“Biletë për në qiell” (dhe një jetë që nuk e çon kurrë njeriun aty ku dëshiron të shkojë)

Brikena Metaj

Në këtë qytet të çuditshëm guri, asgjë nuk humbet njëherë e mirë. Vetëm tkurret, hiqet mënjanë për t’u shfaqur në formë tjetër”.

Mjafton ky paragraf përmbyllës në “Biletë për në qiell” për të kuptuar shumëçka prej këtij libri që ka në fokus jetën e një qyteti guri siç është Gjirokastra. Tregimi “Fantazmat” është paranteza e librit. Aty përmblidhen temat, personazhet, idetë dhe qëllimet e autorit, në hyrje të një përmbledhjeje rrëfimesh që qëndrojnë të kapura dorë për dore. Tregimet, që duket se kanë një renditje aspak rastësore, janë të lidhura me njëra – tjetrën duke iu përligjur ritmit të jetës, që rrokulliset nga fëmijëria në pleqëri, nën një zhvillim ndryshueshmërish të pashmangshme. Një pjesë e fëmijërisë së autorit është sjellë nëpërmjet prozës plot elegancë dhe një rrëfimi që të rrëmben dhe madje edhe të përlot. Pafajësia e një fëmije, që zbulon të vërtetat e jetës duke provuar zhgënjimin dhe dhimbjen, dhënë bukur nëpërmjet përshkrimeve që shoqërojnë ngjarjet, na kujton fëmijërinë tonë.

“Biletë për në qiell” është rrëfimi ku jeta shpaloset me të gjitha kuptimet e veta të shumta, të papriturat, emocionet, çmenduritë.

“Jeta është e ndërlikuar. Ajo nuk e çon njeriun aty ku dëshiron të shkojë”, pohon autori.

E vështirë të parashikosh prej fillimit vijimësinë e tregimit dhe mbylljet e tyre janë shpesh të papritura, pasi në një pjesë të mirë të tregimeve rrëfimi është jo i drejtpërdrejtë, i mbushur me lojëra fjalësh të kuptimta dhe kërkon vëmendje, përqëndrim dhe aftësinë e perceptimit të një lexuesi të stërvitur.

Dhe kjo është aftësia e autorit, që të nxit ta lexosh tregimin pa e hequr dot nga dora. “Edhe një fjalë, edhe një fjali”. Kërshëria e lexuesit është synimi i çdo autori dhe në këtë libër e has në çdo fjalë. Çdo tregim është pjesë e një rrëfimi që të nxit dëshirën të vazhdojë. Në përfundim lexuesit i duhen pak minuta reflektim para se kurioziteti ta vërtitë rrëmbimthi në rrëfimin e rradhës.

Përshkrimet e dhëna me një gjuhë të mbushur me figuracione letrare dhe frazeologjinë e pasur të qytetit të gurtë, e bëjnë komunikimin me lexuesin të thjeshtë. Rrëfimi i pasuruar me nënkuptime të thella sjell episode nga përditshmëria e jetës së një qyteti, të këtij qyteti gri. Nëpërmjet rrëfimit lexuesi bën njëherazi edhe një tur shëtitës nëpër lagjet e qytetit dhe historitë e harruara nëpër kalldrëmet e rrëpirta.

Personazhet janë pjesë e jetës së një shkrimtari. Disa të jetuar, disa të rrëfyer, shumëherë të imagjinuar dhe pjellë e fantazisë. Në “Biletë për në qiell” gjen nga të gjitha. Autori – shkrimtar dhe gazetar – e ka të vështirë ta ndajë veten nga këto dy profesione. Ai i është dhënë dhe përkushtuar njësoj secilës prej tyre. Autori është rrëfimtar, por edhe protagonist në këto rrëfime që janë një udhëtim në lagjet, shtëpitë e Gjirokastrës, vendet dhe kujtimet e fëmijërisë dhe jetës së autorit.

Emigracioni, ky fenomen shoqërues i jetës së shqiptarit përgjatë gjithë historisë së vet jetësore, gjen vendin e vet të rëndësishëm në këtë libër. I mbështjellë nga litarët e mëndafshtë rrëfimi zbret në një mori ngjarjesh të së shkuarës dhe aktualitetit njësoj të dhimbshëm. Gërshetimi mes dasmës, që simbolizon sa gëzimin, aq edhe vazhdimësinë e jetës, me figurën e plakut të mbuluar me tymin e duhanit, ndërsa përfundimi i rrëfimit është largimi i të rinjve në dhè të largët, ndërkohë që kënga e dasmës vazhdon të udhëtojë shtëpi më shtëpi në lagjet e braktisura.

Dashuria e dhënë si një ndjenjë sublime dhe e padukshme vjen në të gjithë dimensionin e saj; që nga dashuria për fëmijën, deri tek dashuria e ndaluar, ku figura e femrës zë një rol kryesor, përherë të ndritshëm, e vendosur mes delikatesës femërore dhe forcës së karakterit me të cilat përballon vështirësitë dhe fsheh të vërtetat.

E vërteta? Ehu….Rri e fshehur ajo, atje ku s’ia pret mendja njeriut. Do të jetë fshehur në merimangat që varen në trarët e qilarit? Do të jetë fshehur në krundet e krimbit në komonë e mykur? Ja, atje futet e vërteta dhe ti s’e gjen dot”. (– tregimi “Pusi”.)

SHËNIM: “Biletë për në qiell”, është vëllimi i fundit me tregime i autorit gjirokastrit Odise Kote, që u promovua në një mbrëmje artistike mes dashamirësish të letërsisë. Tregimet e ngjizura në qytetin e gurtë sjellin një pjesë të jetës së këtij qyteti nëpërmjet personazheve dhe ngjarjeve të shtrira në kohë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *