Një rrugë e re drejt Labovës së Kryqit dhe kishës së saj të famshme

Punimet për rikonstruksionin e rrugës së fshatit Labovë janë në përfundim.

Tashmë është hedhur shtresa e asfaltit në pjesën më të madhe të aksit, ndërsa së shpejti do të nisë faza tjetër, vendosja e sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

Ndërkohë, po vijojnë punimet për restaurimin e Kishës së Shën Marias, nje investim i  qeverisë shqiptare.

Ky është një investim i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik të kësaj zone. Labova dhe emri i saj si “Labova e Kriqit-Kryqit”, nuk dihet sakte, e kishte apo ia dha kryqi i famshëm.

Një legjendë dhe një histori e rrëfyer ndan në mes realitetin e Kishës shqiptare më enigmatike, Kisha e “Labovës së Kriqit” dhe historia e vet kryqit.

Thonë që i ka fillesat  në kohën e Templarëve, të përbetuarit për shpëtimin e Jeruzalemit dhe  relikeve të Jezu Krishtit pas kryqëzimit të tij. Dhe kryqi i kësaj kishe është i bërë nga druri i kryqëzimit.

Por, si erdhi ai relik në Shqipëri  dhe në Labovë?!

Dihen rrugët që ndoqën shpëtimtarët  duke u nisur nga veriu i Evropës drejt Jeruzalemit.

Njëra prej rrugëve tokësore kalonte  përmes Shqipërisë dhe dilte në portet e Greqisë së Jugut, e pastaj vozisnin drejt Jeruzalemit.

Rruga e sotme drejt jugut dhe kufirit me Greqinë është mbishtresëzim i rrugës së vjetër romake. Një rrugë që kalon pranë Gjirokastrës dhe Labovës. Sot për të shkuar atje, pasi kalon Gjirokastrën, kthehesh majtas për në Libohovë, Suhë dhe vazhdohet për në Labovë.

I gjithë udhëtimi merr rreth 40 minuta nga Gjirokastra. Kisha e Labovës është një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe dikur përmbante një relike të shenjtë që besohej se ishte pjesë e kryqit të vërtetë të Kryqëzimit.

Ndërtesa është tipike bizantine me një kupolë të lartë qëndrore. Hyrja kryesore në kishë është përmes një narteksi të mëvonshëm.

Ka të paktën 9 nivele të dallueshme afreskesh të pikturuara në sipërfaqen e mureve të brendshme.

Kisha, siç shihet sot, është kryesisht ndërtim i shekullit të 13-të dhe kohës së Despotatit të Epirit, megjithëse një themel fillestar mund të shkojë thellë në kohën e Perandorit Justinian në vitet 527-565 Pk. Ky datim e bën atë të veçantë dhe misterioz, ku vizitorët drejt saj nuk reshtin në asnjë stinë të vitit.

Megjithëse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga vjedhja e kryqit të rrallë, banorët vijojnë të apelojnë për gjetjen e tij.

Me një moshë më shumë se 15 shekullore, Kisha e Labovës së Kryqit vlerësohet si një prej monumenteve më të rralla historike, fetare e kulturore të Shqipërisë. Studiues vendas dhe të huaj pranojnë se Kisha e Shën Mërisë është një objekt i periudhës Paleokristiane. Për periudhën e ndërtimit të saj supozohen disa kohë të ndryshme të dhëna nga studiues të ndryshëm.

Një datim është ai që shpjegon se kjo kishë është ngritur me shpenzime perandorake në periudhën e Justinianit të madh.

Një hipotezë e ngritur mbron idenë se ajo mund të jetë ndërtuar në vitin 527-565. Viti 1554 është i gdhendur edhe mbi portën e vjetër të kishës, por mendohet se ky vit i përket kohës së rindërtimit të saj mbi themelet e vjetra.

Njihet gjithashtu si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në gjithë botën.

E vendosur në shpatin verior të malit të Buretos, mbi lumin e Suhës që është një degë e lumit Drino, në të djathtë të qytetit të vogël të Libohovës, rreth 20 kilometra në juglindje të qytetit të Gjirokastrës.

Nga periudha bizantine deri më sot quhet Labova e Kryqit dhe si vendbanim i hershëm ka edhe një kala të vjetër, që vendasit e quajnë sot Paleokastër.

Rindërtim pas rindërtimi objekti është zgjeruar, por gjithmonë ka ruajtur themelet dhe muret e fillimit.

Ikonostasi me vlera të rralla ka rënë disa herë pre e grabitësve gjatë dy dekadave të fundit. Pas vjedhjes së kryqit të artë, në vitin 1998 u shënua grabitja e dytë dhe 15 ikona të çmuara u morën, por pas pak ditësh ato u braktisën brenda një thesi pranë fshatit.

Rasti i tretë i grabitjes ishte në muajin shtator të vitit 2007, kur 20 ikona u vodhën nga ikonostasi.  Sipas banorëve, të gjitha ikonat e vjedhura kanë një vlerë shumë të madhe, pasi janë shumë të lashta gati 6 shekullore.

Deri në fundin e viteve 1980 në kishë gjendej i fshehur mirë nga besimtarët një kryq tërësisht i florinjtë, brenda veshjes së artë të të cilit, thuhej se ndodhej një copë dru nga kryqi në të cilin u kryqëzua Jezu Krishti në Jeruzalem. Për shekuj me radhë kryqi mbahej në një vend të fshehtë brenda mureve, i parashikuar qysh nga projektuesi dhe ndërtuar me shumë mjeshtëri e fantazi, brenda një kamareje të veshur me dru dhe disa radhëve me libra të shenjtë.

I kaluar brez pas brezi për shumë shekuj, kryqi që i dha emrin fshatit dhe i nderuar për shekuj me radhë nga banorët, me rënien e regjimit komunist u vodh dhe asnjëherë nuk u gjet.

Mbi bazamentin e Kryqit të Labovës, të tërheq vëmendjen një element dekorativ në formë kapiteli (nyja që lidh bazamentin me Kryqin), ku figurohen katër desh të punuar me mjeshtëri. Kokat e dashit të vendosura në katër pikat kardinale paraqesin altarin e sakrificës (motiv i përdorur nga hebrejtë, si dhe në periudhën paleokristiane), duke simbolizuar fuqinë e gjithëpushtetshme të Perëndisë.

Ndërsa zemra e figuruar në pjesën e sipërme të motivit me kokën e dashit, thekson në të njëjtën kohë se kryqi i vendosur mbi këtë suport është dhe Kryqi i Zemrës së Shenjtë.

Këto elemente simbolikë dhe dekorativë i japin Kryqit të Labovës një vlerë mjaft të madhe kuptimore, e cila përkon me përmbajtjen e tij, si relik i Drurit të Shenjtë ku u kryqëzua vetë Krishti.

Sot, vendndodhja e Kryqit të Labovës nuk dihet. Ai përkujtohet me respekt të veçantë në Kishën e Shën Mërisë në Labovë.

Ditën e festës së saj më 8 shtator, ku mblidhen tërë banorët e saj brenda dhe jashtë vendit, një nderim të veçantë zë përkujtimi i Kryqit të Shenjtë që u lidh përjetësisht me emrin e vendbanimit të tyre, Labovës.

Rruga e re drejt kishës enigmatike do të shtoje vizitorët dhe turistët kurioze për historinë e saj, që ta vizitojnë më shpesh dhe më lehtë.

Tashmë që ditët u ngrohën dhe rruga u asfaltua, drejt “Labovës së Kryqit” do të ketë më  shumë turistë dhe kuriozë  që kërkojnë të dinë më shumë rreth kësaj historie-legjendë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *