Disa impresione rreth përmbledhjes me poezi “Këngë e verdhë zogu në mesnatë” të poetes Alisa Velaj

Nga Preng Maca
 
U gjenda në poezinë e vërtetë, brenda një libri me shumë fletë, që për vetë pasurinë e poetes dhe poezisë së shkruar me mjeshtri e pjekuri,  ruan ritmin, ndjeshmerinë dhe intensitetin emocional, nga faqja e parë deri ne faqen e fundit.
Aq ndjenjë, metafora të krijuara me një spontanitet e kulturë të shkruari, njohje tè teknikave dhe një lirie te kontrolluar, intimitet e sinqeritet,  perceptim modern e shprehi nepërmjet strukturave,  gjuhës të pasur  falë të cilave përjetohen situata njerezore nga më të larmishmet.  
Brenda vëllimit poetik shfaqet moderniteti i alternuar shpesh me klasikën, perftim vlerash dhe larmishë. 
Struktura e poezisë është e ngjeshur, me një gjuhë të zgjedhur e të figurshme, falë një pune të kujdesshme, gjë që bie ne sy ndërsa e lexon librin e Alisa Velajt.
Nëpër gjithë librin ndjehet era e detit  e florës e faunës, përpos  për çudi ndjej dhe klimën e fonetikes gegnishte herë pas here në poezitë e shkruara, e cila shfaqet si një gjë që ndodh në mënyrë organike, një tendencë organike në notat vlerësuese !
Gjeografia e librit poetik ka gjërësine , thellësinë dhe klimën e njeriut të dashuruar me jetën, duke pasqyruar dëshpërimin e humbjeve, gjendjeve që pasojnë njera tjetrën në jetën humane.  Pasi e mbarova se lexuari, jam mëse i  bindur se ky libĕr është një niveli i lartë i poezise së shkruar në ditët e sotme, në gjuhën e bukur shqipe dhe citimi i herëpashershëm I Alisa Velaj është, pa asnjë dyshim evidencë  vlerash të mirëfillta. E uroj autoren për këtë libër me vlera, duke besuar në krijimtarinë e saj në ardhmen!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *