Kjo është një jetë premtimesh… nga Jehuda Amihai

Jehuda Amihai

Kjo është një jetë premtimesh. Prifti
e di, rabini e di. Fëmija e di, nata,
mamaja e dinte pastaj ajo vdiq, të vdekurit që Zoti do ringjallë e dinë,
kush e pat prej zjarrit dhe kush e pat prej ujit, kush u ngrys pasi jetoi gjatë dhe kush u ngrys para kohe e di,
ata presin të gjithë së bashku thellë në tokë. Vdekja premton ringjalljen dhe jeta premton vdekjen. Profetët e rremë
parathonë një mirësi të pafundme,
ndërsa profetët e vërtetë parathonë një fund të pafat dhe të hidhur,
megjithëse një fund i pafat dhe i hidhur së paku dëshmon
një fillesë të lumtur dhe mbase një vazhdim me lumturi dhe dashuri,
pasi kjo është një jetë premtimesh
dhe aspak bindjesh. Dhe kjo tokë nuk është Toka e premtuar
por një tokë premtimesh.

Rozmarina që lulëzon është ngjyrë vjollcë si dashuria,
një serrë portokajsh në hije do japë fryte tërë shkëlqim,
bletarritësi i Kfar Jonas – në ultësirën e Sharonit –
shpërndan koshere në gjithë vendin
madje i çon dhe në shkretëtirën e Negevit që të ketë mjaltë falë tij,
ai i bie përqark vendit dhe u hedh një sy herë pas here,
rrota e një veture hedhur fushës së djerrë
prehet mes drizash, si ndonjë dëshmor i fesë,
por dhe drizat presin beharin tërë butësi
se kjo është një tokë premtimesh,
se kjo është një tokë zotimesh dhe përbetimesh,
t’u shkosh a mos u shkosh pas kur vënë dorë mbi
treva, që u copëtojnë fushat,
që u çjerrin marrëzitë, që u mbushin kodrinat,
që u thërrmojnë krateret që më kurrë s’do gjejnë prehje,
dhe u sjellin në jetë një mori përrenjsh dhe ranishtesh të rëndomta
me qëllimin për të asgjësuar dashurinë apo vrerin, si dhe për të shtruar detin.

Njerëzit që e banojnë janë nga ata që hipin
mbi një kulle vrojtimi me qëllim që të shohin vendet
prej nga vijnë. Majë tyre gjejnë ata që kanë hipur për të parë
vendet ku duan të jepen.
Bisedojnë me mallëngjim të gjithë së bashku,
me harta në dorë dhe zgjasin gishtin për të treguar:
«Ne do ikim në atë drejtim, po, përgjatë asaj udhe», apo «Ne vijmë prej andej poshtë,
ecëm, kur nata na zuri në befasi,
kështu që ndjejtëm një a dy ditë».
Disa s’pranojnë që të zbresin
nga maja e kullës. Se kjo është një tokë premtimesh.
Se dhe shpresa, ashtu si mashtrimi, ndjekin kremtimet tërë solemnitet,
lindjen dhe vdekjen, përgëzimet dhe përkujtimet,
toka premton qiellin, qielli premton
Perëndinë dhe Perëndia premton tokën
se kjo është një tokë premtimesh
dhe ky është një qytet premtimesh
dhe varri i mbretit David s’është varri i tij
varri i Rakelës s’është varri i saj
dhe zotimet s’janë zotime siç betimet s’janë betime
dhe gjithçka është veç dukje, se çdo dukje fsheh një tjetër.
Grave të hijshme u kërkohet që të mbulojnë
pjesët e tyre të dëlira,
një petk me lule para dashurisë,
një petk të zhveshur pas,
një grumbull dantellash si të çadrës në shkretëtirë,
një grumbull lidhësesh si direkët në det,
në detin që s’e ka Jerusalemi, një unazë për natën,
një karficë dhe ca grepa për ditën. Shpirti, një hapëse me zinxhir shpirti,
ca kopsa. Një brerore e artë në ballë
një rrip i bollshëm sipas masës dhe një lak tërë shkëlqim,
ja dhe kurorëzimi mbretëror mbi tokë
që jep fjalën për një dashuri qiellore se ky është një qytet premtimesh.

Kam parë nëpër rrugicat ndanë Varrit të Shenjtë
ca grekë-ortodoksë të mbledhur, pleq dhe plaka
të përhumbur, të shqetësuar, si një kor i moçëm
që nuk gjen më tragjedinë e vet.
I pashë të veshur me të zeza
tek mbanin karrige të përthyeshme shtrënguar pas sqetullave
që dukeshin si krahë të palosur.
Pjesa më e madhe do vdesë vitin që vjen,
si zogj që kthehen në fole, që kthehen prej folesë.
Se ky është një qytet premtimesh
dhe kjo është një tokë premtimesh
dhe kjo është një jetë premtimesh.

Shqip nga frëngjishtja – Edon Qesari 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *