“Logjika” e Hegelit vjen në shqip/ Përkthyesja Rrudha: Filozofia është i vetmi instrument i sigurtë i formimit më të shëndosh mendor

GazetaPasqyre.al

Gersa Rrudha ëshë një vajzë e re, e cila paralelisht me studimet e saj ka zgjedhur të angazhohet seriozisht në fushën e studimeve dhe filozofisë. Pas botimit të librit të saj studimor për Schopenhauerin dhe ndikimin e filozofisë së tij në poetikën e Lasgush Poradecit, Gersa e ka sfiduar veten me një autor jo fort të lehtë; me një filozof si Hegeli, të cilin mund ta gjeni në Panairin e Librit tek Shtëpia Botuese “Plejad”.

” Shkenca e logjikës” së Hegelit është njëri nga punimet më të njohura të tij, i botuar edhe si libër me vete. Por, ai është përfshirë gjithashtu edhe si pjesë e sistemit të tij filozofik në veprën e njohur me titull “Enciklopedia e shkencave filozofike”. Ky libër është bazuar pikërisht në një botim dy-gjuhësh (gjermanisht-italisht) të kësaj “Enciklopedie”. Qëllimi është që ajo të botohet e plotë, në tre pjeset e saj, ndaj dhe shënimet e numërtimet e shënimeve janë bërë për të ruajtur rendin e “Logjikës” brenda gjithë “Encikolpedisë”, për të ndihmuar më pas në inkorporimin e saj në veprën e plotë.

Çfarë të shtyu të përkthesh Hegel? Nuk beson se ndoshta duhet një tjetër pjekuri për t’u marrë me një filozof të tillë?

Studimi në katedrën e gjermanishtes në Universitetin e Bukureshtit më lindi dëshirën që t’i futesha botës studimore të autorëve, studiuesve, filozofëve gjermane. Duke pasur fokus kryesor Schopenhauerin dhe më pas Hegelin. Studimi i filozofisë natyrore të Shopenhauerit, i cili ishte subjekt i temës sime të diplomës prej një viti më forcoi njohuritë dhe pjekurinë filozofike mjaftueshëm. Pathosi i Shopenhauerit ishte anti-hegelizmi. Dhe si njohëse e mirë e gjuhës gjermane dhe italiane ia propozova shtëpisë botuese “Plejad” që kishte botuar Shopenhauerin nga po i njëjti botim dy gjuhësh. Bashkë me ta përzgjodhëm këtë vepër dhe përshkallëzimin e vështirësisë së secilës prej pjesëve. Filluam me “Logjikën” si baza themelore, e do vazhdojmë me pjesën tjetër “Filozofia e Shpirtit”. Jam konsultuar me botimin në italisht që është goxha shpjegues dhe me aparat ndihmës. Kurse për terminologjinë e kam diskutuar gjatë me botuesit që janë të specializuar në këto botime, të cilët më kanë ndihmuar të kapërcej vështirësite e karakterit historic, estetik dhe filozofik.

I shtojmë kësaj faktin që unë jam diplomuar në “Fakultetin e gjuhëve dhe letërsisë së huaj në katedrën e gjuhës gjermane dhe angleze”. Më herët unë kam botuar dhe kam marrë vlerësime pozitive mbi studimin e bërë për Schopenhauerin dhe ndikimin e filozofisë së tij në poetikën e Lasgush Poradecit.

Cila ishte vështirësia më e madhe për ta bërë Hegelin të flasë shqip? (Në përkthim, por edhe në kuptimin e filozofisë së tij…)

Hegeli shquhet për saktësinë dhe koinçizitetin e shprehjes. Sidomos logjika ka nje përmbajtje sistemike, ku çdo pjesë e saj ose çdo doktrinë dhe çdo seksion brenda saj janë të lidhura dhe rrjedhin nga njëra-tjetra. Kjo kërkonte që përtej përkthimit të shikoja edhe vijën logjike të të gjithë pasazheve të përkthyera. Gjithashtu dhe përcaktimi ose vendosja në kuptimin e duhur të termave të saj ishte një sfidë më vete.

Ju jeni shumë e re dhe keni marrë përsipër t’i sillni lexuesit një vepër filozofike. Si e shihni qasjen e të rinjve drejt filozofisë sot, a është një kontakt që po bëhet gjithnjë e më i largët?

Kam bindjen dhe besimin e plotë se ky përkthim do t’i shërbejë shumë të rinjve që studiojnë jo vetëm në degën e filozofisë, por edhe në fushat e tjera të studimit. E shoh si një mundësi të madhe formimi për brezin tonë të ri. Letërsia të jepë shijen dhe bukurinë estetike dhe shpirtërore, kurse filozofia është i vetmi instrument i sigurtë i formimit më të shëndosh mendor. Formimi im jashtë Shqipërisë ma ka diktuar një gjë të tillë. Në këtë këndvështrim shkolla jonë është krejtësisht e paplotë dhe e papërgatitur për këtë prioritet. Por unë kam besim se të rinjtë shqiptarë kanë dëshirën e mirë të studiojnë e po ecin përpara drejt të ardhmes për të ndriçuar mendjet e tyre duke lexuar vepra të një kalibri të tillë.

Filozofia duhet të vihet në qendër të vëmendjes së gjithë strukturës sonë kurrikulare….jo të hiqet prej saj. Ideja e botimit të klasikëve pajtohet pikërisht me këtë prioritet. Që të shtrojmë edhe një problem të madh edhe demokratik. Formimi filizofik ndikon direkt me edukimin demokratik.

Në fakt sot duket sikur të rinjtë përherë e më shumë janë orientuar drejt rrjeteve dhe kemi harruar të mendojmë, të zhvillojmë një sens kritik mbi fenomenet e realitetin, madje shpesh filozofia konsiderohet si diçka e tepërt e që nuk vlen. Si mendon se do e komentonte Hegeli këtë aktualitet? 

Në të vërtetë logjika nuk merret me trajtimin dhe vlerësimin e filozofisë. Është në doktrinën e filozofisë së shpirtit ku trajtohet kjo gjë dhe Hegeli atë e konsideron si pjesë të majës më të lartë të shpirtit, shpirtit absolut. Për të filozofia është koncept edhe i artit edhe i religjionit. Pra ai e konsideron filozofinë si lartësimin në formën absolute të njeriut. Është kjo përgjigjia e tij ndaj sipërfaqësuershmërisë së formimit të sotëm./gazetapasqyre.al

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *