Vdekja e një idioti nga CHARLES BUKOWSKI

Përktheu Beti Njuma

Ai u fliste minjve e trumcakëve
dhe në moshën 16 vjeçare flokët i kish të thinjur.
i ati e rrihte përditë ndërsa e ëma
ndizte qirinj në kishë.
gjyshja erdhi teksa djali flinte
dhe iu përshpirt djallit që ta linte të lirë
ndërsa e ëma dëgjonte e vajtonte mbi bibël.

dukej sikur s’ia vinte veshin vajzave të reja
dukej sikur s’i vinte re lojërat e djemve
dukej sikur s’vërente kushedi çfarë
thjesht dukej sikur s’i bëhej vonë.

kishte një gojë shumë të madhe e të shëmtuar dhe dhëmbë të dalë
sytë i kish të vegjël e pa shkëlqim.
shpatullat e rëna dhe shpinën të kërrusur si ndonjë plak.

ai jetoi në mëhallën tonë
kur mërziteshim ne flisnim për të, pastaj
hidheshim në gjëra më interesante.
rrallë dilte nga shtëpia. ne do të kishim dashur
ta torturonim
por i ati
që ish një burrë shtamadh dhe i tmerrshëm
ia merrte shpirtin
për ne.

një ditë djali vdiq. në moshën 17 vjeçare ai qe ende
djalë. një vdekje në një mëhallë të vogël merret vesh
aty për aty, dhe për tri katër ditë
harrohet

por vdekja e këtij djali asnjërit prej nesh s’iu nda.
ne vijuam të flisnim për të me zërat tanë
prej djelmoshash të burrëruar
në orën 6 të pasdites
pak para se të binte mbrëmje pak para se të hanim darkë.

dhe saherë kaloj nëpër atë mëhallë, sot,
shumë dekada më pas
ende mendoj për vdekjen e tij
duke harruar tërë vdekjet e tjera
dhe gjithë ç’ndodhi më pas

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *