Ngjyrat e ndritshme të Kostandin Shpatarakut e kafka e Adamit

Në rubrikën “nga thesari i një kombi” Muzeu Historik Kombëtar ka prezantuar sot, ikonën “Kryqëzimi i Krishtit” që i takon shek.XVIII dhe është punuar në tempera mbi dru(përmasat: 37 cm X 28 cm).
Ikona “Kryqëzimi i Krishtit” është realizuar nga ikonografi Konstandin Shpataraku. Kjo ikonë është marrë nga kisha e Shën Marenës në Llëngë të Pogradecit. Në qendër të ikonës është Krishti i kryqëzuar. Ai paraqitet i pajetë, me sy të mbyllur dhe me kryet të anuar nga e djathta. Kryqi është vendosur në shkëmbinjtë e Golgothasë. Në një zgavër poshtë tij, ikonografi paraqet një kafkë, mbi të cilën pikon gjaku i Krishtit. Kjo është kafka e Adamit, i cili sipas traditës, vdiq dhe u varros aty. Mbishkrimi në tabelën sipër kryqit I.N.B.I. do të thotë: “Jisu Nazareti Mbret i Judenjve”. Majtas Kryqit qëndron Perëndilindësja, së bashku me gratë mirraprurëse, ndërsa në anën tjetër të Kryqit paraqitet Joani dhe pas tij kryeqindëshi Longin me veshje ushtarake, që drejtoi kryqëzimin. Prania e tij në ikonë është mjaft domethënëse. Ai është dëshmitar pamor i kryqëzimit. Longini ishte fare pranë kryqit dhe e dëgjoi Krishtin të lutej: “O Atë, fali ata, se s’dinë se ç’bëjnë!”. Në ikonë paraqiten edhe muret e qytetit të Jeruzalemit.
Ikona “Kryqëzimi i Krishtit” është e ekspozuar në Pavijonin e Ikonave në Muzeun Historik Kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *