The Philosophical Hour: Ju flet Arshi Pipa

 Melsen Kafilaj

Në librin e tij “Tradhëtia e Intelektualëve” (1927) mendimtari francez Julien Benda duke folur “për kataklizmën e nocioneve morale të atyre që edukojnë botën” ngre gishtin e akuzës në drejtim të Intelektualëve, duke argumentuar se këta tradhtarë moral jo vetëm që e kanë braktisur kauzën e tyre por gjithashtu janë kompromentuar duke u përfshirë në lojën e ethshme të pasioneve politike dhe interesave materiale. Ky konstatim është mjaft aktual për pjesën dërrmuese të intelektualëve shqiptar të ditëve tona por ai nuk zë vënd në rastin e filosofit, kritikut  dhe intelektualit par excellence Arshi Pipa.

Arshi Pipa është modeli i intelektualit antikonformist shqiptar e me kartë të papërlyer morale i cili për asnjë çast nuk hoqi dorë prej vokacionit të vet, nuk e politizoi intelektin, nuk mori ndonjë anësi politike, nuk bëri kurrë kompromis me parimet dhe idetë e veta dhe mbi të gjitha e ruajti të shenjtë guximin për të qënë kritik dhe për ta thënë gjithmonë hapur të vërtetën. (Veritas) Nëse do të flisnim me gjuhën e Paul Tillich “Ai pati kurajon për të qënë Vetvetja, duke e ndarë mëndjen se përmes cilës rruge duhet të ecte.”

Për Pipën, mendimi është atributi më themelor i qënies njerëzore (E mira ime absolute– do ta quante ai) i cili jo vetëm që e diferencon njeriun prej specieve të tjera por gjithashtu e ngre atë në një nivel më të lartë, duke i dhënë dinjitet dhe shtysë për progres.“Ndryshe nga të gjitha speciet e tjera që kanë tendencën për tu ruajtur, vetëm njeriu përpiqet që ta tejkaloj vetveten- shprehet Ai.Kjo i detyrohet pikërisht faktit se vetëm njeriu është i pajisur me mendimin”.Të mendoje brenda ferrit të burgjeve komuniste, vazhdon filosofi ynë i cili e pësoi vet një fat të tillë të hidhur në këto skëterra çnjerëzore ishte një akt lirie dhe gjithashtu një akt mbijetese. Kjo na kujton paksa neuropsikiatrin vjenez Viktor Frankl i cili teksa rrëfente vuajtjet e tij të tmerrshme në kampet naziste të përqëndrimit do të pohonte: “Ishte kultura e fituar e mëparëshme dhe të menduarit ato që pikërisht më mbajtën gjallë.”

Arshi Pipa kishte një marrdhënie autentike me lirinë.Në ditët tona po ndodh gjithmonë e më rrallë që të dëgjosh prej të ashtuquajturve “intelektualë” një frazë kaq domethënëse si ajo e tij:“Liria është fati ynë.Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj fatit tonë.”Aq më pak ti shohësh që e mishërojnë atë në jetën publike apo dhe atë private.Ndërsa Pipa ynë e mishëroi këtë vlerë të paçmueshme edhe në burg.Po ashtu si filosofi stoik, Epikteti ai pohonte me zë të lartë:“Kanë prangosur trupin tim por nuk kanë mundur të prangosin shpirtin tim.Dhe- gjë vërtetë e mrekullueshme- kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë.” Të shkruarit përbën një akt lirie.Nuk duhet të na habisë fakti që traktati i parë i mirëfilltë filosofik shqiptar “Skicë e një konceptimi mbi jetën” (1955) është ngjizur pikërisht në zemër të Errësirës dhe ka dalë prej dyerve të privimit.

Kulturologu i madh George Steiner në librin e tij “Pas Babelit” (1975) i mëshon faktit se intelektuali duhet të jetë një hulumtues i paepur dhe një pohues konsekuent i së vërtetës.Pipa jo vetëm që e afirmon këtë fakt me jetën dhe veprën e vet por gjithashtu ai ofron një këshillë të vyer për gjithë atë “aradhë intelektualësh” pa shtyllë kurrizore, pa kurajë intelektuale dhe të nënshtruar prej klientelizmit politik të cilët heshtin kur pushteti shtyp dhe bën padrejtësi, mbyllin sytë kur korruptohet arsimi, drejtësia, shëndetësia etj dhe i bëjnë temena autokratit të radhës…“Guxim pra! Duhet shumë guxim për ta arritur të vërtetën.Duhet guxim për ta kërkuar të vërtetën, ashtu siç duhet guxim për ta thënë apo për ta mbrojtur të vërtetën.Dhe a nuk është maksimumi i guximit që të pranosh gabimin tënd?Një element guximi është i domosdoshëm për ta ndërtuar të vërtetën.Guximi kërkon besim tek vetvetja.Besimi është kusht i guximit ashtu sikurse guximi është kusht i fitores.”

Si një mendimtar liberal dhe një intelektual me kulturë të gjerë evropiane Arshi Pipa është kategorikisht kundër dogmave dhe monopolizimit të së vërtetës prej Njëshit, Partisë, individëve apo grupeve të caktuara të cilët rëndom në ditët tona e pretendojnë atë, duke e shpallur prej amvonave të larta dhe duke kërkuar që ta imponojnë në popull si të vërtetë finale.Ja sesi do të shprehej Pipa ynë me tonin e një ithtari Volterian: “E vërteta nuk mund të jetë ekskluzive, në kuptimin se ajo duhet të jetë vetëm e wordpress imja ose e jotja dhe e askujt tjetër.Kush mendon se vetëm ai është zotëruesi i së vërtetës ndërsa gjithë të tjerët që nuk mendojnë si ai gabohen, ai jep një provë intolerance.Mirëpo e vërteta është tolerante.Ajo asnjëherë nuk do ti kapërcej kufijtë e tolerancës për të kaluar në dogmatizëm.Dhe dogmatizmi është binjak me fanatizmin.Mendja që nuk arrin t’u njohë të tjerëve të drejtën e së vërtetës është e dënuar që të mos e prek kurrë të vërtetën e saj.”

Por filosofi ynë brilant Pipa ka edhe një “merak” tjetër për punonjësit tanë të administratës publike, të cilët instrumentalizohen, binden verbërisht dhe bëjnë “çka do Shefi”, pavarsisht se aktet e tyre mund të jenë në kundërshtim me interesin publik dhe të mirën e përbashkët.Për këtë qëllim ai kujdeset që ti udhëzojë ata përmes etikës deontologjike (të detyrës): “Nuk duhet të mendohet se njeriu duhet t’i bindet me servilizëm, me pëlqim të verbër këtij individi apo atij institucioni; ai do të zbriste kështu në pasivitetin kafshëror.Jo, njeriut i është dhënë arsyeja për të mos e pranuar në mënyrë pasive rregullin e gjërave, i është dhënë arsyeja që të mendojë, të kritikojë dhe po të jetë e nevojshme të korrigjojë, deri edhe të mohojë, në rastin më të skajshëm.”

Ndryshe nga “kolegët” e tjerë intelektualë të cilët e kanë braktisur kauzën dhe e kanë humbur besimin tek fuqia e Edukimit, Arshi Pipa e mban ende lart pishtarin e tij iluminist dhe kërkon që ta çoj shoqërinë drejt përparimit moral dhe progresit human.Ai beson se njeriu në thelb është i mirë dhe se “madje edhe tek njeriu më i degjeneruar ekziston një shkëndijë virtyti”. Ja sesi do të shprehej ai tek “Skica” (1955) :“Çdo njeri është i aftë që të jetë i virtytshëm, dikush për hir të një prirjeje të natyrshme, dikush tjetër për hir të edukimit.Të parin duhet të udhëheqësh, të dytin duhet ta riformosh ose ta ndryshosh.Unë i besoj edukimit, madje e theksoj, duke e bërë edukimin, në kuptimin e gjerë të fjalës, jo vetëm momentin metodologjik të moralit , po vet moralin në veprim, në të dy polet e tij, individual dhe masiv, si pedagogji dhe politikë.Dhe nuk më shkurajon fakti se ligësia është aq e madhe në botë, saqë edukimi nuk merr shumë pah.Ne edukojmë kafshët, i bëjmë shtëpiake, i zbusim dhe i bëjmë më inteligjente; a nuk do të mund të edukonim veten tonë?Vetëm kush e vlerëson vetveten më poshtë se një kafshë, mund të mos ketë besim tek edukimi.Dhe pikërisht për arsyen se unë e kam këtë besim, mund ta respektoj dhe ta dua njeriun kështu siç është ai sot; sepse në fakt,unë dua dhe respektoj tek ai jo atë që është sot, por për atë që do të jetë nesër:më të mirën e tij,kuintesencën e tij njerëzore;unë dua dhe respektoj tek ai njerëzoren, dmth idealin tek i cili njeriu mund të arrijë dhe do të arrijë.”

Pipa, filosofi që nuk e njohim ende ofron edhe një gjerdan mendimesh të tjera të çmuara mbi kohën, hapësirën, shkencën, religjionin, poezinë, etj madje edhe një ide të tillë “futuriste” e vizionare, shpalosur 2 vjet përpara nënshkrimit të Traktatit të Romës (gur-themeli i BE) në Burgun e Burrelit: “Kombi, ky prodhim tipik i kulturës moderne vazhdon të jetë i gjallë, por jeta e tij është e pasigurtë.Fuqitë botërore të sotme e kanë tejkaluar qyshkur.Drejtimi i lëvizjes evolutive është drejt supershtetit, shtetit botëror.”Një ide që nëse i zëmë besë futurologut francez Jacques Attali ka gjasa që të nis aty nga viti 2030.

Por në fund, siç i pëlqente të shprehej dhe mendimtari ynë liberal: “E vërteta është personale” dhe gjithësecili është i lirë ta pranojë apo refuzojë këtë mendim.Tek e fundit, njeriu është masa e universit.Ju keni masën tuaj dhe unë masën time./@https://gazetadielli.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *