“Shpresa e Shqypnisë”, në Slloveni libri i Paolo Muner për shqiptarët e Triestes

FB_IMG_1453917782458Promovohet në Koper libri “Shpnesa e Shcypenies” me autor italianin Paolo Muner

Në pasditen e datës 23 janar në Qendrën Kulturore të Shqiptarëve të Istrias sllovene “Kulla e Koperit” u organizua veprimtaria e promovimit të librit “Shpnesa e Shcypeniis” të autorit italian Paolo Muner. Veprimtaria bashkoi shqiptarë të Koperit dhe të Istrias sllovene, të Lubjanës, Postojnas, por edhe shqiptarë të Tristes në Itali, të Austrisë, nga Shkodra, përfaqësues të Ambasadave të Shqipërisë dhe të Kosovës në Slloveni, etj. Gjithashtu pjesëmarrës ishin edhe historianë sllovenë dhe përfaqësues nga Austria.

Në fillim të veprimtarisë përshëndeti kryetari i Shoqatës Shqiptare “Liria”, Heset Ahmeti. Për librin dygjuhësh, italisht dhe shqip, “Shpnesa e Shcypeniis” foli veprimtarja shqiptare e Triestes Leonora Buçinca. Në vijim autori, Paolo Muner, para të pranishmëve prezantoi arsyet e shkrimit të librit, ndjesitë e tij në Trieste dhe në Shqipëri, kontaktet e tij të mëparshme dhe të tashme me shqiptarët si në Itali edhe në Shqipëri dhe detyrimin moral të tij për të hulumtuar e studjuar dhe për të dalë me produktin e një botimi. Autori Paolo Muner është ushtarak italian, i dalë nga shërbimi aktiv, lindur dhe banues në Trieste. Ai ka qenë oficer i Marinës Detare Italiane. Në vitet 1992 dhe 2001-2003, si ushtarak ai ka qenë me mision në Shqipëri. Herën e dytë ai ka qenë pjesë e DIE-s (Delegacioni Italian i Ekspertëve), ku ka ushtruar detyrën e drejtuesit të projektit të Rojes Bregdetare Shqiptare. Përvoja në Shqipëri, kontributi për krijimin e Rojes Bregdetare Shqiptare dhe reformën në Forcat e Armatosura Shqiptare, si dhe kontaktet me mjedisin shqiptar, kanë përfaqësuar arye të mjaftueshme që Paolo Muner t’i kushtohet studimeve e shkrimit për shqiptarët. Ai ka botuar disa libra kushtuar shqiptarëve. Libri i tij i fundit “Shpnesa e Shcypenies” e merr titullin nga gazeta me të njejtin emër, botuar në fillim të shekullit të 19-ë në Trieste. Libri deri tani është promovuar në Tiranë, Durrës, Shkodër, Romë dhe Trieste. Tashmë, shqiptarët e Koperit janë mikpritësit e rinj të promovimit të këtij botimi.

Veprimtarinë e përshëndetën edhe ambasadori i Shqipërisë Pëllumb Qazimi, ambasadori i Kosovës Nexhmi Rexhepi, shqiptarja e Triestes Vitore Stefa-Leka, intelektuale shkodrane me banim në Trieste, shqiptare e Deçanit të Kosovës si përfaqësese e shqiptarëve të Austrisë, etj. Ndërsa Profesor Martin Berishaj bëri një pasqyrë të zhvillimeve kryesore të shqiptarëve në peridhën e fillim shekullit të 19-ë, të cilat trajtohen edhe në libër.

Libri “Shpnesa e Shcypenies” përfaqëson një kontribut të çmuar jo vetëm për shqiptarët dhe italianët e Triestes, por edhe për shqiptarët dhe italianët në tërësi. Libri është edhe një dokument i vlefshëm për studjues e hulumtues, pasi në të gjen burime të jashtëzakonëshme, burime botimesh, por sidomos arkivash. Ndërkohë, nuk mungojnë edhe njohje personale të autorit me personazhe e ngjarje të rëndësishme.

Në libër gjejnë vend ngjarje e personazhe të rëndësishme të historisë të shqiptarëve ndër shekuj. Flitet për shqiptarë të shekujve më parë në Trieste, por sidomos për lidhjet e më shumë se 100 viteve të fundit. Disa nga ngjarjet që pasqyrohen në libër dhe që tërheqin vëmendjen mund të theksohen botimi në fillim të shekullit 19-ë në Trieste i gazetës “Shpnesa e Shcypeniis”, zhvillimi i Kongresit të Triestes në mars 1913, jeta e shqiptarëve të hershëm e të rinj në këtë qytet, shkëmbimet tregtare Trieste-Shqipëri, anije triestine me emra “Albania”, “Skutari”, “Bojana”, “Liqeni”, flamuri i parë shqiptar i lundrimit të anijeve shqiptare, arbëreshët e Zarës në Kroaci, migracioni shqiptar i pas viteve 1990-ë, etj. Vlen të veçohen edhe përcjellja e Ismail Qemalit për në Shqipëri në nëntor 1912, udhëtim që çoi në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, si dhe ceremonia zyrtare në Trieste për të përcjellë Princ Vidin në Shqipëri në mars 1914. Nuk mungojnë edhe informacioni dhe parashtrimet për kontributet italiane në Shqipëri, ku mund të veçohen të rënët triestinë gjatë luftrave të parë dhe të dytë botërore në Shqipëri, si dhe kontributi triestin në Kullën e Sahatit, Tiranë, urën e Beshirit Tiranë, bashkëpunmi bankar, tregtar, në fushën e bisnesit etj.

Libri sjell për lexuesit figura nga më të njohurat për historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve si Karl Gega, Aleksandër Moisiu, Nikollë Ivanaj, Hil Mosi, Ismail Qemali, Turhan Pasha, Faik Konica, Fan Noli, familja Presnushi, familja Ashiku, familja Ujka, Ali Asllani, Rrok Prenushi, Ernest Koliqi, Salvadore Eftimiadi, Ton Koka, Kolë Suma dhe shumë të tjerë.

Na takon veçse të shprehim përgëzimet dhe përshëndetjet më të ngrohta për autorin, si dhe të urojmë për kontribute të tjera në të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *