“Shqipëri 1938”, etnografja franceze: Unë jetova në familje barinjsh

Shënime mbi librin “Udhëtim në Shipërinë e veriut”, një libër dygjuhësh, shqip-frëngjisht me dorëshkrimin e etnografes franceze Jacqueline Benezech e bashkëshortit të saj Rene

Nga Luan Rama

Më 17 dhjetor 1938, në prag të përgatitjeve të tyre për tu nisur drejt Parisit, René Benezech i shkruante ndër të tjera Jean Soustelle-it: «Për dy javë do të nisem drejt Parisit. Kalova këtu më shumë se dy muaj nga parashikimi i mëparshëm në sajë të mbështetjes me fonde të Institutit të Etnologjisë dhe besimit që ata më dhanë. Do të sjell shumë kostume e objekte, të cilat do më lejojnë pas kthimit tim atje të bëj një punë serioze grafike për kostumet shqiptare. Shumë nga kostumet janë të shtrenjta, por qeveria shqiptare vendosi t’i dërgojë disa kostume «Muzeut të Njeriut», si huazim për një kohë të papërcaktuar. Por dhe unë vetë me fonde të mia kam blerë kostume edhe pse nuk i kam vendosur ende në bagazhe. Së shpejti do lëmë Tiranën. Me valixhen diplomatike që niset sot, po dërgoj klishetë fotografike. Këto çaste po 4 Në kujtimet e tij të botuara në librin «Un colonel français dans les Balkans», botuar më 2014, koloneli francez André Ordioni shkruan me simpati për Preng Calin, të cilin e kishte takuar gjatë kohës kur ai ishte në misionin ndërkombëtar të përcaktimit përfundimtar të kufijve të veriut shqiptar.
Para se të linin Tiranën, René i shkruan përsëri mikut të tij në Musée de l’Homme: «Më së fundi, kësaj rradhe po marr rrugën e kthimit dhe padyshim që do të jem në Paris para fundit të muajit janar. Ne qëndruam pesë muaj në Shqipëri në vend të tre muajve dhe shpresojmë se e kemi shfrytëzuar mirë kohën tonë në interes të punës për të sotmen dhe të ardhmen. Në arka i vura vetë dy kostume shumë të bukura dhe të plota që janë dërguar në emër të Ministrisë së Arsimit, për Muzeun e Njeriut “via” Legata shqiptare në Paris, dhe lutem të telefononi që t’i merrni në këtë legatë që gjendet në 127, Rue de la Faisainderie. Janë arkat RB1 dhe RB2. Sigurisht, do të isha i kënaqur t’i hapja vetë. Nga ana tjetër, objektet e tjera të blera ia dorëzova në Durrës zotit Schëenzeger, transportues, 6 arka me numrat RB3, RB4, RB5, RB6, RB7 dhe RB8… Çdo arkë ka dhe zarfin me fishat përkatëse të objekteve, nga të cilat kam një dubël. Gjithashtu po ju adresoj dhe 21 fisha rreth objekteve që janë në arkat RB1 dhe RB2 Arkat padyshim që nuk do arrijnë para meje…”
Më 3 janar, siç më tregonte Josiane Barbier gjatë takimeve tona në Paris, e cila Jacqueline-n e kishte patur si nënën e saj, ata ishin takuar në Tiranë edhe me ministrin Musa Juka dhe kishin zgjedhur koleksionet e kostumeve. Pastaj ishin drejtuar drejt Kavajës bashkë me një shqiptar të quajtur Koria, edhe pse me një kohë të keqe. Më 15 janar 1939, çifti Benezech ishte nisur me anije nga Sokolaj dhe kishin kaluar në Mal të Zi. Këtu mbaronte dhe “aventura” e tyre shqiptare, një vend ku nuk do tê ktheheshin më. Pak muaj do të kalonin kur në shtypin francez ata do të dëgjonin lajmin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Musolinit. Në fakt, fill pas kthimit nga Shqipëria në janar të vitit 1939, në një emision të “Radio-France”, për udhëtimin e saj në Shqipëri (maj 1939, pra pas pushtimit te Shqipërisë nga ushtria musoliniane) para mikrofonit ajo do të shprehej: “Në fakt, gjatë qëndrimit tonë në malet e Shqipërisë së veriut, unë jetova gjatë në një familje barinjsh ku u krijuan lidhje shumë të fuqishme midis tyre dhe meje, aq sa ata më kërkuan të bëhesha «nuna» e fëmijës së tyre. Nuk e di, nëse në këtë jetë të thjeshtë e të ashpër do mendoja kaq shumë për këtë familje shqiptare. Që nga ajo kohë, kjo gjë ka qenë për mua një nga gëzimet dhe emocionet e mia më të sinqerta, dhe që atëherë unë ndjehem e lidhur me ata dhe ku asgjë nuk mund ta trondisë këtë lidhje me ata malsorë aq krenarë e të mirë. Ngjarje të mjerueshme politike do më pengojnë padyshim t’i takoj edhe pas shumë vitesh të tjera… për aq kohë sa vendi i tyre i shtrenjtë nuk do të ketë fituar pavarësinë e vet.” Kur mbarova përkthimin e dorëshkrimit, më kishte mbetur peng që s’kisha gjetur një pasardhës të familjes së Jacqueline Benezech, edhe pse kisha muaj me rradhë që telefonoja kudo që gjeja familje me mbiemrin Benezech, në Paris, Lyon, Marseille, Bordeaux e gjetkë.
Por ky mbiemër ishte mjaft i përhapur dhe e pamundur të gjeja gjurmët e të afërmve të saj. Rastësisht një ditë, duke kërkuar rreth burrit të saj të dytë Gabriel-Monod Herzen, me të cilin u martua shumë vite më vonë pas vdekjes së René-së, pashë që në një site-ëeb flitej diçka dhe për Jacqueline. Atëherë hyra në kontakt me Christel Barbier dhe menjëherë enigma ime u zgjidh. Kur ajo kishte lindur, Jacqueline ishte në kokën e nënës së saj, Josiane. Atëherë u takova menjëherë me Josiane, në një kafene përballë Gare de Lyon, kur sapo erdhi nga Cepoy, pranë Montargis, ku dhe banonte. Ishim të gëzuar të dy të flisnim rreth Jacqueline-s dhe aventurës së saj shqiptare, edhe pse unë doja të dija më shumë për jetën e saj. «Ah, Jacqueline ishte një njeri i mrekullueshëm, ishte një grua me një humor të jashtëzakonshëm…” Kujtimet shqiptare të Jacqueline-s kishin qenë shënime të mbajtura në udhëtim e sipër, plot emocione, por lufta e gjatë, pushtimi i Shqipërisë më pas nga Gjermania naziste, vdekja e papritur e René-së në vitin e parë të pas-luftës do sillte që Jacqueline të largohej dalëngadalë nga ajo botë mitike që kishte përjetuar dikur. Vetëm ekspozita etnografike shqiptare në mesin e viteve ’60 i dha rastin që shpirtërisht ajo të përjetonte sërrish gjithë atë udhëtim të paharrueshëm të saj, duke imagjinuar më kot se ç’ishte bërë me ata malsorë epikë e të varfër e veçanërisht me Pashkën e saj…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *