Viti tragjik 2016 dhe boshllëku i atyre që ikin

Nga Skënder Minxhozi

As fantazia më e çmendur nuk do të kombinonte kaq pranë dhe në mënyrë fatale, dy fate njerëzore kaq të ndryshme dhe kaq të largëta, sa ato të Bujar Lakos e George Michael. Madje, sikur në mes të mos ishte vdekja me përzgjedhjen e saj të verbër, këto dy personazhe publikë dhe tejet të çmuar nga publiku i tyre, në ambjetin e tyre, nuk do të ishin të krahasueshëm në asgjë.

I pari, artisti i madh e karizmatik shqiptar, me rolet e të cilit janë “rritur” dy breza njerëzorë kudo ku flitet shqip. Kurse i dyti, një greko-qipriot i lindur në Britani, me një jetë kontroverse por edhe me një art gjithashtu të madh, që la pas një trashëgimi që do ta kishte zili çdo këngëtar sado i njohur. Këto dy vdekje ndodhën pak orë pasi një ansambël i madh koristësh, Kori Aleksandrov, humbte jetën në mënyrë tragjike në ujrat e ftohta të Detit të Zi, rrugës për një koncert në frontin e luftës siriane. Pa harruar të madhin Lazër Filipi, që u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë. Eshtë arti, emëruesi i madh i përbashkët i të gjithëve.

Mjafton bilanci i javës së fundit të dhjetorit, për të konkluduar se 2016-a ka qenë një vit tragjik për artin botëror. Pas David Bowie dhe Colin Verncombe qysh në muajin e parë të vitit, kanë ikur nga kjo botë aktorë e muzikantë-ikona të skenës ndërkombëtare. Prince, Leonard Cohen, Glenn Frey apo Greg Lake. Muzikantë që kanë bërë epoka në zhanret që kanë kultivuar, në vitet kur kanë jetuar. Tashmë lista e mësipërme e njerëzve të artit të larguar gjatë vitit 2016 ndodhet e zbardhur në të gjitha mediat, kushdo ka rastin të bëjë një bilanc sesa boshllëk të pazëvëndësueshëm krijoi viti 2016 në Olimpin e artit botëror.

Por, për ta kthyer temën e dhimbmshme të vdekjes brenda “sinorit” tonë, ikja e të madhit Bujar Lako, përtej dhimbjes dhe habisë kolektive që shkaktoi sot në botën shqiptare, shënon me forcë edhe një herë më tepër fatalitetin e artistit në raport me popullin, shoqërinë, spektatorin e tij të vjetër apo të ri. Plejada e madhe e artistëve të viteve 60-70 e 80 tashmë po rrallohet me shpejtësi. Nuk janë më Kadri Roshi dhe Sulejman Pitarka, Vaçe Zela, Agim Qirjaqi, Albert Verria, Alfred Trebicka dhe Minella Borova e plot të tjerë që do të meritonin të ishin në krye të kësaj liste. Ikën thuajse të gjithë, me një boshllëk të përbashkët në vitet e tranzicionit: përtej moshës që bënte të vetën, atdheu i tyre nuk u dha dinjitet në profesionin që dinin ta ushtronin më mirë se kushdo.

Shikoni të madhin Lako që sapo u nda nga jeta. Thuajse të gjitha rolet e këtij aktori të madh të ekranit shqiptar, ndodhen matanë “telit me gjemba” të epokës komuniste. Fare pak role në teatër, thuajse asgjë në kinematografi. E njëjta gjë vlen për shumë e shumë kolegë të mëdhenj të Bujar Lakos që sot nuk jetojnë më. Mundësia e tyre e përzgjedhjes në vitet e tranzicionit ishte drakoniane: ose të linin vendin, për të bërë punë të rëndomta, ose të vegjetonin në ambjentin e degraduar shqiptar, ku Kinostudio ndahej në thela për biznese që s’kanë asnjë lidhje me filmin, ku kinematë rrënohen, ku sallat e koncerteve vazhdojnë të jenë “dhoma frigoriferike” gjatë dimrit dhe ndodhen në gjendje të mjeruar, ku teatrot, estradat, cirku, e të tjera institucione artistike shihen si periferia e panevojshme e një zhvillimi kaotik dhe që shkel me këmbë vlerat dhe i falet vetëm parasë!

Shqipëria e 25 vjetëve të fundit nuk ka qenë një atdhe i drejtë as për Bujar Lakon, as për të mëdhenjtë e artit që lanë pas boshin, hiçin e një kulture prej “fast food”-i ku dominojnë klikimet mbi zërin, videoklipet gjysëm-erotike mbi artin e vërtetë, pseudonimet e “shpifur” anglo-shqiptarë, mbi identitetet e vërteta. Bujar Lako iku i kujtuar si Gjeneral Gramafoni dhe si Komandant Bermema. Ka bërë shumë me veprën e tij për vendin e tij. Po Shqipëria a bëri mjaft për të dhe të tjerë si ai, që i dhanë nder dhe emër artit të atdheut të tyre e që sot s’janë më?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *