Gruaja misterioze,tregim nga Ervin Nezha

Ditët e fundit të jetës, plaku Ismail i kaloi mes dhimbjeve dhe agonisë në kasollen e tij, që ngrihej rrëzë një pylli të vogël gështenjash. Pranë iu gjend vetëm i nipi, Asimi. Tjetër njeri të afërm nuk kishte. Në fakt kishte dhe nuk kishte, sepse ditën që e kuptoi se do t’i dorëzohej vdekjes, e urdhëroi të nipin të zbriste deri në qytet për të kërkuar një grua me emrin Smeralda. I dha me vete edhe një pusullë, ku shkruante për gjendjen shëndetësore, dhe e porositi t’ia dorëzonte asaj në dorë. Djali që i bindej si qeni të zotit e asnjëherë nuk ia bënte fjalën dysh, e përshkoi udhën me merakun në zemër, se e pati lënë gjyshin duke lënguar në shtrat fill të vetëm. Asimi ishte djalë i ndjeshëm. Mungesën e inteligjencës natyra e kujdesshme ia kishte zëvendësuar me të tjera dhunti. Gjyshin e donte fort, sepse e kishte rritur, ndërsa prindërit nuk i kishte njohur kurrë. Ata kishin vdekur herët dhe dashurinë e tyre e kishte derdhur të gjithën për plakun. Nga ana tjetër, gjyshi e pati edukuar për të qenë një bujk i mirë. Djali u rrit i fortë. Trupin e kishte të bëshëm si anak. Tiparet vërtet i kishte të çrregullta, por sytë e zinj e të menduar ia lehtësonin vrazhdësinë e fytyrës.
Udhën e përshkoi pa u ndalur. Në qytet arriti më shpejt seç mendonte. Në fillim u hutua, ca nga pamja, sepse nuk kishte parë kurrë qytet. Ky qe një qytet i vogël dhe shumë i shëmtuar, i vendosur me shpinë nga rrjedha e gjerë e një lumi me ujë të ndotur.
Djali e shtrëngonte në duar letrën e gjyshit si diçka të shtrenjtë, pavarësisht se nuk dinte ta lexonte. Aty qe shënuar edhe adresa e shtëpisë që po kërkonte. Një tregtar peshku, që vuri re hutimin e djalit, e orientoi të ndiqte një udhë të ngushtë e plot kthina. Era e urinës që kutërbonte në ajër, të shponte flegrat e hundës. Aty ku rruga mbyllej, ngrihej si ngrehinë një pallat i pasuvatuar, me tulla të kuqërremta. Këtu duhej të jetonte znj. Smeralda, sipas adresës. Gjyshi i kishte thënë se ajo e kishte shtëpinë në katin më të sipërm. Asimi u ngjit nëpër shkallë dhe trokiti në portën e një apartamenti që ndodhej pikërisht në katin e fundit të ndërtesës. Derën e hapi një grua, që me vështirësi qëndronte në këmbë. Ajo qe rreth të shtatëdhjetave, me pamje të drobitur dhe kishte një fytyrë mjaft të zbehtë. Djaloshi buzëqeshi dhe i zgjati pusullën. Gruaja e mori në duar. Një hije trishtimi si vel i ra në fytyrë, kur e përfundoi së lexuari. E futi djaloshin brenda dhe e gostiti me një filxhan çaj të nxehtë. I gjithë apartamenti i saj qe mbuluar nga pluhuri dhe pezhishkat e merimangave vareshin gjithandej. Mobiliet e kishin humbur atë lustrën e dikurshme dhe lagështia kishte nisur t’i buhaviste. Dukej sikur askush nuk kishte jetuar aty për një kohë të gjatë. Gruaja e vuri re hutimin e mysafirit, por nuk u shpjegua aspak. I kërkoi me mirësjellje ta priste sa të bëhej gati dhe udhën për te gjyshi i tij ta hiqnin bashkë. Asimi e priti gjatë dhe, më në fund, nga ankthi që ndiente se mos gjyshin nuk do ta gjente gjallë nëse vonohej më shumë, durimi iu sos. E thirri gruan, por askush nuk u përgjigj nga dhoma tjetër. Në shtëpi nuk lëvizte asgjë. Atëherë shkoi ta kërkonte. Hapi dyert e dhomave me radhë dhe, për çudi, kuptoi se ndodhej i vetëm në shtëpi. Ndoshta ajo kishte dalë nga dera e jashtme pa u ndier. Mendjen e kishte të kthjellët dhe nuk i kujtohej të kishte dremitur, edhe pse udha e pati dërrmuar. Nuk kishte çfarë të bënte më aty. Zbriti shkallët me shpresën se do ta shikonte në ndonjë kthinë të qytetit. U vërdallos gjatë dhe u bind të linte qytetin, pasi mundësitë për ta gjetur qenë të pakta.
***
Kur mbërriti në fshat, dielli qe rrëzuar pas faqes së malit. Tymin e oxhakut të kasolles e dalloi prej së largu. Dukej se gjyshi ende nuk kishte vdekur, sepse kur u afrua dëgjoi zëra. Dikush i kishte hedhur dru zjarrit dhe po kujdesej për të, sepse ai vetë nuk mund ta bënte diçka të tillë. Hapi derën dhe sytë e tij u kryqëzuan me sytë e qelqtë të gruas, të cilën e pati takuar në qytet. Ajo po qëndronte mbi kryet e plakut dhe mundohej që, përmes një tasi, t’i jepte diçka për të pirë. Nën dritën e zbehtë të llambës së vajgurit, fytyra e ashpër e plakut dukej e lumtur. Mollëzat e faqeve i qenë ngritur lart dhe një buzëqeshje e ëmbël i qe stampuar në fytyrë. Edhe gruaja dukej e lumtur. E mëkonte sikur të qe një foshnjë. Sapo vuri re djaloshin, ajo buzëqeshi, por nuk foli. Ndërkohë që edhe plaku po e vështronte të nipin që u fut brenda. Befas ai u prish në fytyrë dhe një kollë e rëndë po ia nxirrte brinjët nga vendi. Gruaja e vuri re këtë gjë, ia largoi tasin e çajit nga buza dhe diçka i foli në vesh. Plaku ngriu në vend. E vështroi me sy të llaftaruar sikur në atë moment të kishte parë vdekjen me sy dhe vari kokën. Fytyra i mori ngjyrën e gëlqeres, frymëmarrja iu rëndua dhe nuk u përmend më. Kishte dhënë shpirt. Gruaja i hodhi një vështrim plot keqardhje, pastaj drejtoi sytë nga djaloshi, që vdekja e gjyshit e kishte tronditur thellë. Ajo sërish nuk foli. Vetëm e vështronte. Kishte diçka të akullt në atë vështrim dhe Asimit i kaloi një rrëqethje nëpër trup. Ai vazhdonte të qëndronte te dera si guhak dhe nuk mundej të bënte asgjë.
***
Tërë mbrëmjen ajo qëndroi mbi kokën e të vdekurit. Brenda kasolles ndriçonte vetëm flaka e kandilit dhe e kuqja flakëruese e zjarrit, që i binte të vdekurit mbi fytyrë. Asimi u rrënqeth nga kjo heshtje. Mbështeti njërin nga bërrylat mbi hasrën e kashtës, mbuloi fytyrën me duar dhe u mundua të dremiste pak. Kur u dëgjua kënga e gjelave, ndjeu një dorë që e preku në sup. U ngrit nga shtrati, sepse gruaja i bëri me shenjë ta ndiqte pas.
– Tani është koha, – tha, – duhet ta varrosim në pyll.
Ishte hera e parë që ia dëgjonte zërin e saj të plotë. Ai qe një zë i dobët, sikur të vinte nga fundi i dheut. Djali e pa me mosbesim, por nuk gjeti forcë ta kundërshtonte. Trupin e të vdekurit e vendosën mbi një karro të dystë me rrota të mëdha, që përdorej për të transportuar rrepa. Nata ishte plot dritë. Një yll i shëndoshë shfaqej fare pranë hënës. Gruaja ndriçonte udhën përpara me llambën e vajgurit në dorë, ndërsa djali tërhiqte karron dhe e ndiqte nga pas. Rruga erdhi dhe u bë e përpjetë dhe pesha e karrocës po i mundonte muskujt. Atëherë gruaja ndaloi. Ndaloi edhe karroca. Gruaja qëndroi mbi një lëndinë të vogël. Uli kokën, rrasi veshin pas dheut, sikur do të përgjonte tokën dhe vendosi për vendin. Djali mori nga karroja një lopatë të shkurtër dhe filloi të gërmonte, duke e nxjerrë dheun sipër. Pas një ore gropa qe gati. Gruaja mërmëriti mbi trupin e të vdekurit ca lutje, me një gjuhë që nuk kuptohej dhe pastaj zuri ta mbulonte me dhé. Ndërkohë, Asimi rendi përposh një ledhi, për të gjetur një gur të gjatë, që ta vendoste si shenjë mbi varr. Kur u kthye, vuri re se e huaja nuk ndodhej aty. Asimi u frikësua, filloi të rendte pa drejtim dhe për pak sa nuk shkeli mbi gropën ku qe mbuluar i vdekuri. Në pyll ishte errësirë, megjithëse mundi të arrinte te kasollja dhe u shtri të flinte.
***
Ngjarja në pyll e tronditi aq shumë, sa s’i hiqej nga mendja për ditë me radhë. Donte me patjetër ta njihte atë grua. Ndaj një ditë vendosi të zbriste sërish në qytet. U gjend para derës së apartamentit, ku kishte takuar për herë të parë të panjohurën. Trokiti, por dera nuk u hap. Trokiti më fort, por sërish derën nuk e hapi askush. Kur zbriti nëpër shkallë, vuri re një teknik që po riparonte një saraçineskë të dëmtuar në murin e sheshpushimit të shkallëve. E përshëndeti dhe nuk nguroi ta pyeste për banoren misterioze të katit të sipërm. Burri buzëqeshi, pastaj mori një pamje serioze dhe i dëfteu se ai ishte nipi i saj dhe po bëheshin gati tre vjet që ajo kishte vdekur. Këto fjalë e rrëqethën. Fytyra e Asimit u kapit vrikthi, pastaj erdhi dhe u bë e bardhë gëlqere, njësoj si fytyra e plakut, kur gruaja i pëshpëriti në vesh…
Të vdesësh nën diell -Albas


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *