“I tepelentë” ishte Petriti…

Vasil Tole
Dy fjalë kujtimi për Petrit Rukën
Me Petritin na lidhnin shumë gjëra, ndër to lumi Vjosa, Përmeti dhe Tepelena, letërsia dhe muzika, filmi dhe trashëgimia kulturore, festivali “Aulona Folk” e mbi të gjitha kënga dhe polifonia popullore shqiptare. Nuk linim rast pa diskutuar për to. Ai gjithmonë mahnitej me magjinë dhe kombinimin e zërave muzikorë, kurse unë me përkorjen, bukurinë dhe madhështinë e fjalëve dhe historive të kënduara. Petriti zotëronte aftësinë dhe talentin e rrallë për të hyrë dhe kuptuar laboratorin krijues të artit të madh të popullit, ku prej andej Ai ushqeu deri ditën e fundit muzën e tij krijuese, aq të veçantë.
Petriti ishte intelektual dhe poet i shquar, por mbi të gjitha ai ishte njeri i mbushur me jetë. Dikur Euripidi ka thënë, se për të qenë njeriu i lumtur, duhet së pari të jetë qytetar i një qyteti të dëgjuar.
Petriti ishte nga Tepelena e Ali Pashës dhe për qytetin e tij ku për herë të parë pa botën ai krijoi fjalën “i tepelentë”, si të thuash “i florinjtë” apo “i argjendtë”.
Kjo fjalë ka brenda pothuajse gjithshka: gëzimin, trishtimin, shkëlqimin, bukurinë, dhimbjen, malet, lumenjtë, prindërit, patriotët dhe dëshmorët, njerëzit, rapsodët, nuset, dashurinë, ndarjen, pyjet, trimërinë, këngët e vallet, muzikën e kopeve, lavdinë, erën e luginës, tokën dhe qiellin, dritën e Diellit, jetën dhe vdekjen etj.
“I tepelentë” ishte vetë Petriti dhe “e tepelentë” është krijimtaria e tij që la pas, si shenjë e bekuar e prezencës së tij mes nesh!
I paharruar miku ynë Petrit!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *