Saimir Pirgu ngjitet në skenën e “Merkin Concert Hall”

Tenori lirik shqiptar, Saimir Pirgu, do të ketë recitalin debutues në “Merkin Concert Hall” të New York City, në ditën e nëntë të këtij muaji.

Ai do të ngjitet në skenën prestigjioze për të performuar një program të përzgjedhur nga albumi i tij i fundit, të cilin e lansoi në shkurt të këtij viti.
Për të performuar veprat nga albumi “Il Mio Canto”, Pirgu do të ngjitet në skenë i shoqëruar nga pianistja Lucy Arner, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e broadwayworld. Me programin inovativ të një shkalle të lartë dhe me sallë me akustikë gati të përkryer, “Merkin Concert Hall”e ka fituar reputacionin si një prej vendeve më të mira koncertale në New York City, shkruan sot “Koha Ditore”.
I shquar nga e përditshmja amerikane “The New York Times” për “reputacionin për avangardizëm të një natyre fetishe dhe të bukur”, ky institucion prezanton vepra aventureske duke përfshirë premiera botërore të kompozitorëve bashkëkohorë dhe të performuesve më të shquar dhe inspirues që njihen sot në botë.
“Merkin Concert Hall” që gjendet në “Kaufman Music Center” prezanton disa prej talenteve më të mëdha në botën e muzikës klasike, koncertet e teatrove muzikore me profesionistët më të mëdhenjtë të “Broadway”, si dhe mjuzikle për fëmijët e familjarët. Këtë skenë do ta “pushtojë” edhe Saimir Pirgu.
“Jeta pa muzikë nuk ekziston”, ka thënë Pirgu për albumin e tij të fundit, të cilin e ka incizuar me “Orchestra del Maggio Musicale Fiorentino”, të dirigjuar nga Speranza Scappucci. Pirgu ka zgjedhur repertorin e këtij albumi në atë mënyrë që ta shpalosë afinitetin për rolin e Verdit, repertorin realist dhe këndimin “bel canto” të frëngjishtes dhe italishtes.
I vlerësuar nga audienca dhe kritika në mbarë botën ngritjen e shpejtë si në operë ashtu edhe në arena koncertale, Pirgu është një prej këngëtarëve më të njohur lirikë në botë dhe rregullisht është i pranishëm në shtëpi të mëdha të operës, nën udhëheqjen e dirigjentëve më të mëdhenj të ditëve të sotshme. I cilësuar për interpretimet dramatike, të sinqerta dhe të ndiera, ai definohet si “një prej zërave më të bukur që mund të dëgjohen sot”, “një prej interpretuesve më të rëndësishëm në botë në rolet e tenorëve lirikë” dhe “yll në ngritje”. Për Pirgun kanë shkruar mediet e mëdha botërore dhe njëherësh ka marrë vlerësime nga kolegë të tij të njohur.
“Tingujt e tij të të kënduarit janë spontanë dhe të pafortësuar, të hijeshuar me një lojë të lehtë dhe nuanca e prekje prej mëndafshi”, ka shkruar e përditshmja amerikane “The New York Times”. “Teknika e tij është e mrekullueshme dhe kualiteti lirik i zërit të tij është aq i bukur”, kishte thënë tenori i njohur botëror Placido Domingo. Ndërsa “The New Yok Sun” kishte shkruar se “qielli është limiti për të”. Pirgu nisi të studiojë muzikën qysh në moshë të re dhe në moshën 16-vjeçare mori diplomën për violinë në Elbasan, në qytetin e tij të lindjes. ( Marrë nga dialogplus)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *