Pacolli: Amaneti i Kodrës të prehej në Tiranë, 10 vite më parë nuk u koordinuam

FB_IMG_1455019408880

Ka reaguar Behgjet Pacolli sa i takon amanetit dhe eshtrave të Piktorit Ibrahim Kodra. Përmes një postimi në facebook, ai ka sqaruar atë që sipas tij është e vërteta.

Në kuadër të dhjetëvjetorit të vdekjes së Maestro Ibrahim Kodrës, Fondacioni jonë u mblodh në shtëpinë e tij ku miq të shumtë kujtuan veprën e madhe të tij. Ne mësuam me kënaqësi të madhe njoftimin për vendimin e Qeverisë shqiptare për të përmbushur amanetin e piktorit, poetit dhe humanistit të shquar Ibrahim Kodra për tu varrosur në Tiranë, diku në kodrat e Liqenit artificial.

Me shqetësim, por dhe mirëkuptim për banorët e Ishmit, ne mësuam për rezistencën e një grupi banorësh të fshatit Ishëm për të mos lejuar zhvendosjen e eshtrave të Mjeshtrit të madh drejt Tiranës.

Ne duam të besojmë se gjithçka ka qenë pasojë e mungesës së informacionit, ndonjë problemi procedurial dhe ndjeshmërisë së arsyeshme të tyre.

Në këtë kuadër, ne e mirëkuptojmë dhe rrespektojmë reagimin e Profesor Doktor Sali Berishës, Presidentit të parë të Shqipërisë që e dekoroi Ibrahim Kodrën me titullin e lartë “Nderi i Kombit” E sigurojmë Presidentin që varrimi në Tiranë ishte deshirë dhe kërkesë e të ndjerit Ibrahim Kodra.

Duke vlerësuar respektin e madh që banorët e Ishmit kanë për themeluesin e Fondacionit, zotëri Behgjet Pacollin dhe Zotin Fazliun, bartësit e amanetit të Maestro Kodrës, ne duam të garantojmë solemnisht se:

Ibrahim Kodra e ka përcjellë ligjërisht dhe me zë vullnetin e tij të fundit për t’u prehur pas vdekjes në Tiranë. 10 vjet më parë, një mungesë koordinimi, mosinformimi në kohë, bëri që Mjeshtri të varrosej në Ishëm.

Bartësit e amanetit të Kodrës nuk kanë dashur të krijonin polemika publike me këtë fakt, por kanë kërkuar zyrtarisht që më në fund Maestroja të prehej në Tiranë. Ata kanë zhvilluar korrespondenca me autoritetet shqiptare dhe kanë marrë premtime të vazhdueshme në favor të këtij amaneti nga dy krahët e politikës.

Sot që ky amanet po plotësohet, Fondacioni shpreh bindjen se Ishmi, do të vazhdojë të shërbejë si pikë pelegrinazhi për turistët e huaj nëpërmjet monumentit, apo objekteve të tjera përkujtimore në nder të Mjeshtrit Kodra. Vendosja e Ibrahim Kodrës, birit të shquar të Ishmit pranë Panteonit të Rilindasve në kodrat e Liqenit, është nder për Ishmin, për mbarë kombin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *