Duke lexuar Senekën, një mësim për lumturinë !

Luan Rama
La vie heureuse ! Jeta e lumtur ! Në gjithë botën njerëzit duan të jenë të lumtur dhe e kërkojnë atë, por lumturia ka gjithnjë një çmim. Lumturia është diçka që i përket shpirtit dhe jo botës materiale. Shumë filozofë që në mugëtirat e kohrave kanë shkruar për lumturinë por duket se Seneka, bashkëkohës i Ciceronit, Diogjenit dhe stoikëve të tjerë është më i sakti. Mjafton që mes veprave të tij të veçojmë dy traktatet e tij De Vita Beata (Jeta e lumtur) dhe De Brevietate Vitae (Jeta efemere) për të kuptuar se karakteri njerëzor ka mbetur po ai. Ja pse se mitet antike, të antikitetit grek e romak ashtu si dhe mitet e botës sonë antike mbijetojnë dhe i ndeshim shpesh në jetën tonë të përditëshme ku jo rrallë ndeshemi me sozitë e Edipit, Orestit, Andromakës, Kasandrës, Orfeut, Eumenideve e shumë të tjerë. Duket se asgjë nuk ka lëvizur që prej më shumë se dy-tre mijëvjeçarë. Po ata të nënshtruar, uzurpatorë, mbretër e perandorë dhe nxitës të luftrave. Këto dy traktate të Senekës janë padyshim mësimi më i mirë për të kuptuar botën e njeriut : « Kush nuk dëshiron të jetë i lumtur ? – pyet Seneka, – por kur duhet përcaktuar se çfarë e bën njeriun të lumtur, të gjithë nuk arrijnë të thonë të njëjtën gjë dhe humbasin në gjykimet e tyre. » Për Senekën, te jesh i lumtur do të thotë ti adoptohesh natyrës, të pranosh ligjin e natyrës dhe shëmbullin e saj. Jeta e lumtur nuk është veçse një përshtatje me natyrën. » Por siç dijmë, shpesh njeriu detyrohet të nënshtrohet dhe të bëhet instrument apo vegël në luftrat e princave apo prijësve për pushtet. « Një nga detyrat e para për të qenë i lumtur, shkruan Seneka – është të mos ndjekim të tjerët si puna e dhenve, pra e tufës që nuk shkojnë atje ku duhet por thjeshtë aty ku shkojnë të tjerët. Pasi s’ka mjerim më të madh se sa të qëndrosh konform i asaj që thuhet në publik, duke menduar se zgjidhja më e mirë është ajo që ka bërë shumica. Kjo” do të thotë të jetosh jo me arësye por sipas frymës së imitimit. Dhe kështu njerëzit nxitojnë njëri pas tjetrit në rrëmujë. Dhe ndodh që me turmën e kapur në makth njerëzit të shtypen, pasi ai që bie tërheq me vete të tjerët.”
Këto dy traktate janë padyshim jo vetëm rezultat e përvojës njerëzore por dhe i kurajos për tu kërkuar njerëzve që të mos shkojnë qorrazi në jetën e tyre, duke ndjekur turmat. Dhe dihet, ka qenë gjithnjë turma e cila ka qënë jo rrallë shkatërruese. Dhe Seneka shkruan sërish: “Ne shërohemi (dhe shkojmë drejt lumturisë) veçse nëse dallohemi nga uniformiteti (“Sanabibur, si medo separerum a coetu”). Jeta është e shkurtër thotë Seneka, diçka që e dimë të gjithë por që shpesh e harrojmë duke patur ndjesinë e përjetësisë. Aq më shumë pushtetarët, të djeshëm e të sotëm. Edhe kur kthehemi nga varrezat dhe kthjellohemi për një çast lidhur me ekzistencën tonë, ne përsëri e harrojmë që jemi të vdekshëm dhe çdo çast që jetojmë ështê jo më e tashme, por e kaluar. Ne nxitojmë drejt kohës që mbaron për secilin nga ne. “Njeriu që rend drejt bollëkut dhe voluptetit apo lavdisë kujton që jeton në botën e virtutit, por kjo nuk ndodh kur je në moshë të thyer apo i sëmurë, kur e kupton që gjithë kjo rendje është diçka e kotë…” C’thonë vallë njerëzit e pangopur nga pasuria në fundin e jetës së tyre, atëherë kur drita po shuhet dhe mbi ta ?
Lexon Senekën dhe e kupton se ajo që e bën njeriun të lumtur nuk janë shkëlqimet, narcizmi, kamja, pasuria, pushteti që të nxit për më shumë pushtet por pasuria shpirtërore. “Kur natyra do ta shuajë frymën time, – shkruan Seneka, – unë do iki nga kjo botë me ndërgjegjen se kam dashur të kem një ndërgjegje të pastër, ajo e interesave të ndershme dhe se liria e të tjerëve nuk është cunguar aspak për fajin tim.” Dhe më tutje ai shton dhe mbi atë shtresë të caktuar të të diturve, elitës, letrarëve dhe shkencëtarëve, se “filozofi apo njeriu i ditur mund të kenë pasuri por kur kjo nuk i është marrë një tjetri dhe nuk është njollosur nga gjaku i tjetrit. Ajo mund të fitohet pa bërë padrejtësira ndaj dikujt dhe pa përfitime të mbrapshta…” Ai, filozofi, njeriu i ditur, mund tu japë njerëzve të tjerë nga ajo që ai ka, qê ata të bëhen dikush… tu japë njerëzve më të denjë, për motive të drejta dhe të kuptueshme. Natyra më urdhëron që të jem i nevojshëm për njerëzit e lirë apo skllevërit kudo qofshin ata. Kudo ku ka një njeri ka vend për të dhuruar dhe qenë solidar…”
Ja pse për Senekën që të jesh i lumtur do të thotë të jesh i drejtë dhe solidar e akoma më e rëndësishme për njerëzit që luftojnë për drejtësinë dhe kur vetë ata mund të cënohen, blasfemohen, të burgosen apo të vriten. Të jesh i lumtur për Senekën do të thotë të jesh bujar dhe akoma më e rëndësishme të jesh njeri me karakter: të mbrosh dinjitetin e vetvetes. Duke shkruar për njerëzit që mbrojnë drejtësinë, kur luftojnë për të dhe kur vetë ata mund të cënohen, të burgosen apo të vriten Seneka nuk mungon të sjellë dhe shëmbullin e Sokratit grek për të mbështetur kurajon që duhet të ketë njeriu për të mbrojtur dinjitetin e tij. “Nga ai burg që e kishte shenjtêruar atë dhe e kishte bërë akoma më të nderuar se gjithë paria e qytetit, Sokrati proklamonte: “Cila është ajo çmenduri, cili është ai instinkt armiqësor i hyjnive dhe i njerëzve që të shpifë kundër virtutit dhe gjërave të shenjta përmes fjalimeve të poshtra. Nëse doni, ju njerëz mund ti lëvdoni ata, në mos, o njerëz të mirë hidhuni njëri kundër tjetrit, pasi nëse prrallisni dhe ju kundër qiellit unë nuk them se po bëni një sakrilegj por thjesht po humbni kohën tuaj. Edhe unë dikur i dhashë shkas Aristofanit për të bërë shakara. Gjithë klika e poetëve komikë prrallisën kundër meje duke thënê nga më tê këqiat… Por ishte e nevojshme që të më cytnin, harselonin, dhe këtê askush nuk mund ta kuptojë më mirë se ai që e provon këtë dhunë të turmës, pasi asnjë nuk e njeh forcën e sileksit veç atij që e punon atë. Ai tregohet njëlloj ndaj shkëmbenjve të thellësive të detit, ndaj dallgëve që shkojnë e vijnë dhe e godasin, por ato s’mund ta trondisin dhe shkatërrojnë atë. Sulmomëni, bëmëni keq! Unë do të fitoj mbi ju duke ju përballuar. Gjithçka që sulmon mbi një pengesë solide dhe të patundur, forcën e saj e përdor veç për të shkatërruar vetveten…”
Lexon Senekën sot pas dymijëvjetësh dhe kur ai flet për mbrojtjen e dinjitetit të kujtohen gjithë ata që kanë vdekur për dinjitetin e tyre dhe në kohën totalitare. I imagjinoj ata gjithnjë në “undergrand”-in e tyre të zymtê të qelive dhe burgjeve ku të dënuar për fjalën e lirë, e vetmja gjë që i bënte të lumtur ishte ndërgjegja e tyre, ishte ajo që ata nuk e ndoqën turmën por propozuan ide e projekte të reja, të tjera nga ato të liderëve. Ishte ky princip që ata nuk e shkelën dhe që ata e mbrojtën deri në fund. Një princip i lumturisë. Në dukje, gjatë gjithë historisë, shpesh princat shfaqeshin të lumtur, por në thellësi të tyre, etja për pushtet e territore te tjera apo pasuri, i bënte ata mjeranët më të mëdhenj dhe më tragjikët e të gjithë kohrave, njerëz që nuk e gêzuan jetën tokësore. Ishin makthet që nuk i lanë të shijojnë jetën e lumtur për të cilën na flet Seneka i madh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *