Për të mos u parë më në gjyq!

 bigmediaShout e ndryshme që shfaqen në televizione në shumë raste janë një mashtrim, pasi aty zgjidhen njerëz që të na tregojnë atë që janë mësuar të thonë. Në ekranet tona,  sidomos në pjesën e spektaklit, ajo që shitet është më shumë sesa e tillë. Shpesh është vetëm fasadë e zgjedhur me qëllim të qartë: njerëz “të bukur” kuruar në detaje, ndërhyrje kirurgjikale, veshje që ua përballon xhepi vetëm 2% të shikuesve, tema që i drejtohen po kësaj përqindje: ku të kalojmë pushimet, si të argëtohemi, çfarë të veshim për të qenë…., si të kurohemi për t’u bërë…. etj”.

Orientimi i shumicës së emisioneve stil shou, të vjedhura nga formate gjigande dhe shoqëri shumë më të përparuara e me mirëqënie se kjo e jona, shpesh të futin në qorrsokak, shpesh të lënë shije jo të mirë, e shpesh ti thjesht sheh sesa e pavërtetë është ajo që të shitet e nis të duket vetja si një idiot që po harxhon kohën kot para asaj kutisë së vogël nga njerëz të ndryshëm qeshin, qajnë shtiren, shiten, blihen etj.

Por ndodh që gjithë këto “vezullime” ndonjëherë kalojnë çdo limit, sidomos kur vjen puna tek vendi ynë, që nga mbetur në anën tjetër të lumit të tranzicionit, që s’po e kalon dot.

Prej dy ditësh bota e internetit “është mbërthyer” pas rastit të nënë Feridesë, së cilës, pas një sherri të rëndë me të birin në “Shihemi në gjyq” në Tv Klan, i ra të fikët po aty.

Duke mos i hequr asnjë pikë as presje, rëndësisë që ka ndërmjetësimi, për arritjen e marrëveshje për pronat e më shumë se kaq, “ndërmjetësimet” në televizione në orare që ato shihen nga grupmosha të ndryshme, është një ndër gabimet më të mëdha që mund të bëjë një media. “Shihemi në gjyq”, i përshtatur sipas një programi televiziv italian, nuk mundi ta menaxhojë situatën ndërsa publiku në studio dhe ata që ndiqnin nga ekrani panë një skenë të rëndë, që mund edhe të ishte evituar.

Ka njerëz, që iu gëzohen skenave të tilla, kur u ndodhin para syve, ka të tjerë që bëjnë tifo, që ekzaltohen etj. Ka të tjerë, që ju qëndrojnë larg, e kështu me radhë.

Mes shumë mënyrave për ta bërë për vete audiencën, mediat shqiptare kanë vendosur ta ushqejnë atë, jo me cilësi, por me “mallra” të skaduara, që shpesh merren nga Perëndimi.

Në mos është humori banal që transmetohet në disa programe, janë histori si kjo: problemet e zakonshme që mund të zgjidhen me një gjuhë tjetër, apo të paktën të tentohet kjo gjuhë, pasi kemi parë mjaft nga shembujt negativë dhe besoj se jemi në fazën që nuk kemi më nevojë për dhunë, dhimbje dhe mërira familjare, të cilat kanë shkaktuar viktima në këtë vend ndoshta dhe më shumë se aksidentet e ndoshta dhe më shumë se audienca.

Misioni i zgjidhjes së problemeve kthehet në prodhues problemesh, pasi shembulli që i jepet shoqërisë është i dëmshëm dhe kjo vetëm se skena të tilla shpesh lihen enkas për audiencë, për bujë.

Biem dakord parimisht që këto janë ndodhi reale, por çfarë duhet të presim? Mos duhet vallë të shohim në ekran sesi djali dhunon nënën, burri bashkëshorten, vjehrra nusen, apo sesi fqinji fyen komshiun e tij?

Nëse do të katandisemi derisa të organizojmë dhe ndonjë vrasje live për hir të audiencës ky është tjetër muhabet.

Dikush duhet të nisë të kuptojë se jeta e njerëzve hallexhi, me probleme, vuajtje e varfëri nuk është aq shou. Dhe siç zonja Eni Çobani ka thënë pas historisë për Opinion.al, lihet të kuptohet se gjëra të tilla mezi pritet të ndodhin, pasi sa më dramatike situata, aq më shumë shikues e zhurmë,e  aq më shumë shpërqëndrim nga thelbi i problemit. “Na la pak të mendonim për pjesën ligjore, sepse në situata të tilla përfshihesh shumë emocionalisht”. Redaksionale

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *