Fëmijë, gra dhe epidemia e dhunës!

“Pse u bëmë të verbër?

– “Nuk e di, ndoshta do ta zbulojmë një ditë arsyen. Do të ta them se ç’mendoj unë? Unë mendoj se nuk u bëmë të verbër, se ne ishim të verbër. Të verbër që shohin, të verbër që, duke parë, nuk shohin”. José Saramago 

Jonida Hitoveizi

Një adoleshent i vrarë! Një fëmijë i dhunuar në mënyrë makabre në mes të rrugës nga nëna e tij! Një grua e vrarë nga kunati se nuk i hapi telefonin!

3 viktima, me vetëm disa orë distancë nga njëra-tjetra. Të pambrojtur dhe tërësisht të ekspozuar ndaj dhunës. Ngjarje, që si shumë të tjera do të kalojnë kryesisht me ca tituj e dëshmi për konsumizmin dhe klikimet që ka nevojë media, derisa të ndodhë ngjarja e radhës. Reagimi për përmirësim e reflektim, i ngjan ardhjes së tartarëve që priste Xhovani Drogo. Ndoshta do të duhen disa dhjetëvjeçarë që “tartarët” e ndërgjegjies sonë sociale të shfaqen, ose ndoshta kjo nuk do të ndodhë kurrë. Duket se shoqëria shqiptare ka zgjedhur të heshtë përballë gjtithçkaje, aq sa në panoramën e gjerë të së gjithës vështirë të dëgjosh ndonjë zë. Sy mbyllur!  Dëshmitarët që shihnin sesi një nënë godiste si të ishte një pushtuese vandale me shkelma në trup fëmijën e saj, dukeshin krejt të pashqetësuar, thua se aty po ndodhte një akt dashurie e përkujdesjeje. Askush nuk bëri sikur një gjest të vogël që të frenonte atë lloj agresioni. Thua ajo skenë po na servirej nga një zonë në konflikt, ose nga kampet e ISIS. Më shumë sesa dhuna makabre ndaj një fëmije, krejt i paaftë për të mbrojtur veten, po aq therëse ishte ndjesia që përcillte ajo indiferencë e frikshme. Të gjithë aty përreth ishin të verbër. Po aq i verbër ishte edhe komuniteti në Gramsh, aty ku askush nuk i kishte parë thikat me të cilat ishin pajisur 14-15 vjeçarët, ende pa iu ndërsitur qimet në fytyrë. Thika të cilat i morën jetën një fëmije që ende nuk e kishte nisur jetën. Disa thanë se ai kishte zgjedhur të mos mbyllte sytë kur shokët e tij po ziheshin, ndaj ata e vranë. Ama thikat nuk i kishin parë prindërit, shokët, mësuesit, shitësit ambulant pranë shkollës. Të gjithë me sy të fashuar, duke  ushqyer nevojat e përditshme bazike pa ngritur kokën lart për të shquar gjë.

Askush nuk kishte mundësi të shihte se çfarë ndodhte prapa dyerëve të familjes ku kunati vrau kunatën, sipas dëshmive, sepse ajo nuk i hapi telefonin.

Askush nuk dinte çfarë ndodhte me familjen shqiptare në Itali, ku burri vrau vajzën e tij, sepse dyshonte se e tradhtonte gruaja. Një shtëpi që ishte e monitoruar me kamera, pasi sipas gruas babi ishte edhe abuzues seksual ndaj së bijës. Këtu pastaj kishte një lloj psikologjie turme krejt të pazakontë. Komentet në rrjet ishin të pakomentueshëm. Njerëz që fajësonin nënën si nxitëse të aktit që babi kreu ndaj vajzës. Ky pastaj është një cikël tjetër absurdi.

Kështu nis verbëria! Nuk i kap të gjithë në të njëjtën kohë, por njëri pas tjetrit. Si tek romani i Jose Saramangos, ku pasi epidemia krejt e pazakontë e verbërisë së “bardhë” ua merr sytë të gjithëve në qytet, ajo çka mbetet pas është  shpërbërja totale e shoqërisë. Një skenë apokaliptike, ku njerëzit nuk janë më njerëz. Nuk ka më ligje, nuk ka më empati. Gjithça ia ka lënë vendin dhunës, sëmundjeve e dëshpërimit. Nevoja bazike thjesht për të ngrënë është ajo çka mbizotëron.

Shoqëria jonë nuk është shumë larg kësaj skene. Ne me vetëdije përditë zgjedhim të jemi indiferentë, shpesh t’i nxjerrim sytë me dëshirë për të mos parë, për të mos folur për rrjedhojë edhe për të qenë krejt të paralizuar për çdo lloj reagimi. Institucionet janë ngrehina të braktisura nga çdo përgjegjësi apo veprim, sidomos kur vjen puna tek dhuna në familje, abuzimi ndaj fëmijëve, fenomene të cilat në shoqërinë tonë janë një gangrenë që ushqehen vrullshëm me të keqen që na ka pushtuar.

Jemi të gjithë pjesë e një karantine, ku me dëshirë i jemi dorëzuar verbërisë.

Ndoshta një ditë dhe ne si shoqëri do ta kuptojmë se nuk duhet të qëndrojmë më të verbër e sytë do nisin të na kthehen pak nga pak. Ndoshta secili prej nesh do të nisë t’i grisë pak nga pak perdet. Për të mos mbetur “Të verbër që shohin, të verbër që, duke parë, nuk shohin”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *