Ky jam unë! Karriera e gjatë, jeta e trazuar dhe fërkimet e shpeshta me vdekjen të George Michael

“George Michael nuk kishte qenë i sëmurë përpara vdekjes”, u shpreh publicisti i tij në “Sunday night,” çka e bën ikjen e tij të shpejtë dhe të papritur nga infarkti në zemër, edhe më tronditëse.
Por, përgjatë karrierës së tij jetës private shpesh të trazuar, këngëtari i kishte mbijetuar më shumë se një herë fërkimeve me vdekjen, ashtu siç kishte përballuar depresionin, humbjen, trishtimin paralizues, betejat ligjore me kompaninë e tij të regjistrimeve, poshtërimet publike, përballjet e njëpasnjëshme me policinë dhe një periudhë të gjatë, e aspak të lumtur, kur ai e ndiente të pamundur të pranonte homoseksualitetin e tij.

Michael, thuajse sa nuk vdiq në vitin 2011, pasi u sëmur nga një pneumoni e rëndë gjatë turit të tij “Symphonica” dhe kaloi një javë të tërë në kujdes intensiv në Vienë. Dy ditë përpara Krishtlindjeve të atij viti, pak pasi kish dalë nga spitali, ai mbajti një fjalim prekës në shtëpinë e tij në Londër, duke falënderuar stafin e spitalit, të cilët tha se i shpëtuan jetën. Ai shtoi se ajo kishte qenë deri atëherë, “muaji më i keq i jetës sime.” I pyetur se çfarë e kishte shtyrë të vazhdonte, ai tha: “Fakti se kam qenë kaq me fat dhe fakti se kam shumë gjëra për të jetuar. Unë kam një jetë vërtetë fantastike.”

Tetëmbëdhjetë muaj më pas, në Maj të 2013-ës, ai u dërgua menjëherë në spital pas një dëmtimi në kokë, gjatë një aksidenti në autostradën M1.
Për 12 vjet pas 1991-shit, Michael tha në vitin 2005 se ishte bllokuar nga “depresioni, frika dhe shumë gjepura të tjera. Ju betohem se ishte si të më kish zënë një mallkim.” I dashuri i tij, Anselmo Feleppa vdiq nga AIDS në vitin 1993, ndërsa muzikanti nuk pati kurrë mundësi ta pranonte publikisht lidhjen. Ndërsa nëna e tij vdiq pak kohë më pas.
“Kisha një ndjesi mbytëse se të mirat kishin kaluar tashmë,” tha ai më pas, ndërsa i rikthehej Prozac-ut dhe marijuanës.
Qysh nga viti 1992, ai ishte përfshirë në një sherr të hidhur me kompaninë e tij të regjistrimeve, Sony, pasi pati deklaruar se ata nuk ia kishin dalë mbanë ta promovonin siç duhej albumin e tij solo, “Listen Ëithout Prejudice Vol 1.” Dy vjet më pas, ai e humbu çështjen.
Arrestimi i Michael në vitin 1998 për kryerjen e “veprimeve të turpshme” në një tualet në Beverly Hills, ishte një nga përballjet e tij të shumta me policinë. Por, ndërsa një episod i tillë mund të kishte përfunduar me turp çdo karrierë, këngëtari nuk kërkoi falje, duke pranuar seksualitetin e tij për herë të parë.
Shumë njerëz kanë dashur ta shohin atë si një figurë tragjike “me arrestimet dhe drogërat që merrte,” tha ai për The Guardian në 2009-ën, sepse “ato nuk janë gjërat, të cilat të tjerët i synojnë dhe mendoj se i bën njerëzit më pak ziliqarë kur shohin dobësitë e tua.” Për Michael, megjithatë, ato nuk qenë dobësi. “Është thjesht çfarë unë jam, ky jam unë” thoshte ai./ Në shqip nga The Guardian Bjorn Runa/ Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *