Pse Breivikut nuk i thonë terrorist? Sepse është i bardhë!

Nga Nishaat Ismail
“Ujk i vetmuar” ose “jostabil mendërisht” janë shprehjet që përdoren shpeshherë për të përshkruar të bardhët që kryejnë akte të vrasjeve e terrorit brutal. E shihni, ka diçka që i mbron ata burra që të mos u referohen me shprehje të ashpra, që lirshëm përdoren në media, ose edhe prej politikanëve në epokën e «histerisë islamike»: shprehja “terrorist”.

Terroristi i burgosur, Anders Behring Breivik, djathisti ekstrem norvegjez që vrau 77 persona më 2011 kur bombardoi qendrën e Oslos para se të hynte në kamp të rinjsh dhe të bënte kërdi në ishullin Utoeya, është paraqitur të mërkurën në gjykatë me pretendimin se po i shkelen të drejtat me izolimin e tij në qeli.

Ai prapë mund të jetë në burg, por është falur në momentin kur shumë media në vend se t’i referoheshin si «terrorist i së djathtës ekstreme», e lidhën raportimin me shprehje, si «vrasës» ose «vrasës masiv».

Pse ndodh kështu kur Breiviku është në të gjitha aspektet terrorist tipik, vrasës gjakftohtë që kreu krime të tmerrshme për një kauzë ekstreme politike? Përshëndetja naziste, që e manifestoi në gjykatë, e tregon më së miri këtë.

Përgjigja dhe arsyeja është thjesht për shkak të faktit se një terrorist i bardhë gëzon konsideratë të privilegjuar në media. Përkundrazi, shprehja «terrorist» është ruajtur enkas për ata që janë brenda sojit, për ata që shihen si «të tjerët» e rrezikshëm të shoqërisë. Dhe ditëve të stome «tjetri» gjithnjë është mysliman.

Njerëzit në pushtet dhe pozita ndikimi nguten që t’i cilësojnë terroristë – me fjalë të tjera të ashpra bashkëngjitur – ata, si puna e Xhihadit John, që vringëllon shpatën, dhe Seifeddine Rezguin, djaloshi 23 vjeç që vrau 38 persona në një plazh tuniziane. Por kur i njëjti epitet nuk i jepet edhe Breivikut, atëherë kemi probleme serioze.

Një shpjegim i këtij portretizimi të pabaraspeshuar është se terroristët nuk duhet të jenë ata që janë «brenda» sojit. Jo, terroristë janë ata që «urrejnë demokracinë, lirinë tonë, lirinë tonë për shprehje, mënyrën tonë të jetesës» – citat marrë prej kryeministrit britanik, David Cameron, pas sulmeve terroriste vjet ndaj revistës satirike franceze, «Charlie Hebdo», drhe shprehje që i dëgjojmë shpresh prej krerëve të tjerë.

Terroristët vijnë prej tokave të largëta, duke pritur të infiltrojnë territorin e huaj me ideologjitë e tyre «barbare». Duke i pranuar, ata si Breiviku, vetëm si ekstremistë, shlyhet shembulli ideal i terroristit që është ndërtuar gjatë viteve të fundit prej mediave të së djathtës ekstreme dhe politikanëve të ngjashëm. Nëse edhe një perëndimor normal i bardhë mund të jetë «terrorist», atëherë shkon huq e gjithë struktura.

Rrallëherë u mbahen procese të hapura gjyqësore ekstremistëve myslimanë, ku eksplorohen motivet e çdo detaji, qysh ka ndodhur me rastin e Breivikut. Duket se qëllimi ka qenë që të diskutohet e zbardhet në mënyrë rigoroze çdo veprim i tij. Por prapëseprapë, kur akademikët, aktivistët dhe analistët politikë mundohet të kuptojnë e shpjegojnë faktorët që u prijnë myslimanëve të kryejnë akte të tmerrshme terrori, po të njëjtit individë shpërthejnë e nxjerrin dufin kundër «simpatizuesve terroristë».

Është e dukshme se sa i shtrembëruar është perceptimi dhe njohja jonë e asaj çfarë përbën «terrorizmi». Nuk na lejohet të vendosim kush na terrorizon, por menjëherë na krijohet bindja se duhet ta marrim si të mirëqenë atë që thonë ata që kanë pushtetin.

Anders Breivik është «vrasës masiv» i izoluar, që veproi i vetëm. Askush nuk do t’i bëjë presion pjesëtarëve të bashkësisë së tij që të dënojnë njerëzit e rrethit të tij, të ekzaminojnë ideologjitë ose bindjet e tyre fetare, ose të reformojnë mënyrën e tyre të jetesës. Duke pasur parasysh ngritjen e grupeve ekstreme djathiste sot në Evropë, ky fakt do të dëmtonte në mënyrë të veçantë kauzën e tyre.

Breivikët e botës janë amnistuar me vetëdije prej cilësimeve, si «terrorist», për të ruajtur bindjen se vetëm ata që kanë një strukturë të caktuar bindjesh, mund të kualifikohen me këtë shprehje. Por në qoftë se nuk dënojmë terrorizmin në të gjitha format e tij, asnjëherë nuk do të nxjerrim leksione prej krimeve të ngjashme të tmerrshme, si ai që pesë vjet më parë është kryer prej Breivikut në Utoeya.

The Independent-Dialog Plus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *