Dr. Gjilpëra rrëfen si e bindi lordin Blair, të blejë produktet bio të nënë Shanos

Me tu sosur në mëmëdhe nisa një shtegëtim nëpër vende të njohura e të panjohura, për fshatra që dija e nuk dija. Më kishin thënë se në jug, plakat, nga ato që mbajnë në gji borzilokë, mbjellin një bimë çudibërëse që e bëjnë çaj dhe u japin nipërve për t’i shtënë në gjumë. i habitur dhe kurjoz, siç jam si natyrë, ia beha atyre anëve për të mësuar se ç’qe kjo çpikje për të cilën nuk kish parë a dëgjuar Avropi. Thashë, se është një nga ato sekretet e vendeve ekzotike. Mu kujtua udha e mëndafshtë, e mandej gjithë erëzat që Perëndimi mori nga Lindja. Më vajti mendja se ka gjëra që nuk janë zbuluar ende. Kështu vajta në Jug. Mbërrita te një shtëpi në fshat më avlli të lartë.

Portën ma hapi nënokja, me shami të zezë në kokë. Kopshti i saj lulëzonte nga bimë me aroma dehëse. E pyeta nënë Shanon për ca bimë jeshile pa lule më të cilat bëheshin çajra e vajra, e që të vinte në gjumë, por dridhej dhe si duhan e të hiqte stresin si me dorë. Ajo më shpjegoi që ato dreq mbinin vet në bacce, e madje dhe tek vazot.

“Thahen si rigoni të keqen nëna e shiten, i blejnë në farmaci ata leshverdhët e vedhacukët e Avropës. Ne këtu nuk e përdorim për vete, çoku e dredhin si duhan djemtë e fshatit, po nuk e përdor më njeri.

Sidomos në Ingliterrë e marrin shumë. Ne në fshat veç si çaj e zjenim moti”. Dhashë e mora më nënë Shanon i çuditur sa më s’ka me dituritë e kësaj plake me asnjë klasë shkollë, mandej dola tek kafja e fshatit, aty tek rrapi. Aty, më thonë që një delegat i famshëm i mbretëreshës kishte ardh në për vizitë. Të kuptohemi, unë jam mësuar me lordë e me kontë, ndaj nuk ndenja duarkryq. Kisha nevojë për pak Avropë. Ftova për darkë Lordin Tony Blair, që i thoshin edhe Toni i Tiranës ( këta të kartave) dhe Edi bej Ramën, që i thoshin Bej i Surrelit. Mbas një bisede që mënt shkoi deri tek vëllezërit tanë turq, problemet e Lindjes së Mesme, abdikimi nga froni i perandorit Japonez, dalja e Britanisë nga Avropa, kriza e refugjatëve dhe ISIS, biseda ra te lulet e nënë Shanos. Bej i Surrelit dhe Lordi nga Birminghami u habitën me efektet e saj. Menjëherë u morën masa të fillonte eksporti i saj drejt Ingliterrës.

Beji i Surrelit kërkonte të nxiste zhvillimin e bujqësisë, ndërsa lordi kërkonte një çaj tjetër për vaktin e “zemrës”. Ne e dimë që inglezët vdesin për çaj dhe për prodhime bio. Në këtë pikë, ndihma dhe mendimi im si doktor për benefitet e e saj për shëndetin u mor parasysh, ashtu si shpjegimet e nënë Shanos që ia kish parë efektet prej kohësh. Ne, menduam që ca kohë derisa të prodhimi të niste eksportin, të mos e bënim të madhe, por në Tiranë qe marrë vesh suksesi i nënë Shanos. Madje kish zëra se gjithë takimin me lordin Blair, e kish organizuar plaka me shaminë  e zezë që nuk e hiqte nga koka, ndërsa ne qemë viktima të ndikimit  të huaj, i cili donte të merrte dhe bimën e fundit prej nesh. Pas këtyre lajmërimeve, mejtuam që nënë Shanos t’i krrejmë një vizë për Ingliterrë, ku t’i shpjegojë nga afër lordit Blair, sesi thahet dhe kultivohet bima jeshile. Kështu shpëtojmë të tërë nga e keqja, se fundja ne shqiptarët nuk ia dimë vlerat çajit.

 

I Juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari, Dr. Gjilpëra

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *