Një rrënojë kohe nën lëkurë

 

Krenar Zejno

Një rrënojë mund të na sjell ndërmend edhe një tjetër rrënojë, ashtu si tek e shkuara e një jete gjenden paralele të një tjetër jete. Sepse rrënoja përfaqëson gjallmimin, në dallim nga gërmadha, e cila është e mbyllur në vetvete, si çdo vdekje. Rrënoja është ajo që i mbijeton zhdukjes, asaj që gërmadha nuk i bëri dot ballë. Trupat njerëzor të Pompeit, ngrirë prej shekujsh nën llavë, nuk janë kadavra. Për një mrekulli të natyrës, njëherit edhe vrasësja e tyre, ata dëshmohen ashtu siç janë fiksuar në çastin e beftë të mortjes, në vendet dhe gjestet e fundit të veprimtarisë së gjallë. Moment i rrallë! E ky momentum i historisë së njerëzimit, ku ata mbetën edhe jetë edhe vdekje, është tashmë monumenti i tyre i përjetshëm. E një rrënojë e cila i mbijeton zhbërjes së artit që mban në gji, shndërrohet edhe vetë ajo në vepër arti. Qysh me Beniamin e Simmel e Pasolin është zbritur gjer në thellësi të kësaj dikotomie: rrënoja nga pikëpamja estetike është një formë e paqtimit, apo armëpushimit le tё themi, të konfliktit mes fuqive shkatëruese të natyrës dhe atyre ndërtuese të kulturës dhe artit. Dhe ja ku mbërritëm një moment të rrallë arti të sotëm: Artistja, Lume Blloshmi, kjo Shivë – hyjni shndërruese – na paraqet, përmes cikleve “natyrale” të artit dhe aksionit performer të saj, edhe vetë procesin e transformimit. Objekti: lëkura (edhe apel i empatisë) e portokalles (edhe idiomë ironike e botës që rrotullohet e rikthehet).  Më tej, cikli i miniaturave me figurat politike, riparaqitur në “Pompeiadë”, pra ku na ndërmend edhe për August e Kaligula, bën të theksohet edhe më tepër sarkazma karikatureske ndaj tyre. Dhe diku mё tej, pamje nga rrёnoja e ekspozitёs “Okazion- Likuidim total” qё pat mveshur krejt muret e galerisё Zenit me Informacion – Propagandë – Publicitet! Njё  trekëndësh deborian, edhe i blerjes edhe i bjerrjes, ndёr tё cilin postmodernizmi, si përdorim ironik i imazhit në kontekst të ri kuptimor, qe thirrur tё shpёrfaqё imazhe që kontestojnë pikёrisht kёtë botë imazhi. Ku triumfi imperial i mallrave, nёpёrmjet armёs sё joshjes e reklamёs dhe mercenarёve prej letre, rrezikon tё pёrbashkojё gjithё gёrmadhat e konsumit dhe mbetjeve nёn njё destin fatal nё rang global. E më përtej, këto lëvore fruti me formën e qenieve njerëzore prej zjarrmit ku vendoseshin për t’u marrë esencën dhe aromën, pas shumë kohërash çlirohen nga izolimi dhe bëhen objekti i artistes për një paralelizim ngjashmërie të habitëshme me elementë biblikë të tablosë së mjeshtrave të Rilindjes. Duke na paraqitur, kësisoj, edhe një rrënojë. Por nuk mbaron këtu! Fill pasi i hapen dritës, ajrit dhe pranisë së kondensimit, ndodh që natyra të bëjë të vetën duke i kthyer në një rrënojë të re edhe vetë ato. (Sa për kujtesë dhe orjentim: në rastin e nevojёs sё njё përshkrimi të rrënojës dhe mbetjeve, alegoria ka ca shanse t’ia dalë më mirë se simboli e metafora.) E bashkë me të, duke na kondensuar, praktikisht, një rezultat për të cilin teorizimi mbi rrënojën është tashmë: akti i riformësimit të shkatërrimit si atribut i saj; nëpërmjet një procesi të dyfishtë, natyral dhe historik. Me rrjedhojë, edhe të kuptuarit më mirë të historisë. E në lidhje me këtë dhe kontekstin tonë historik, vjen i pashmangshëm konotacioni prej pamjes sё lëkurave të rregjura me kufomat nё gropat masive, dhe me regjime e shpërngulje masive gjithashtu. Aq më mirë për ruajtjen e kujtesës kolektive prej rrënimit! Tekefundit, ky është misioni i artistit: të mos lejojë që rrënoja të kthehet në gërmadhë. Dhe Moxarti vijon t’i fryjë flautit magjik, duke i dhënë frymë edhe Pompeit, vendit ku e kompozoi dhe rrënojës që e frymëzoi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *