Shqiptari Saimir Pirgu, djali që të bën të shpresosh

Jonida Hitoveizi

Saimir Pirgu është një ndër emrat e shquar të skenave botërore sot. Ai është nga Elbasani, qyteti ku qysh i vogël, në Pallatin e Pionerit zbuloi se kishte talent;një zë të bukur. Pastaj ishte koncerti i Tre Tenorëve, momenti dhe çasti që do ta lidhte përgjithmonë me muzikën klasike, duke e sjellë deri këtu ku është sot; Pavaroti i ri i skenave botërore.

Kur e kuptove që kishe zë dhe çfarë të lidhi me muzikën klasike?

E kam kuptuar që i vogël, qysh në  Pallatin e Pionierëve. Këndoja këngët e kohës “na thotë xhaxhi Ramiz Alia se kemi ne Enverin tonë”…

Besoj ke qenë zëri më i mirë i pallatit…

(Qesh) Po kështu ka qenë. Kam marrë çmimin e dytë atëherë, se të parin e mori një që kishte këngën për Enver Hoxhën. Unë e kisha  për xhaxhin Ramiz dhe më deklasuan (qesh). E mbaj mend këtë detaj, po kam kënduar gjithmonë dhe në të njëjtën kohë studioja dhe violinë. Po kur kam parë tre tenorët ka qenë momenti kur u ndez një dritare, një lidhje kaq shumë e dëshiruar. Kjo është e pabesueshme. Nëse do besonim që ka një fuqi më të madhe, për mua do ishte ky rast. Me Pavarotin kam qenë mik, ndërsa me Domingon performoj ende. Ndonjëherë them që Zoti në një anë t’i jep dhe në anën tjetër t’i heq dhe po pres tani (qesh). ( Pjesë nga intervista për gazetën Mapo në 100-vjetorin e Pavarësisë)
Artisti ka qenë i hapur në çdo intervistë për jetën e tij, për karrierën të cilën e quan sa bekim nga fati aq edhe punë të palodhur të tij, konstante, ditë pas dite. Një detaj interesant që më ka bërë përshtypje në një nga intervistat me të ka qenë se ai nuk flet shpesh në telefon, pasi kjo do ta lodhte zërin  e tij. Ka plot detaje të tjera për këtë artist, plot artikuj profesional për performancat e tij dhe ai shfaqet kudo njëlloj, ashtu siç ka qenë kur e kam intervistuar, i buzëqeshur dhe me një thjeshtësi  e modesti që të magjeps më shumë se zëri i tij në skenë. 
Ky djalë është shqiptar dhe ajo që të ngjall respekt të jashtëzakonshëm për të, nuk ka të bëjë thjesht me atë se kush është Pirgu si artist. Është përtej kësaj. Ky djalë, aspak i ngjashëm me moshatarët e tij të suksesshëm si brenda apo jashtë vendit, ka magjinë e të qenit një njeri i madh, jo artist i madh. 
Çuditërisht Saimir Pirgu nuk vuan nga “shumë sëmundje shqiptare”, si vetëkënaqësia e tepërt, se është ai e s’ka tjetër, nuk vjen në TKOB si ylli që duhet të “përulen” të gjithë kur ai kalon. Kur e kam pyetur për ftesat në Shqipëri, thotë se nuk u thotë kurrë jo, sigurisht brenda axhendës artistike që ai ka. “Kam kënaqësi të vij gjithmonë në Shqipëri”, më ka perifrazuar, pa asnjë grimcë shtirje në përgjigjen e tij. Ndërsa për raportin e tij me jetën luksoze përgjigja ishte:
Unë jam tip tepër i thjeshtë. Nuk jam nga ata që shfrytëzojnë momentet e tyre të famës për të lëvizur me “Bentley” kur mbarojnë shfaqjet. Janë mundësitë, por kam mbetur po ai djali i thjeshtë që shkon në ndonjë bar për të festuar me miqtë e tij.
Koncerti i tij i fundit ishte në 5 mars në kuadër të turit të tij botëror, për albumin e dytë të tij, Il Mio Canto. Salla e TKOB ishte e mbushur si asnjëherë tjetër dhe publiku shqiptar ndjeu brenda asaj ore magjinë e artit të vërtetë, e talentit, e së bukurës, e thjeshtësisë dhe dëshirën që të zgjaste edhe pak, duke e kthyer Pirgun plot pesë herë në skenë ( në Tokio publiku e ktheu 8 herë). Shumë njerëz mbetën pa bileta, pasi ato u shitën për tre orë dhe për këtë koncert ato kushtonin më shumë nga sa jemi mësuar zakonisht, nga 1 mijë deri në 2 mijë lekë (të reja). 
Por Pirgu na i ktheu mbrapsht ato lekë, ndoshta duke qenë i ndërgjegjshëm për krizën tonë sa monetare aq edhe sociale. Të ardhurat nga koncerti i tij  në Tiranë u dhuruan për Pediatrinë në QSUT. Një gjest, që nuk është i pari i tij i këtij lloji dhe që unë e besoj se është shumë larg të bërit shout, siç jemi mësuar shpesh e dyshojmë po aq në këto kohë të trazuara e me dilema të shumta shoqërore.
Ndaj, ky djalë i ri, larg prej shembullit të bashkëmoshatarëve të tij në Shqipëri,(sidomos atyre të famshëm e me pushtet) meriton falenderimin tonë, të të gjithëve, sepse sa herë vjen na tregon se të gjithë mund të bëjmë diçka të mirë. E nëse nuk kemi fatin për një talent si i atij, mund të jemi sadopak shqiptar si ai, të drejtuar nga mirësia dhe modestia dhe të përkushtuar ndaj vlerave, të cilat, fatkeqësisht po i humbasim përditë. Faleminderit Saimir Pirgu, edhe që je shqiptar! (Pasqyre.al).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *