vetëm dy vite më parë dikush që i gërmoi zbuloi disa sende me vlerë, mes të cilëve edhe një palë vath flori me vlerë të paçmueshme.
Këto janë fakte, jo legjenda ashtu si bukuria e kanioneve.
Për këto arsye, kjo qeveri, e cila duhet të ndalte barbarinë e Berishës, nëse nuk bën dot mirë, të paktën të mos bëjë keq. Është më e ndershme ta lësh historinë të flejë sesa ta shkatërrosh atë, ashtu siç për 25 vite u bë me çdo gjë në Shqipëri, natyrë, histori e trashëgimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *