Anije të humbura dhe standarde që të trazojnë stomakun!

Nga Jonida Hitoveizi

Gjithë bota duket se po mban frymën rreth misionit të shpëtimit që po zhvillohet mes SHBA-së dhe Kanadasë, në gjetjen e nëndetëses Titan me 5 milionerë në bordin e saj. Kërkim nga ajri, nga deti, nga thellësia, kërkim kudo. Emisione, lidhje live, komunikim orë pas ore. Gjithë vëmendja mediatike aty, mediat më të mëdha të botës po mbajnë pezull ndjekësit e tyre me përditësime mbi Titanin e Titanikun. Miliona dollarë shpenzime për 5 persona të cilët me vetëdije kanë ndërmarrë një aventurë që edhe mund të mos i kthente më kurrë në Tokë.

Nga ana tjetër, qindra-mijëra human të tjerë, fundosen në kërkim të një jete më të mirë, të një “kepi shprese”, në mes të Mesdheut, teksa për mbi 7 orë asnjë roje bregdetare nuk u shkon në ndihmë, nuk kërkon ndihmë për ta. Ftohtësisht, shohin sesi këta njerëz që me siguri u duken si miza nga dylbitë e tyre, i përpin deti dhe nuk lëvizin as gishtin. Zoti i Niçes ka vdekur për të zgjuar sadopak mëshirë ndër ta. Mbi 100 fëmijë, ndoshta më shumë se aq u mbytën në mes të detit kur anija me të cilën udhëtonin u fundos në ujërat greke. Fëmijë, të cilët në atë që duhet të ishte udhëtim për jetën, mësuan se deti nga aq i bukur kthehet në përbindshib më të keq, errësirën më të madhe. Të drobitur nga rruga e gjatë, ata ndoshta nuk e kanë kuptuar fare se si deti i ka tërhequr fort nën peshën e tij, për t’i larguar përgjithmonë nga lodrat dhe kënaqësitë e vuajtjet që duhet të provonin në këtë botë.

Këta fatkeq, të varfër, kushedi me sa ëndrra e shpresa me vete (pesha e tyre me siguri i fundosi) bota i pa ftohtësisht se si po vdisnin dhe nuk bëri asgjë. I sheh përditë. Dhe trupat që merr deti, thjesht i fut në statistikat e dosjeve ku ka veç numra. Të trazojnë fort stomakun këto standarde perëndimore. Standarde që do ta çojnë këtë qytetërim tek ajo që Martin Luther King ka thënë se : ” nëse nuk do mësojmë të jetojmë të gjithë bashkë si vëllezër, do vdesim të gjithë si budallenj”.
Apo siç nobelsitja franceze Annie Ernaux shkruante në një analizë të saj gjithë kjo “Heshtje është çnjerëzore!” Sot më shumë se kurrë duket se po jetojmë në një epokë ku dehumanizimi i rracës njerëzore nuk ka qenë kurrë kaq evident, kaq dominant dhe kaq zotërues i gjithë hapësirave të komunikimit. Kaq i prekshëm, një holokaust i ri. Ama nëse gjejnë Titanin, do shkundim pendët e krenarisë si gjela, se sa shumë kemi ecur në teknologji, se çfarë mundemi të bëjmë sot. Mund edhe të bëjmë, vetëm se ndërgjegja e të gjitha arritjeve mban brenda saj kaq shumë trupa fëmijësh, kaq shumë dhimbje, kaq shumë gjak!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *