Skënderbeu në 37 libra unikë, ekspozohet koleksioni i rrallë me botimet të Shek. XVI

Në kuadër të “Javës së Europës”, Muzeu Historik Kombëtar organizon një ekspozitë mbi figurën e Heroit Kombëtar, i cili ka tërhequr vëmendjen e historianëve, por edhe të shkrimtarëve evropianë përgjatë shekujve. Një numër shumë i madh autorësh, të epokave të ndryshme historike dhe rrymave të ndryshme letrare, i janë përqasur kësaj figure duke krijuar një mori veprash të gjinive dhe lloje të ndryshme letrare. Muzeu Historik Kombëtar çel ekspozitën me koleksionin e Patricia Nugee, i cili përbëhet nga 37 libra unikë. Pjesa e koleksionit të shek. XVI paraqet 12 libra të botuar në mes viteve 1510 dhe 1597. Nëntë prej tyre janë botime dhe përkthime të veprës së Marin Barletit, priftit katolik nga Shkodra, i cili u largua nga qyteti i tij dhe jetoi në mërgim në Itali pas pushtimit osman. Koleksioni fillon me botimin e vitit 1510 të Barletit, me titull “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, Princit Epirot”. Librat e këtij koleksioni janë botuar në Romë, Augsberg, Strasburg, Venecia, Frankfurt, Londër, Lisbonë, Madrid etj. Një botim i rrallë është libri me autor Dhimitër Frangun, i botuar në Venecia më 1584. Koleksioni i shek. XVII sjell një pasuri të botimeve për heroin tonë kombëtar.

Në këtë shekull Skënderbeu shfaqet në disa vepra të këtij koleksioni të rrallë. Mund të përmendim të parën poemë të shkruar për Skënderbeun nga Margherita Sarrochi, e botuar në Romë në vitin 1606 dhe ribotuar në Napoli 100 vjet më vonë; poezitë e Busier-it botuar në Lion, poezitë e fisnikut dhe komandantit ushtarak, Luis de Meneses, viti 1688, botuar në spanjisht dhe portugalisht. Një perlë në koleksionin e znj. Nugee është fjalori i parë shqiptar, një fjalor latinisht-shqip i Frang Bardhit, i botuar në Romë në vitin 1635. Kapitulli i fundit është një koleksion prej 11-faqesh të proverbave shqiptare. Librat e shek. XVIII na çojnë në një udhëtim kulturor në Paris, Amsterdam, Londër, Brescia, Stokholm etj. Jeta dhe veprat e Skënderbeut u kthyen në frymëzim jo vetëm për historianët që studiojnë atë, por edhe për dramaturgët dhe gjinitë e tjera të artit. Skënderbeu i William Havard (1733) ose “Dashuria dhe Liria” (1747) e Thomas Whincop, u publikuan në Londër në këtë shekull. Kjo ekspozitë plotësohet me riprodhimet e Përkrenares dhe Shpatës së Skënderbeut.

Gjithashtu, ekspozita përmban statute, faksimile, gravura të autorëve të ndryshëm dhe portrete, me anën e të cilave vizitorët njihen me momente nga jeta dhe beteja të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Një nga anët më interesante të figurës së Skënderbeut është jetëgjatësia e famës dhe lavdisë së tij në periudhat më të rëndësishme të lëvizjeve përparimtare të popujve të Europës dhe të popullit shqiptar. Në historiografinë botërore ndër shekuj janë shkruar shumë monografi të veçanta për Skënderbeun, disa prej të cilave janë botuar si libra më vete. Duke pasur parasysh përmasat europiane të kësaj figure, këto libra japin një panoramë të admirueshme të botimeve për Skënderbeun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *