Rrëfimi i kitaristit të “Queen” për dhimbjen dhe qytetin: S’kam kaluar kurrë një ditë të vetme pa menduar për Fredin!

Ndërsa po risjell një version të ri të albumit të tij të parë solo, kitaristi i grupit legjendar “Queen” kujton se si puna me albumin e ndihmoi atë të përballonte një kohë kur grupi i tij, martesa dhe jeta e Fredi Mërkuri po përfundonin.

Brajan Mei ka dhënë një intervistë për “The Guardian”, më shumë se një javë pasi ishte planifikuar për shkak se bodrumi i shtëpisë së tij në Londër u përmbyt nga ujërat e zeza pas shirave të rrëmbyeshëm që ranë në kryeqytetin britanik.

Bodrumi ishte vendi ku ai dhe gruaja e tij, aktorja Anita Dobson, ruanin kujtimet e tyre. “Ishte një ngjarje që na bëri të ndihemi të dhunuar,” thotë Anita. “Është e trishtë të të humbasësh pasuritë e tua, t’i shohësh ato duke notuar në ujë. Më duhej të grisja të gjithë albumet e mia të vjetra të fotografive, ato që kisha patur qëkur isha tetë vjeç, për të provuar të ruaja fotografitë”.

Mei lindi në periferi të Londrës dhe ai ka patur një shtëpi në Londër gjatë gjithë jetës së tij.

“Unë mendoj se Londra është shkatërruar,” thotë ai. “Është brutale, e zhurmshme dhe e ndotur. Askush nuk ka asnjë konsideratë. Kështu që ne ndihemi sikur duam të “dalim jashtë, të ikim”. Kjo është shumë e dhimbshme. Unë e dua Londrën, jam rritur këtu. Por nuk mendoj se mund ta përballoj më”, thotë kitaristi, tashmë 74 vjeç.

Në fillim të verës së kaluar, ai pësoi një aksident gjatë punës në kopshtin e tij ku dëmtoi muskujt në vithet e tij dhe pesoi një sulm në zemër

Ndërsa aktualisht ai po risjell “Back to the Light”, albumin solo që krijoi mes viteve 1988 dhe 1992, një periudhë tjetër e vështirë për të.  Ishte kur Fredi Mërkuri, shoku i tij i grupit në “Queen”, ishte gjithnjë e rëndë për shkak të sëmundjeve që vinin prej diagnostikimit me AIDS, ku dhe vdiq në nëntor të vitit 1991 nga pneumonia bronkiale. Dhe kjo nuk ishte as gjysma e historisë.

“Isha i bindur se kishte mbaruar. Kaloja në të gjitha vendet që kishim luajtur dikur dhe mendoja: Nuk do të ngjitemi më në skenë sërish”.

“Më dukej sikur jeta kishte mbaruar,” thotë Mei për atë periudhë. “Isha shumë afër të rrëzohesha prej urës. Shumë herë. i isha afruar shumë. Ishte Ura Hammersmith”, thotë kitariste teksa qesh butësisht dhe shton “Ju nuk mund të kaloni mbi të tani”.

“E gjithë periudha e krijimit të albumit ishte një periudhë e errët”,- thotë ai. “Unë humba babanë tim nga kanceri në të njëjtën kohë me Fredin në vitin 1991. Dhe martesa ime përfundoi, sepse u dashurova me një grua tjetër (Dobson]. Martesa me siguri ishte duke marrë fund gjithsesi, por ky ishte katalizatori përfundimtar dhe ndarja ishte shumë e dhimbshme dhe e tmerrshme. U ndjeva sikur po humbja edhe fëmijët e mi. U ndjeva sikur po humbja gjithçka. Thjesht po përpiqesha të shtrëngoja rrugën time në errësirë ​​dhe muzika ishte e vetmja gjë pas së cilës mund të kapesha; ishte një lloj terapie. Në albumin “Back to the Light” ju më dëgjoni mua në një gjendje shumë të papërpunuar. Në fillim të tij ne po mësoheshim me idenë se do ta humbnim Fredin; në mes të tij e humbëm; në fund isha mësuar me humbjen.  Ajo që dëgjoni është një kapje e dëshpëruar pas një fije kashte që do të më nxjerrë sërish  në dritë”.

Më tej Brajan vijon duke thënë se atë kohë ai dhe shokët e tjerë të grupit ndiheshin sikur po mbyteshin. U desh një kohë e gjatë që ata ta kapërcenin atë përjetim të mbushur me mosbesim.

Ishte një periudhë dyvjeçare ku ne prej dhimbjes po silleshim në mënyrë joracionale, pothuajse duke mohuar ekzistencën e “Queen”.  Por tani e kuptoj që “Queen” është tek unë dhe unë jam tek “Queen” dhe kjo nuk mund të ndryshojë. Dhe arritëm në pikën ku tani duket sikur Fredi është me ne. Duket se ai nuk u largua më, sepse ai është në gjithçka që ne bëjmë. Unë nuk  kam kaluar kurrë asnjë ditë të vetme pa menduar për Fredin”, thotë Brajan./Me shkurtime nga “The Guardian”. GazetaPasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *