Një shoqëri gjelash, pulash dhe veza!

Nga Jonida Hitoveizi

Veza është shpikja e re e protestës politike në Shqipëri, përdorimi i së cilës tani po bëhet qesharak dhe e ka humbur fuqinë e një gjesti fyes.
Kemi parë lloj lloj skenaresh në këtë vend dhe asnjëri prej tyre nuk ka lodhur mjaftueshëm, sa të paktën të tregojmë një lloj indiference e të kuptojmë se ka një jetë tjetër veç politikës. Televizionet tona mbahen më këmbë vetëm e sidomos prej transmetimeve live të mishmashit politik dhe gallatës politike në vend. Një ditë mora taksi për në një takim pune dhe në radio po dëgjoja live parlamentin. Ishte ende mëngjes me orën e një gazetari dhe e pyeta taksixhiun: Pse i dëgjon, nuk të lodhin. Pse nuk dëgjon muzikë?-Më pëlqen kur shajnë njëri-tjetrin. Është gallat, – tha. E qepa gojën dhe nisa të mendoja për kënaqësinë që marrim të gjithë kur shohim të tillë skenarë, në pritje të një agravimi të mundshëm të situatës. E kam parë këtë në redaksi lajmesh, e kam parë në lokalet  ku live transmetohet seanca e radhës, e shoh edhe tek të afërmit e mi në periferi të Shqipërisë që janë njëlloj të sinkronizuar me të njëjtën gjë. Sigurisht ne e kemi provuar që kjo lloj gallate, në fund na ka bërë vetëm ne për të qarë si popull, si shoqëri, si qytetarë, si idealistë, por prap, siç duket prej sindromës së Stokholmit, nuk kemi forcë ta ndalim e mos ta adhurojmë dhunuesin.
Ndaj kur pashë sot “fluturime” vezësh aty ku disa njerëzve u kemi dhënë besim të na udhëheqin për në Evropë, pashë thjesht gjela që zihen me njëri-tjetrin për “pulën e radhës”. Ndërsa pulat e plakura(shoqëria shqiptare) pret me kërshëri, e mbërthyer në një kotec të qelbur glasash se cili gjel do të fitojë ndeshjen e ditës. Dhe në fund duartrokitje, ca kokrra misri do hidhen diku, që askush mos të kakarisë më, ose që të paktën kakarisja të jetë e mirëdirigjuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *