Si u përjashtuan Fishta, Konica dhe Skiroi nga “Historia e letërsisë shqipe”

Si u ndalua në vitin 1968 publikimi i vëllimit të tretë të Historisë së letërsisë shqipe, përgatitur nga Mark Gurakuqi, Vehbi Bala e Jup Kastrati nën drejtimin e Dh. S. Shuteriqit dhe me redaktor Koço Bihikun. Si dhe pse u bllokua libri në shtypshkronjë? Për herë të parë dhe të fundit në regjimin komunist do vlerësohej vepra e Gj. Fishtës, F. Konicës dhe Z. Skiroit.
Libri” Një histori letërsie e ndaluar” i Besa Hoxha-Beqirit ndriçon fatin krejt të panjohur deri më sot të vëllimit të tretë të “Historisë së letërsisë shqipe”, përpjekja e parë serioze për një tejkalim të kufirit politik e ideologjik në historishkrimin e letërsisë të gjysmës së dytë të shekullit XX. Autorja ka arritur të gjejë jo vetëm tekstin bazë por edhe recensionet e asaj kohe përgatitur për librin nga Injac Zamputi, Ali Xhiku, Nasho Jorgaqi, Lefter Dilo, që vlerësonin librin dhe jepnin garanci për cilësinë e tij për botim. Libri i Besa Hoxhës-Beqirit e rikthen në vëmendjen e studiuesve historinë e ndaluar të letërsisë dhe e vendos atë në vargorin jo aq të gjatë prej rreth një shekulli historiografie letrare shqiptare. Kështu, me botimin e këtij libri, del nga heshtja një çështje që shkencës së studimeve letrare i intereson shumë. Autorja ka ofruar mundësinë për kërkime të mëtejshme rreth të quajturit pranim kritik i traditës letrare, një mundësi, ndonëse jo më e mira, shumë më e frytshme se mundësitë tejet të kufizuara që ofruan tekstet shkollore dhe universitare të historisë së letërsisë të gjysmës së dytë të shekullit XX. PASQYRE.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *