Butrinti në pritje të sezonit turistik, mbi 2700 vizitorë në 2 muaj

Ministria e Kulturës bën me dije se vetëm dy muajt e parë të këtij viti Butrintin e kanë vizituar 2753 vizitorë. Përmes një videoje të publikuar me pamjet të parkut kombëtar të Butrintit, Ministria e Kulturës pohon se përgatitjet për sezonin turistik vazhdojnë. “Butrinti në pritje të sezonit turistik. Vetëm dy muajt e parë të vitit 2018 kanë prekur qytetin antik të Buthrotos 2753 vizitorë, ndërsa përgatitjet për sezonin parashikojnë një bum turistësh, që çdo vit e më shumë mrekullohen nga qyteti që mbijetoi me ekzistencën e tij, që nga krijimi në shekullin 8 para Krishtit”, shkruan ministria në Facebook. Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues për monumentet e kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, “Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore”.

Parku kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra. Krijimi i Parkut Kombëtar u bë një domosdoshmëri, sipas specialistëve, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit, për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve të zbuluara në këtë vatër të qytetërimit antik, si dhe për një menaxhim më efektiv, duke reflektuar edhe rekomandimet e UNESCO-s të vitit 1997. Në këtë kuadër u krijua edhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Butrintit, për menaxhimin dhe ruajtjen e vlerave të parkut, politikat që aplikohen dhe kontrollohen nga ministria. Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *