Prostitucion kulturor në bulevardin e Tiranës

5350_162_516

 

 

 

 

 

 

 

 

Nga Eleni Laperi
(Tani edhe varrin duhet ta kesh në Tiranë !?)

Kur lexova për dhënien me qera të monumenteve të kulturës, m’u kujtua një historian arti, i cili  ka thënë se kur shteti nxjerr në shitje objekte të kulturës së tij, atëherë punët nuk janë mirë; po kur shteti nuk tregon kujdes për kulturën, punët  janë vërtet keq. Fatkeqësisht Shqipëria është një rast që vërteton këtë thënie. Këtë e sheh jo vetëm kur jepen me qera monumente të kulturës së vendit. Këtë e sheh kur vidhen kryevepra të artit shqiptar, apo kur ato jepen si dhurata ‘miqve’ të huaj nga punonjës të institucioneve të paguar për t’i mbrojtur. Mungesën e kujdesit e dallon kur galeritë nën administrimin e shtetit nuk kanë katalogë për të promovuar vlerat, që ruajnë.

Kush është sadopak vëzhgues, e dallon si janë punët e shtetit sapo i hedh një sy mënyrës se rriten qytetet. Sidomos te ne, njëri: Tirana. Sepse ‘e gjithë’ Shqipëria është në Tiranë : gati një e dyta e popullsisë jeton në Tiranë, madje edhe qytetarët nga Kosova po synojnë të jetojnë, të punojnë e dëfrejnë në Tiranë. Në Tiranë, madje jo kudo nëpër qytet, po sa më pranë bulevardit kryesor, mundësisht vetëm në ‘bllok’. Pranë bulevardit kryesor  janë grumbulluar jo vetëm të gjitha institucionet e qeverisjes lokale e kombëtare, po edhe përfaqësuesit e shteteve të huaja, edhe institucionet ndërkombëtare, tempujt fetarë, monumentet, muzetë, Teatri Kombëtar, Teatri i Opera, Teatri i Varietesë. Të gjithë shqiptarët sot e dinë: po të duash të kesh fatin të bësh jetë qytetari, duhet të vish në Tiranë !

Që në kohën e Skënderbeut, ndryshe nga princat e mbretërit e botës, princat shqiptarë ishin më të interesuar për të luftuar luftrat e të tjerëve, për të fituar famë për veten e tyre, se sa për të gjetur mënyra si të siguronin paqë, për të pasuruar vëndin, për të ndërtuar shkolla e pallate, për t’i zbukuruar ato me vepra arti. Si rezultat ne sot kemi një muze të Skënderbeut në kalanë e Krujës, i cili, sipas fjalëve të filozofes sllovene Marina Grzhiniç, mund të cilësohet si ‘teatër i historisë’. Sepse në të ka vetëm objekte të krijuara për të luajtur rolin e historisë origjinale. E njëjta gjë ndodhi edhe gjatë mbretërimit të Zogut, gjatë diktaturës së Hoxhës, gjatë qeverisjeve të këtyre viteve në demokraci. Kush ka pak njohuri nga historia e artit tonë, e di se si u lanë krejt jashtë interesave publike artistët e kultura shqiptare në vitet e mbretërisë. Bashkëkohësit mbanin mënd rastin e violinistit Naraçi, që e theu violinën në pallatin e mbretit e nuk e zuri më me dorë. Motrat Zengo, që vinin nga akademia e Athinës, kërkuan po nuk u dhanë asnjë sallë të thjeshtë për ekspozitën e tyre me rastin e festës së kombit, të cilën pastaj e hapën në dyqanin e thjeshtë të një tregtari tiranas. Vetëm Italia fashiste, që përgatiste pushtimin e Shqipërisë edhe kulturalisht, u kujdes jo vetëm të ndërtonte e projektonte qytetet shqiptare me frymën e arkitekturës imperiale italiane, po edhe të dërgonte një grup studentësh për të studiuar art në Shkollën e Romës (e vetmja akademi që predikonte fashizmin, artin tradicional larg rrymave të artit të ri të kohës). Pas Luftës së Dytë Botërore diktatura e quajtur ‘e proletariatit’ dërgoi grupe të rinjsh për studime në vendet nën influencën sovietike, pra nën influencën e artit të realizmit socialist, rrymë që izolonte artistët nga kultura përparimtare botërore. Kështu artistët shqiptarë, edhe ata që studiuan në Italinë e viteve ‘30, edhe ata që studiuan në vëndet socialiste në vitet ‘60, morën një edukim, bazuar mbi të njëjtat parime : krijimtari në shërbim të një propagande partiake, në shërbim të kreut të partisë. Ende sot te ne strategjia e zhvillimit mbart tipare propagandistike, i ngre lavde politikës.

Sot, njëzetë e tre vite pas përbysjes së diktaturës artistët përballen me mungesën e vizioneve nga ana e qeveritarëve, me indiferencën e plotë nga ana e shtetit dhe mbi-tetëdhjetë-partive. Arti i krijuar në këto vite me mbështetjen e shtetit është një portret i korrupsionit, prostitucionit kulturor dhe i kulturës së forcës. Jo vetëm artistët, po kultura në përgjithësi përjeton një përmbysje, në dobi të antivlerave. Sepse në krye të institucioneve të kulturës vihen militantë, me formim e shije të periudhës moniste. Rreth vetes ata mbledhin të tjerë militantë, me të njëjtat shije dhe pa ndonjë dëshirë për të njohur e promovuar tendencat e reja të artit, pa dashuri për kulturën, pa kulturëmbi mënyrën e funksionimit të qyteteve.

Për të kuptuar këtë, mjafton të shohësh Tiranën nga lart. Madje jo shumë lart; edhe nga mali i Dajtit mëson si duket një qytet, ku llogjika e më të fortit zotëron nga periferia në qëndër. Bindesh se privatizimi i hapësirës është jashtë kontrollit të arsyes së ndërtimit e funksionit të një qyteti. E parë nga toka, në Tiranë të pikëllojnë ndërtimet pa një lidhje logjike apo estetike me godinat rrethuese, pa mjedise për zbavitje e lojrat e fëmijëve, të cilët shpesh bëjnë ‘gol’ në shpinën e kalimtarëve të rrugëve apo rrugicave.
E parë nga rruga-në-rrugë, njihesh me prostitucionin kulturor. Kjo dallohet jo vetëm në ndërtimin e pallateve-goxilla, po edhe në rindërtimin e rrugëve të rindërtuara (që prej njëzetë vitesh mbushin ajrin dhe mushkëritë e qytetarëve me pluhur), edhe në ndërtimin e tempujve fetarë, edhe në krijimin dhe vendosjen e veprave të artit. Të gjithë duan të përfitojnë, duke shitur aftësitë e tyre. Dhe për këtë të gjithë duan të jenë sa më në sy të pushtetit, ndanë bulevardit kryesor të Tiranës, sa më pranë ministrive, sa më pranë ‘Skënderbeut’. Të gjitha monumentet i duan atje, pa pyetur në përshtaten apo nuk përshtaten me mjedisin, me hapësirën, sikur duan të na thonë: pse, çfarë ka më shumë se ne Skënderbeu?

Të gjithë shtyhen të zënë vënd ndanë bulevardit kryesor: edhe lulishtet, edhe katedralja katolike, edhe katedralja ortodokse, edhe xhamija, edhe muzetë, edhe ‘Nënë Tereza’, edhe ‘Ismail Qemali’, edhe ‘vëllezërit Frashëri’, edhe monumenti i ‘100 vjetorit të pavarësisë’, edhe ‘Hasan Prishtina’, edhe ‘Ahmet Zogu’ … Madje ‘Postbllok’ gjeti një qoshe në hyrje të parlamentit, duke hyrë si pykë midis figurës së krijuesit të shtetit të pavarur shqiptar dhe institucionit, që lidhet më shumë me figurën e tij…

Të gjithë duan të jenë në bulevard, ngucur me njëri tjetrin, duke shtyrë njëri tjetrin, kush e kush të bjerë më shumë në sy të qeverisë, të ngrejë çmimin e vet. Të gjithë luftojnë për lavdinë personale, të nxjerrin në pah ‘madhështinë e tyre’, pa u shqetësuar aspak sa e dëmtojnë qytetin, shijen e qytetarëve. Pjesa tjetër e qytetit i është lënë në dorë kaosit e zbraztisë kulturore. Keqardhjen më të madhe e ndjen kur mendon se në vitin 1990 kishim në dorë rastin të korigjonim gabimet e së shkuarës!

Në se duan të ‘gdhënden’, qytetarët e Tiranës duhet të vijnë në qëndër, ndanë bulevardit kryesor; në se duan të zbaviten, duhet të vijnë në qëndër; që të falen, duhet të vijnë në qëndër; që të njohin historinë, duhet të vijnë në qëndër; që të ankohen e të zgjidhnin problemet e tyre, duhet të vijnë në qëndër. Që të mund të shohin diçka nga kultura jonë e kultivuar, edhe turistët duhet të kalojnë nga bulevardi kryesor i Tiranës.

‘Kombet, që kanë një qeveri’ (‘Ne jemi një komb që ka një qeveri, dhe jo anasjelltas, ka thënë Ronald Regan), aktivitetin kulturor, ekonomik e politik e kanë të shpërndarë në disa qytete, duke u dhënë mundësi të gjithë shtetasve të gëzojnë nga të mirat, që vijnë nga kjo shpërndarje, të kultivojnë aftësitë e shijet e tyre. Në çdo metropol në botë, në çdo qytet të madh si Tirana, ka disa qëndra, që ekuilibrojnë shpërndarjen e të mirave të jetës e aktivitetit të qytetit për të gjithë banorët, duke i edukuar njëkohësisht. Te ne, sapo del nga Tirana, sapo del nga qëndra e Tiranës e sheh ndryshimin dhe kupton pse ne kemi një ‘qeveria që ka një komb’.

Mungesa e vizionit dhe kultura e ‘të fortit’ nis nga institucionet qeverisëse, të cilat bëjnë edhe politikat kulturore, ngrenë juritë e konkurseve, përzgjedhin pjesëmarrësit, përcaktojnë fituesit, caktojnë vendndodhjen e monumenteve apo memorialeve duke menduar për vete. Ne mendojmë vetëm sot-për-sot, pa e vrarë mëndjen si do ndjehen qytetarë shqiptarë nesër. (Atëherë, ndryshe nga sot, qytetarët shqiptarë do dinë të reagojnë në interes të mirëqënies së tyre e të fëmijëve të tyre.) Politika nuk e vret mëndjen për nivelin kulturor të shqiptarëve, pra për mirëqënien e tyre. Sepse nga mungesa e kulturës së qytetarëve përfitojnë vetëm ata, sigurojnë mirëqënien e tyre.
Tiranë, 2013

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *