Një dadaist në Durrës dhe Sarandë

 

Raymond Duncan – balerin, artist, poet, filozof dhe estet amerikan, njeri që ngrohte sallën e tij të shfaqjeve para se të mblidheshin dadaistët, kishte krijuar në atë kohë Akademinë e Artit në Paris.
Ishte pikërisht ai që shëtiste rrugëve të Parisit, veshur me një cohë të bardhë dhe me sandale, si nxënësit e Sokratit. Ishte ai që solli ambasadorin amerikan nga Athina në Durrës, pranë qeverisë shqiptare në 1913, që ky të shikonte se ç’ishte ky shtet i ri dhe hallet e Pavarësisë shqiptare
Raymond Duncan ishte pikërisht ai që solli në Saradnë motrën e tij, balerinën e famshme Isadora Duncan, yllin e baletit parisian. “Ai më bindi mua për t’u bashkuar me ata atje”, shkruan në librin e saj “My life” Isadora Duncan. Raymond, bashkë me gruan e tij, Penelope dhe me fëmijën e vogël, jetuan gjatë një viti aty, duke ndihmuar ata mijra njerëz që zbarkonin në atë mol të mjerë nga Epiri, për t’u ikur luftrave ballkanike, veçanërisht nga Janina dhe duke punuar për regugjatët.
Ky njeri do të bëhej një humanist i madh për banorët e qytetit të vogël shqiptar, i cili ende dhe sot e kësaj dite nuk e di se cili ishte Raymond Duncan – artisti që asokohe fliste “dada”.

Përgatiti dhe përktheu Luan Rama

_____________________________

Fragment nga libri “My life” – Isadora Duncan:

“Raymond-i u kthye nga Shqipëria. Ai ishte, si zakonisht, i mbushur me entuziazëm. ‘I gjithë vendi është në nevojë. Fshatrat janë shkatërruar;…. Fëmijët janë të uritur. Si mund të qëndroni këtu, në pikëllimin tuaj egoist?! Ejani dhe ndihmoni t’i ushqyejmë fëmijët, të qetësojmë gratë?”.

“Lutja e tij ishte frytdhënëse. Unë vesha sërish tunikën time greke, mbatha sandalet dhe ndoqa Raymond-in drejt Shqipërisë. Ai kishte mënyrat e tij të veçanta për të organizuar një fushatë në ndihmë të refugjatëve shqiptarë.
Shkoi në sheshin e tregut në Korfuz dhe bleu lesh papërpunuar. E ngarkoi mbi një avullore të vogël, të cilën e kishte marrë me qira, dhe u nisi drejt Sarandës, porti kryesor për refugjatët.”
“Po si do t’i ushqesh të uriturit, Raymond,” i thashë, ” me lesh të papunuar?”
“Prit”, tha Raymond-i, “do e shihni, nëse çoj bukë, do të jetë vetëm për sot… Por po u çoj atyre këtë ngarkesë me lesh të papërpunuar, që është për të ardhmen.”

“…Ne zbarkuam në bregdetin shkëmbor të Sarandës, ku Raymond-i kishte organizuar një qendër. Me një shenjë ai tha: “Kush do të tjerrë këte lesh, do të marrë një dhrahmi në ditë.”
Një varg i vobektë, të drobiturash, gra të varfra e të vuajtura urie, u formua me shpejtësi. Me dhrahmi ata do të blejnë misër të verdhë, të cilin qeveria greke ua shiste në port…”

“…Pastaj Raymond-i e pilotoi varkën e tij të vogël përsëri drejt Korfuzit. Atje ai i urdhëroi marangozët të prodhonin tezgjahë për të dhe, pas kësaj, u kthye sërish në Sarandë: “Kush dëshiron ta endë me motive fillin e leshit për një dhrahmi në ditë?…”

“…Turma e të uriturve kërkoi ta bënte këtë punë. Për motivet, Raymond-i u dha detaje nga motivet e vazove të Greqisë së lashtë. Shpejt ai arriti të ngrinte pranë detit një linjë grash-endëse, të cilave u mësonte si të këndonin në unison me ritmin e endjeve të tyre.
Kur thurima ishte endur, ato e kthyen mbrapsht dhe prej aty u pa se ato ishin mbulesa të bukura shtrati, të cilat Raymond-i dërgoi në Londër, për t’i shitur me 50 përqind fitim. Me këtë fitim ai hapi një furrë dhe shiti bukë të bardhë 50 përqind më lirë se sa qeveria greke shiste misrin e verdhë, dhe kështu e krijoi ai aty fshatin e tij…”

“Ne jetuam në një tendë të kthyer nga deti. Çdo mëngjes, në agim, u zhytëm në det dhe notuam. Prej atëhere dhe më pas Raymond-i kishte mbiprodhim buke dhe patatesh, ndaj dhe, duke kapërcyer kodrat, u nisëm nëpër fshatra, për t’u shpërndarë bukë të uriturve…”

Përktheu Silvana Leka

(@Poeteka)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *