Herë je Zoti e herë krijesa! Jam i çmendur! Pjesa më e vështirë, largësia me ata që do

INTERVISTA-The Revenant/ Rrëfimi brilant i Inarritu: Jam i çmendur, por herë je Zoti e herë krijesa. Pjesa më e vështirë,  të qenit larg familjes. 

Regjisori i filmit “The Revenant” që po pushton çmimet “OSCAR”, Alejandro Inarritu ka dhënë një intervistë për “The talk” ku flet për filmin, origjinalitetin, procesin krijues dhe ndjesitë. Paqyre.al e sjell tē plotë, me ngjyrimet dhe bukurinë e fjalës së mençur.

Iñárritu, a duhet t’i jetojë historitë e tij një filmbërës?

Unë mendoj se në një farë mënyre çdo film është një zgjatim i vetes. Pavarësisht të gjithave, çdo film që kam bërë është një zgjatim i vetes sime. Ndonjëherë, ndjej se filmat fillojnë të përziehen me realitetin. Papritmas, është një linjë e çuditshme, e paqartë, që zhduket dhe ajo që po ndodh në film fillon të rrethojë jetën tënde në një mënyrë shumë të vërtetë. Kjo, më ka ndodhur mua shumë herë.

-Me cilët filma?

Këtë herë me “The Revenant”. Ana fizike e filmit bëhet pjesë e jetës së përditshme. Uji ishte tepër i ftohtë; një ditë temperatura ishte minus 40. Realiteti fizik i personazheve u shfaq në jetën tonë dhe u përzje me përvojën tonë fizike.

-Pse vendosët të xhironit në kushte të tilla?

Kam qenë vërtetë i lumtur, që jam bërë pjesë e botës së egër dhe që jam kthyer në traditën dhe në origjinën e kinemasë, ku gjërat ndodhnin dhe ne xhironim në vende të vërteta. Aty, ku ne nuk kemi shpikur një mënyrë për të krijuar një botë artificiale rreth nesh, duke ndërtuar skena dixhitale. Papritmas, realiteti dhe kompleksiteti i elementëve realë, natyrorë dhe drita e vërtetë … tashmë është e qartë për mua, se pa marrë parasysh sesa i mirë një kompjuter ose një projektues është, ai kurrë nuk përputhet me atë realen.

-Pse jo?

Jo vetëm për shkak të kompleksitetit dhe bukurisë që ka e vërteta, por për shkak të gjendjes së mendjes, gjendje që merret ndërsa bëhet filmi. Ajo ka pasoja në të gjithë sistemin, e dini? E dua vërtetë këtë përvojë në këtë kuptim. Odiseja e të bërit të filmit, bëhet vetë filmi. Është një përvojë e madhe emocionale dhe fizike.

-Kjo, më kujton “Aguirre, the wrath of God” të Werner Herzog, ku ai besonte se kushtet e vështira do të ndërfuteshin në film, do dukeshin.

Po. Aguirre Herzog ose Fitzcarraldo kanë ndikuar tek unë. Ose Akira Kurosawa që bëri një film të quajtur “Dersu Uzala”, ose madje edhe “Apocalypse Now”.  Në këta filma, ku njeriu është kundër natyrës, ka disa peizazhe që, në një farë  mënyrë, diktojnë gjendjen emocionale të personazheve. Unë me të vërtetë i dua ata filma.

-Por, xhirimi në ato kushte ka probleme. Gjatë xhirimeve të Aguirre, Herzog dhe Klaus Kinski, ata pothuajse vranë njëri-tjetrin nga stresi.

Po, sapo je aty e kupton se do të jetë dhjetë herë më e vështirë. Filmi është rezultat i një vendimi naiv. E mora atë vendim sepse isha tërësisht i verbër. Heq dorë nga shansi për të qenë rehat dhe lufton çdo ditë. Ishte si të ngjisje një shkëmb: ndërsa po ngjitesh, ti e di, se mjafton një gabim i vogël dhe do të biesh e të vdesësh. Kjo ishte ndjesia e filmit çdo ditë.

-Duket e tmerrshme…

Është pak e frikshme, sa i çmendur jam. Mund të kishte qenë e tmerrshme. Çdo gjë mund të kishte shkuar keq, krejt lehtësisht. Ka kaq shumë sfida përditë. Bëhesh një krijesë e punës tënde. Ndonjëherë je Zoti, e ndonjëherë je vetëm një krijesë. Dhe këtu, je vetëm një krijesë që po shpëton krijimin tënd.

Pastaj janë edhe çështjet financiare, gjëra që mund të shkojnë keq në një projekt të tillë ambicioz, dhe standardet e vendosura ishin aq të larta, sa unë isha bllokuar. Unë kam qenë i bllokuar nga rregullat e mia. Nuk mund të kthehesha pas; duhet t’i bija murit. Dhe nëse ai nuk përfundonte, apo nuk përfundonte si doja unë, atëherë do të ishte një katastrofë e plotë. Është si maratonë: nuk mund të ndalosh, duhet ta përfundosh. Ju  e ndjeni se jeni dobët, por duhet ta përfundoni!

-Karriera juaj duket të jetë e ashpër me martesën tuaj…

Shpresoj të mos divorcohem së shpejti! (Qesh) Kjo ishte e vështirë. Shumë e vështirë. Filmbërja kërkon shumë, merr shumë nga ju. Dhe ti je larg nga të gjithë njerëzit që kanë nevojë për ty, dhe kjo është një nga pjesët më të vështira.

-Ju po punonit me “The Revenant” kur fituat Oskarin për filmin “Birdman” vitin që shkoi. A nuk duhej të kishte kohë për pushim?

Kam bërë dy maratona dhe duhet të ndaloj. Për të qenë i sinqertë, unë nuk kam pasur kohë të kuptoj se çfarë ka ndodhur me “Birdman”! Kjo është një situatë shumë e çuditshme dhe unë mendoj se duhet të pushoj për disa muaj për të kuptuar se çfarë ka ndodhur në jetën time, dy vitet e fundit. Duhen dy a tri vite ndërmjet çdo filmi kështu që e vetmja gjë që mendoj është një pushim i gjatë. Kam vërtetë nevojë për të.

Si e gjeni shpresën?

Ndonjëherë kur humbni besimin dhe kuptoni se diçka nuk do të jetë kurrë e mundur siç e keni ëndërruar, por ju ende përpiqeni, papritmas ndodh diçka dhe çdo gjë ridimensionohet. Kur jeni në një moment të vështirë, sepse asgjë nuk po ndodh si duhet, por ju nuk hiqni dorë-dhe papritmas kjo ndodh! Kjo është pothuajse një gjë e jashtëzakonshme.(Pasqyre.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *