Reportazh i munguar i një dite feste në Tiranë!

shen-valentini-6-450x300Bjorn Runa

Përfytyroni një qytet ku qysh në orët e para të mëngjesit, kur gjumi nuk iu ka dalë ende mirë, ju duhet të përballeni me rrëmujën e një trafiku të rënduar, zhurmën e borive të makinave, ndërsa thithni gjithë përtesë ajrin ku tymi dhe  pluhuri enden si një vel i zymtë. Nuk është edhe aq e vështirë për ta imagjinuar apo jo? Kjo është Tirana në një ditë të zakonshme. Tani, përpiquni të parafytyroni tufa mimozash, në fund të bishtit të të cilave gjenden fëmijë që përpiqen të depërtojnë mes hapësirave të ngushta midis makinave; njerëz me fytyra të ngërdheshura, ku nuk kuptohet nëse ka ngrirë një buzëqeshje apo një sharje e lënë përgjysmë, me flokët gjithë shkëlqim ku shpesh vajisja e disa ditëve pa larë përzihet me xhelin e tepruar. Kjo është Tirana në 14 shkurt.

Që ne shqiptarët perceptojmë në mënyrë të gabuar çdo lloj feste, kjo tashmë dihet pasi është diçka me të cilën përballemi thuajse çdo muaj. Megjithatë, Shën Valentini është kulmi i shëmtisë estetike që mund të marrë një qytet, ku qytetaria ka nisur të japë shpirt prej kohësh. Makthi i kësaj dite nis kohë më përpara me pyetjet e tipit “Ku do e kalosh Shën Valentinin,” “Ç’dhuratë do bësh,” “Ç’dhuratë do marrësh,” të shoqëruara nga një buzëqeshje pështjelluese nënkuptimi, a thua se është vërtet kaq e vështirë t’i biesh në të se ç’duan të thonë me ato pyetje. Dhe, nëse ia dilni mbanë t’i mbijetoni javës, mos u shqetësoni, “tmerri” i vërtetë nuk ka ardhur ende. Veç gjithë telasheve të tjera që sjell një mëngjes në Tiranë, mëngjesi i 14 shkurtit sigurisht që ka ruajtur surprizat më të veçanta për ju. Në të vetmen ditë të vitit kushtuar intimitetit fizik dhe shpirtëror mes dy personave, në rrugë do të përballeni me grupe, e në rastin më të keq me turma njerëzish që shëtisin bashkë. Familje, prindër e fëmijë që hiqen zvarrë sa nga një kafe në tjetrën (epo, është festë në fund të fundit dhe katër apo pesë kafet e zakonshme të mëngjesit nuk mjaftojnë), i heqin çdo lloj kuptimi, qoftë edhe klisheje kësaj dite.

Urime! Sapo ia dolët mbanë pjesës më të mundimshme të ditës. Pritja e gjatë në trafik pas asaj “BMW-së” së bardhë që ka vendosur të ndalet pikërisht në mes të kryqëzimit, pasi ai tipi që mban veshur tuta “adidas” dhe këmishë “Armani” të njollosur nga djersa nuk ka vendosur ende për lulet që do të blejë nga shitësja me shami në trotuar, duket se ia ka vlejtur. Më në fund, mbrëmja ka ardhur dhe, sado e vështirë që është, do të përpiqeni të largoni nga mendja “makthet” e përjetuara gjatë ditës. Një shëtitje e vetmuar nëpër rrugët e zbrazëta të Tiranës do të ndihmonte sikur të mos qe për kutitë e çokollatave e ambalazhet e buqetave të luleve të hedhura kudo, ndërsa dikujt do t’i duhet të durojë ndoshta një natë  të gjatë, jo prej dashurisë, por vetëm e vetëm sepse dhurata që pati marrë për shën Valentin ishte tepër e shtrenjtë.

Megjithatë, këtë radhë gjërat shkuan paksa më ndryshe. Pas pritjes së ankthshme nëse aeroplani i John Kerry-t do të ulej apo do të ndërronte mendje e të kthehej pas duke i lënë shqiptarët në mjerimin e tyre, ne harruam për një çast shën Valentinin, dhuratat, Xhesikën dhe deputetin e “palestruar”, për të mos folur për zbulimin më të madh të shekullit, atë të valëve gravitacionale, të cilit veç pak sekondave në ndonjë kronikë të mërzitshme lajmesh, nuk iu kushtua kurrfarë rëndësie.

Më në fund, aeroplani vendosi të ulej pas mëdyshjes gjysmë-orëshe dhe sekretari Kerry zbriti. Takoi një president, që e priste qysh herët në mëngjes, a thua se do t’i vidhnin çastin e tij; kreu të gjitha ritualet formale të parashikuara e të stërthëna për mëse një javë në çdo ekran televizioni dhe në fund, pa shumë zhurmë u largua sërish, ndërsa pjesa më e madhe e njerëzve ende nuk e kishin kuptuar ç’po ndodhte.

Pas anglishtes së thyer të atyre pak njerëzve që përpiqeshin ta falënderonin e ta preknin si të ishte një ikonë e shenjtë a një gur fatsjellës, ne kemi më në fund një arsye të vërtetë për ta falënderuar e, jo thjesht sepse ai ekziston. Faleminderit, zoti Kerry sepse për herë të parë i kurseve shqiptarëve mëngjesin e tmerrshëm dhe makthin estetik të një feste si Shën Valentini.  Faleminderit, sepse sot ndërsa kthehesha në shtëpi, nuk m’u desh të shihja atë policin e muduar (i vetmi i mbijetuar i lodhjes) nga dyshja që i duhet të patrullojë në këmbë, ndërsa i merret fryma duke ngjitur kodrën.  Faleminderit, zoti Kerry sepse sot për herë të parë u ndjeva i sigurt në një qytet ku fjala “siguri” nuk ka patur kurrë kuptim.  E deri në festën e ardhshme, ndoshta do të dalë dikush tjetër për tu falenderuar, sepse duket se vetëm “një i zbritur nga lart”, mund të na japë qoftë edhe për një ditë normalitetin e munguar. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *