Lapidales apo fryma e Erasmus

Nga Luan Rama

Lexoja Erasmus, shfletoja korrespondencat e tij me Thomas Moore dhe debatin rreth Utopisë dhe në ndalesën e Point d’Enveaux buzë lumit Charente, një habi e veçantë të pret tek futesh në një pyll, ku tutje, në një karrierë guri të përdorur që prej 2000 vitesh, duke ndaluar në «Chemin de pierre» (Udhën e gurit), nuk ke si mos të rigjesh Erasmus në formën jo të shkrimit por të gurit, pasi aty të duket se guri flet me gjuhën e artit. Jemi në Lapidales, ku kufijtë mes popujve, që Erasmus donte ti zhdukte, këtu nuk ekzsitojnë.

Që nga viti 2001, një skulptor i talentuar dhe pinjoll i Erasmus, Alain Tenenbaume pati idenë e krijimit të një hapësire të përjetshme pa kufij, pasi guri është i përjetshëm nëse ti nuk tregohesh barbar me të… Që nga ai vit, skulptorë të shumtë nga e gjithë bota, vijnë të lenë këtu mesazhet e tyre të jetës, ëndrrës, paqes, duke krijuar këto kompozicione monumentale. Ata kanë ardhur nga Zelanda e Re, Anglia, Senegali, Turqia, Portugalia, Spanja, Cekia, Japonia, Rusia, nga vende të largëta e të afërta, duke gdhëndur shkëmbin, atë gur të bardhë që të jep dëshirën të qëndrosh sa më shumë pranë tij. Me atë gur janë ndërtuar kryevepra të këtyre dy mijëvjeçarëve, me këtë gur u ngrit katedralja e Këlnit, me këtë gur u ndërtua po ashtu i famshmi Fort Bayard…

Individualitete të veçanta në këtë galaksi guri dhe spiritualiteti, me tema të habitshme si « Kujtesa e lumit », « Në barkun e botës », deri tek ajo «Monumente i të vdekurve për asgjë»…

Padyshim, skulptorët shqiptarë nuk e njohin këtë vend ku krijohet « hapësira e mrekullimit », dhe ndoshta dikush do mund të kontaktonte këtë shoqatë që mban gjallë artin skulptural në formën e gurit, atje, në mes të pyllit, ku figurat vazhdojnë të tregojnë bëmat dhe jetën e tyre, histori trishti, gëzimi, paqeje dhe lufte…

Një mitologji sa e vjetër aq dhe moderne… Në 3500 hektarë të kësaj karriere kushedi ç’dëshmi do ti lënë artistët e botës gjeneratave që do të vijnë. Këtu Erasmus ka pikëtakuar njerëzit që i kanë flakur kufijtë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *