“Transhendenca”, bashkimi i njeriut me makineritë dhe realiteti i frikshëm pas një filmi

Bjorn Runa, Pasqyre.al

“Përfytyroni një makineri të aftë për të perceptuar gjithë ndjenjat njerëzore, kapaciteti analitik i së cilës tejkalon gjithë inteligjencën e përbashkët njerëzore. Disa shkencëtarë e quajnë njejtësim. Unë e quaj Transhendencë.” Kështu e nis fjalimin e tij përpara audiencës Dr. Caster (Johnny Depp), protagonist i filmit “Transhendenca.”
Filmi ndjek udhëtimin e Dr. Caster nga momenti kur qëllohet për vdekje pas njërit prej fjalimeve të tij, deri në ngarkimin e mendjes së tij në një superkompjuter, ku ai arrin më në fund gjendjen e gjithëdijes dhe gjithëpushtetit, për të cilën deri atëherë vetëm kishte ëndërruar. Në fakt, “Transhendenca” e regjisorit Wally Pfister nuk rezultoi një film aq i suksesshëm sa ç’qe parashikuar. Madje, kritika ka qenë vërtetë e ashpër me të. Megjithatë, pavarësisht kësaj, koncepti që i jep titullin këtij filmi, është diçka për t’u konsideruar.
“Transhendenca” bazohet kryesisht në parimin e Singularitetit, momenti kur teknologjia tejkalon njeriun. Përgjatë viteve, shkencëtari dhe futuristi Ray Kurzweil ka qenë mbështetësi kryesor i kësaj teorie. Në veprën e tij “Singulariteti është pranë: Kur njerëzit tejkalojnë biologjinë,” ai thotë se: “Bashkimi i njeriut me makineritë është thelbi i Singularitetit, një periudhë kur inteligjenca jonë do të jetë tërësisht jobiologjike. Në këtë botë të re ne do të jemi në gjendje të zotërojmë trupa dhe personalitete të ndryshme sipas dëshirës. Praktikisht, plakja dhe sëmundjet do të ndalen dhe vdekja nuk do të jetë më një problem i pazgjidhshëm.”
Teorikisht, sipas idesë së Kurzweil do të vijë një moment kur kufiri mes njeriut dhe makinës do të jetë thuajse i padallueshëm, ndërsa problemet më kryesore me të cilat njerëzimi përballet prej shekujsh, nuk do të jenë më të tillë. Ky mund të jetë fare mirë çasti kur njeriu do të tejkalojë vetveten duke u shndërruar, siç thuhet edhe tek “Transhendenca” e Wally Pfister, në një lloj perëndie të gjithëditur e të gjithëpushtetshme. Por, nga ana tjetër mund të jetë edhe parashikimi më i zymtë i të ardhmes, apo dhe fundit të njerëzimit.
Pikërisht këtu lind edhe një formë e re e “Paradoksit të Tezeut.” Le të marrim parasysh një anije, atë me të cilën Tezeu dhe Athinasit u kthyen nga Kreta. Kjo anije i ka rezistuar kohërave, por vjen çasti kur ajo ka nevojë të riparohet dhe dalë-ngadalë gjithë dërrasat e trupit të saj zëvendësohen me të reja. Në fund, kemi të bëjmë sërish me të njëjtën anije, apo me një tjetër, krejt të re? Pyetja që ngrihet këtu është se çfarë e bën njeriun të tillë? A janë plakja, sëmundjet, vdekja dhe gjithë të metat e tjera pjesë përbërëse e ekzistencës sonë? Dhe nëse në një çast të caktuar, le të themi njëqind apo dyqind vjet më pas, ne do të arrijmë t’i eleminojmë këto probleme thjesht duke e ngarkuar ndërgjegjen tonë në një kompjuter, a do të ishte kjo ndërgjegje sërish i njëjti njeri që kishte qenë në të gjallë?
Skenari nis dhe bëhet më i frikshëm nëse marrim parasysh se ç’mund të nodhë më pas. Përfytyroni për një çast se një nga familjarët tuaj më të afërt është në prag të vdekjes dhe e vetmja mënyrë për ta patur atë sërish mes jush, do të ishte ngarkimi i mendjes së tij në një superkompjuter. Praktikisht, për të arritur këtë do të duhej që i gjithë personaliteti i tij të përkthehej në një gjuhë të thjeshtë makine, njëshash dhe zerosh. Mundësia për të gabuar do të ishte tmerrësisht e madhe. Ç’do të ndodhte nëse në një moment do të harronit të përfshinit në këtë “përkthim” një mendim ndoshta krejt të parëndësishëm apo një kujtim të largët fëmijërie? Do të kishit sërish të bënit me njeriun që aq shumë e kishit dashur, apo me një krijesë të re, të përbindshme? Po nëse ky superkompjuter do të kishte akses në internet dhe të mund të merrte gjithë informacionin e mundshëm për ta bashkuar më pas me dijet që ai person kishte patur deri atëherë? Është pikërisht kjo ajo që ndodh me “Transhendencën,” ku makina dhe njeriu bëhen një, por shpejtësia me të cilën informacioni përpunohet dhe kërkesa për më tepër, bëjnë që ajo ta tejkalojë njeriun duke e kthyer atë në një zot apo përbindësh, nëse mes të dyjave ka ndonjë dallim.
Në fund, përsa i përket
“Transhendencës,” mendimi juaj në lidhje me të do të luhatet nëse ju besoni se fantashkenca ka njëfarë ndikimi real në shkencë dhe teknologji. Mund ta mendoni si një film të mirë ose jo. Por, nëse idetë e Kurzweil janë për ju po aq alarmuese sa ç’janë për shumë vetë, mund të jetë edhe filmi më i frikshëm që keni parë ose do të shihni ndonjëherë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *