Ramona Tullumani: Interpretimi im, homazh për ‘Rigoleto’-n e parë shqiptar, baritonin Ramiz Kovaçi

kovaciuSopranoja Ramona Tullumani do të interpretojë të hënën, më 25 janar, rolin e Xhildës në operan “Rigoletto”, në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Për sopranon Tullumani, kjo opera ka një veçanti të rëndësishme. Gjyshi i saj, baritoni i njohur, Ramiz Kovaçi, ka qenë Rigoleto i parë shqiptar, në vënien e kësaj vepre në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Vetë sopranoja Ramona Tullumani u shpreh: “Dua që interpretimi im të hënën përpara publikut të jetë edhe një homazh për ‘Rigoleto’-n e parë shqiptar, baritonin Ramiz Kovaçi, që aq shumë i dha skenës dhe muzikës operistike. Vetë fabula e kësaj opere është një homazh për dashurinë që tregohet për vajzën më të vogël të familjes. Dhe unë kam qenë dhe jam një e tillë. Xhilda këtë herë vjen më e prekshme për publikun, pasi ajo u përket ditëve tona. Është një vajzë e re, e cila nga veshja të ngjason me ndonjë kukull, që qëndron në shtëpinë e saj, ku e pret babai”.

Tullumani shton më tej se “Duka e dallon Xhildën si një vajzë shumë të bukur dhe kërkon ta marrë për vete. Mblidhen të gjithë miqtë e babait e rrëmbejnë dhe ia çojnë Dukës. Në këtë moment nis tragjedia. Rigoleto mëson të vërtetën, por kur i pyet rrëmbyesit, ata nuk e pranojnë këtë.  Pas këtyre ngjarjeve, Xhilda vendosë që t’i japë fund jetës. Mesazhi më domethënës në këtë vepër është dashuria e pamasë mes babait dhe vajzës. Babai me vajzën kanë një lidhje të jashtëzakonshme. Pavarësisht kujdesit që tregon nëna për vajzën, mendoj se lidhja mes babait dhe vajzës është më e veçantë”.

Opera Rigoletto hapë kalendarin artistik për këtë vit, një produksion i rëndësishëm që do të mbledhë artistë të talentuar shqiptarë dhe të huaj.( ATA/Pasqyre.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *