Viti 1942 kur trupa “Carro di Tespi Lirico” shfaqi “La Traviatan” në Tiranë

Më 1929 qeveria fashiste e Romës krijoi katër trupa teatrale shëtitëse që morën emërtimin “Carri di Tespi” (“Qerret e Tespit”). Një prej këtyre për operan dhe këngën lirike, e emërtuar “Carro di Tespi Lirico” dhe tre për pjesët teatrale. Synimi i këtyre trupave ishte që të përçonte deri tek fashat më të izoluara të shoqërisë teatrin dhe operan lirike.

Në korrik 1942 trupa Carro di Tespi Lirico mbërrin në Tiranë dhe jep disa shfaqje, mes tyre operan “La Traviata”, një fotografi të së cilës shërbejmë këtu. Me gjasë, është hera e parë që një opera lirike vihet në skenë në Shqipëri. Skena është vendosur në krye të Viale del Impero (sot Bulevardi Dëshmorët e Kombit), në lartësinë ku sot ndodhet Sheshi Nënë Tereza.

Duket qartë ndërtesa që sot i përket Rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila ende është në ndërtim e sipër. Nuk mund të mos na bëjë përshtypje, në këtë fotografi, edhe peizazhi i atëhershëm i Tiranës: fotografia mbizotërohet nga Mali i Dajtit, kurse djathtas-lart, në thellësi, shquhet mauzoleumi i Nënës Mbretëreshë, ndërtuar nga Mbreti Zog I. Fotografia është pjesë e Fototekës së Arkivit Qendror Shtetëror.

#ArkivatKujtojnë
#OperaNëTiranë
#JoVetëmOpera
#ArkivaTëGjalla


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *