“Mall Burri” dhe një Kastro i paqetë mesazhesh të forta: Gjenetikisht jemi komb i dhunshëm, harxhojmë energji duke folur kot!

Kur thua Kastro Zizo, emrin e tij nuk e ndan dot nga imazhi i djalit rebel me flokë të gjata, kontrovers, emocional, shpërthyes, në thelb një artist që ka mbetur përherë i angazhuar në të gjitha “eksperimentet” që ka bërë me artin e tij. Sigurisht, që kjo vjen prej shkollimit dhe formimit të tij. Studimet në “La Sapienza” për kozmologji (Cosmology-degë e astronomisë që merret me studimin e kronologjisë së universit.

Si personazh i jetës publike, ai ka ditur dhe ka zgjedhur të flasë për herë për çështje socio-politike, për individin dhe problemet sociale tona. Së fundmi Kastro Zizo, ka sjellë projketin e tij më të ri “Mall burri”, një realizim që e ka dretjuar më shumë nga disa vlera artistike, larg komercit që duket sikur i ka zënë frymën botës. Në këtë bisedë të shkurtër me kastron, nuk mund të mos preknim as realitetin e ditëve të fundit, në një kohë kur duket sikur dhuna na ka mpirë gjithë energjinë kozmike për të ecur para. 

Kastro pas “Mono”, vjen sërish me projektin “Mall burri”. Cila është historia që frymëzoi këtë këngë?

Kam dy vjet që mendësia, mentaliteti, ndoshta dhe disa anë karakteriale kanë ndryshuar te unë dhe logjikisht kjo reflektohet dhe në muzikë, duke bërë gjëra më të kujdesshme, më të përkushtuara në tematikë dhe muzikë dhe sigurisht më emocionale… ”Mall burri” erdhi shumë rastësisht. Unë këto kohë po gjej kohë për të rivlerësuar gjërat apo njerëzit në jetën time dhe të tillë që më kanë dhuruar libra në jetë kanë qenë shumë, por fatkeqësisht nuk kam pasur mundësi t’i lexoj. Një ndër këta është një miku im i vjetër nga Salaria, Genc Llakaj. Po lexoja një  botim të tijin me poezi dhe brishtësia që gjeta më kuriozoi, sepse ai është patriot dhe i vrazhdë dhe ky gërshetim më kuriozoi më shumë. Duke shfletuar lexova një poezi që ishte një dedikim ndaj motrës së tij. Une kam pak vite që kam humbur nënën dhe në këtë periudhë jam më i ndjeshëm. Aq i ndjerë dhe i vrazhdë ishte emocioni që ndjeva, sa vendosa ta punoj duke e sjellë në “Mall Burri”.

Ti ke bërë shumë eksperimente në muzikë e duket sikur së fundmi ke gjetur “paqe” duke sjellë një stil tjetër, një Kastro më “të pjekur”, një Kastro që dëshiron të japë mesazhe të tjera?

Patjeter që Kastro është më i pjekur, sepse ka shumë më shumë informacion brenda tij. Por paqe Kastro e ka të vështirë të gjejë, aq më tepër në muzikë. Unë e kam detyrim moral, por dhe ndaj shoqërisë që të jap mesazhe apo të vë në dukje njeriun, individin ne raport me veten dhe sistemin dhe shumë këngë të tjera të kësaj natyre verbale në tinguj do të pasojnë.

Edhe pse përherë në fakt ti ke qenë një ndër artistët e personazhet publikë të angazhuar, por së fundmi duket se komerci apo arti që mbledh shumë klikime e para, nuk është më në fokusin tënd, çfarë ka ndryshuar?

Jemi pjesë e një sistemi ku shesh-betejë është ky vend apo trupat dhe eventualisht mendjet tona janë gjithë kohës në zjarr dhe flakë. Mentaliteti i Lindjes së Largët me qasje ballkanike në tentativë për ta thonë një fjalë “INGLISH” ka mpirë trutë dhe duke jetuar në një shoqëri pseudokonsumi(se në fakt konsumohet dhe ripërtypet po i njëjti sillazh, pashë veten në pasqyrë dhe me ngjajti si një Château Lafite, e vitit 1948 ku pak kanë mundësinë ta pinë apo shijojnë se për mundësi kanë shumë…Injorantin vishe me 100 mijë euro kostum, gërdalla që është brenda tij nuk mund të zbukurohet dot.

Sot që po flasim bashkë, shoqëria është tronditur nga një krim makabër ndodhur në Fier ( dhe ngjarje të tilla duket se ndodhin gjithnjë e më shpesh)Si prind por edhe njeri publik, cili mendon se është faji ynë si shoqëri Kastro. Çfarë po ndodh me ne, jemi bërë indiferentë komplet ndaj asaj çka na rrethon?

Gabime të shoqërisë në vite kanë pasoja sigurisht. Jam i shokuar nga ngjarja, por Mateon në rastin konkret nuk e vrau krimineli, por NE. Dhe nuk është vetëm indiferenca jonë si shoqëri për të parë bythën tonë, por në këtë rast kriminelë janë një seri njerëzish që duhet të kenë pasoja. Injoranca dhe grykësia për para na ka sjellë në këtë pikë.

Dhuna ndërkohë duket se ka gjetur terren për të ujitur rrënjët e saj edhe në ekran, në rrjet e kudo. Si e sheh këtë fenomen i cili duket sikur po dominon jetën e shqiptarit sot?

Dhuna në shoqërinë tonë është kudo, nga mengjesi kur del dhe deri në media, kudo, deri në darkë që shkon për të fjetur.

Ka qenë ose është pjesë e gjenetikës sonë si shqiptarë, ballkanas dhe ballkanas jugperëndimor. Kemi qenë terren për shumëllojshmëri AND-je dhe e gjitha kjo ka krijuar një derivat të ri humani. Ndonjëherë më ngjan sikur duan të gjejnë justifikim te ekonomia, apo në këto kohë tek pandemia për të qenë më të dhunshëm! Gjithmonë bëhem kurioz pse njerëzit para 90-ës kanë qenë më pak të dhunshëm! Energjitë e një shqiptari mesatar në këto kohë orientohen në gjëra të vogla dhe në jetesë në konturet e thjesht të qenit pjesë e këtij planeti, ndërkohë që potenciali mendor është aq i madh sa mund të ndryshonte botën, po të orientohej si duhej…Mendoj që shpenzojmë shumë kiloxhaul duke folur kot. Të isha kryeministër do limitoja me ligj të folurën. Psh dikush duhet të flasë 1000 fjalë në ditë ..aq! Ndoshta frenojmë dhe vrazhdësinë dhe malinjitetin ndonjëherë…/Intervistoi: GazetaPasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *