“Reja”/ Tirana mirëpret nga Londra instalacionin e arkitektit japonez, Sou Fujimoto

instalacionNjë nga veprat më të njohura të instilacionit të artit publik “Reja” (Cloud), ideuar nga artisti i mirënjohur japonez, Sou Fujimoto, po instalohet përpara Galerisë së Arteve në Tiranë dhe brenda pak muajsh do të shndërrohet në një ambient kulturor, me aktivitete të shumta për publikun. Vepra e mirënjohur “Reja”, e cila vjen për t’u shfaqur në Tiranë si një donacion i Fondacionit Luma, pasi ka qëndruar për disa kohë në Galerinë “Serpentine” në Londër, do të jetë e vizitueshme nga publiku kryeqytetas, e ndërthurur edhe me një kalendar të detajuar aktivitetesh nga Bashkia e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm në ambientet e jashtme të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku kjo vepër sapo ka nisur të vendoset u shpreh:

“Më vjen mirë që në një ditë me re, instalacioni që prezantojmë sot quhet “Reja” dhe në fakt është një metaforë edhe e motit, por mbi të gjitha është një kryevepër botërore, e cila transferohet në Tiranë e huazuar nga Galeria “Serpentine” në Londër”, u shpreh Veliaj.

Instalacioni që do të mirëpritet në Tiranë, është vendosur në Londër në vitin 2013 dhe është vizituar nga miliona banorë të Anglisë dhe Europës.

“Në pamundësi për të çuar gjithë Tiranën në Londër, në fakt po sjellim një pjesë të Londrës në Tiranë. Por, me buxhetin e limituar të Bashkisë së Tiranës, ne e kishim të pamundur të përballonim qoftë edhe qiranë apo punimet për instalacione të tilla, ndaj i jam shumë mirënjohës znj. Maya Hoffman dhe fondacionit “Luma” në Zvicër dhe Francë, të cilët kanë përballuar të gjitha kostot, si të transportit, të instalimit dhe të siguracionit”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se arkitekti me famë botërore, Sou Fujimoto, është një artist i cili ka marrë shumë çmime dhe me ketë vepër është fillimi i një stine ku jo vetëm instalacionet e artit publik, por edhe Teatri i Metropolit, Qendra Kulturore “Tirana”, qendra “Ten”, do të mbushin Tiranën me aktivitete të ndryshme kulturore. “Jam shumë i ndërgjegjshëm edhe për kërkesat nga komuniteti i artistëve, ku përveç infrastrukturës duhen investime edhe në kulturë dhe kjo është përgjigja jonë konkrete në këtë fillim viti për këtë komunitet, i cili beson se bashkia, përveç të gjithë punëve publike që duhet të bëjë, duhet të ketë një vëmendje të veçantë edhe për kulturën”, tha Veliaj.

Veliaj shtoi se punimet do të zgjasin 2-3 muaj, çka do të thotë se vepra do të jetë gati në fillim të pranverës.

“Ky instalacion është jo vetëm një vepër artistike, por në vetvete është edhe një hapësirë më shumë për artistët dhe ata që organizojnë aktivitete kulturore”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës. Ai tha se kalendari intensiv fillon nga janari, me instalimin e Sou Fujimoto dhe do të vijojë me punë e aktivitete të tjera që do të zhvillohen brenda kësaj vepre.

“Reja” ka një sipërfaqe rreth 541 metra katrorë dhe lartësia maksimale shkon deri në 7 metra. Krahas aksesit të vazhdueshëm të publikut të gjerë, “Reja” do të funksionojë si hapësirë e pavarur, me një kalendar të ngjeshur eventesh, të ndërtuar në bashkëpunim më partnerë kulturorë lokal, individë, institucione edukimi, komunitetet etj. Pavijoni është menduar si një hapësirë e lirë sociale dhe rrjedhimisht Fujimoto e ka përshkruar si “një terren transparent, një strukturë delikate, tre-dimensionale dhe çdo njësi është e përbërë nga shufra çeliku”. Frymëzuar nga strukturat organike, të tilla si pyjet, ndërtesat e Fujimoto jetojnë në harmoni mes natyrës dhe kanë një shtirje të gjerë në lidhje me territorin përreth.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *