Çfarë i motivon të rinjtë shqiptarë? A vuajmë për modele të pastra dhe frymëzuese?

Ambra Hysa 
Në sytë e të rinjve kam lexuar shpresën, zjarrin, dëshirat dhe endrrat që i përvëlohen në shikim, energjine, kurajon dhe forcën…megjithatë entuziazmi i tyre ngjitës sa vjen dhe fiket e ndoshta për këtë arsye sytë i mbeten jashtë kufinjve, shikimi larg, përtej vëndit tonë…me shpresen se atje do të krijojnë jo vetëm një të ardhme më të mirë por do të marrin me vete një “vete” tjetër.
Burimet e frymëzimeve janë shumë me rëndësi për rininë, modelimi është pjesë e zhvillimit e cila mungon ose na vjen në shëmbuj suksesi që arrihen brënda nates.
Të rinjtë të gjëndur para modeleve të tilla të cilat serviren kryesisht nga mediat apo televizionet, synojne suksesin e shpejtë, të rrëmbejnë frytet e tij pa e njohur vështirësine dhe punën e vërtetë. Kjo mendësi e gabuar po trajtohet si një mendësi normale, vrasëse e çdo motivi dhe kuptimi, prodhuese e zhgenjimeve të njëpasnjëshme.
Suksesi i vërtetë nuk ka ashensor, por ne kemi nevojë ta shohim më shpesh këtë, publiku mund të edukohet nëpërmjet medias.
Kemi nevojë të shohim të rinj të talentuar të cilëve u jepet hapësira mediatike, mundësitë për të shpalosur talentet e tyre, për të përcjellë autencitet, një frymë të re, vizion dhe këmbëngulje.
Kemi nevojë për vërtetësi, për njerezit e thjeshtë që kanë problematika të ndryshme por në fund ia dalin, pa ndihmën e askujt, pa bërë kompromise.
Kjo nuk është e pamundur, jam e sigurt që edhe ju jeni të rrethuar nga njerëz të bukur dhe frymëzues të cilët nuk e kanë nje zë dhe mundësinë për të ndarë historinë e tyre.
Ata, me të gjithe shqetësimet e jetes së tyre të përditshme, pa lustra dhe pa asnjë filtër, në perpjekje të vazhdueshme për të dashur veten dhe të tjerët, janë njerëzit më frymëzues që unë kam njohur!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *