Reflektim mbi librin “E vërteta për Nolin” i autores Entela Komnino

Nga Izaura HYSENAJ
Studente në universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës

E vërteta është mekanizmi që vë në lëvizje intelektin; forca që shemb dhe ndërton koncepte, ide dhe botë pa reshtur; drita vegim i së cilës ushqen ekzistencën tonë. Për të zgjeruar këtë përkufizim (që si shumë të tjerë në të tilla raste që synojnë të emërtojn të papërcaktueshmen janë jo shumë dobiprurëse), instiktivisht më kujtohet fabula indiane e të verbërve dhe elefantit.

 

Të verbërit preknin pjesë të trupit të elefantit duke kujtuar se po preknin mur, shtyll apo litar dhe gjithsecili prekte pjesë të së vërtetës së vet, pa qenë të vetdijshëm për metaforën që iu qeshej para tyre. E vërteta e Nolit nuk përjashtohet nga ky konstatim dhe i parë nga një optik mediative në qerthullin e universalitetit, nuk përjashtohet as nga karakteri relative i saj. I gjithë ky tis meditative, filloi që në titullin e veprës “E Vërteta për Nolin” dhe do të zhvillohet në degëzime të shumanshme pergjatë studimit duke i dhënë pyetjeve të lexuesit përgjigje që përbëjnë një rizbulim të këtij kolosi. Figurat poliedrike si Noli i kanë munguar publicistikës ose më saktë kanë qenë numurueshëm me gishtat e dorës.

 

Fatkeqësia e personaliteteve të kësaj periudhe dhe e Nolit në veçanti është që janë keqkuptuar, për të mos thënë keqinterpretuar dhe tjetërsuar qëllimisht. Shkrimtarët gjatë realizmit socialist (që në Shqipëri funksiononte sipas shprehjes më i krishterë se vet papa), ose janë përballur me lartësinë e apoteozave ose me humnerën e përhumbjes dhe që të dyja ishin vrastare. Noli megjithëse prift i ka shpëtuar kësaj të fundit pasi ideologjia e tij ishte atributi i masave. Duke anashkaluar pikëpyetjet për ekzistencën e pikëpamjeve të tij komuniste apo jo, duhet përmendur që është e qashtër qasja e tij idealiste. Noli nuk mund të studiohet i shkëputur nga koha dhe hapësira ku ai jetoi.

 

Atdhetarizmi i tij përbënte pjesën thelbësore të shkrimeve. Sipas një boshti diakronik spikasim se në përgjithësi atdhetarizmi në letra është ndërthurur me nacionalizëm të tepruar. Borgesi si eseist vuri në dukje që Plutarku admironte hënën e Korintit më shumë se të Athinës, që Miltoni i dha zotit nënshtetësinë angleze dhe që Fitche pohonte se të kesh karakter dhe të jesh gjerman është qartazi e njëjta gjë. Shembuj të tillë kemi pa fund dhe në letërsinë shqipe. Pikërishtë këtu ndryshon Noli.

 

Ai është i gatshëm ta shohë të vërtetën në sy dhe i paprekshëm nga euforit vanitoze. Shqipëria e tij ishte mbartëse e paradokseve që ishin shkrirë në AND-në e popullit, busulla e saj nuk gjendej më dhe kontraditat ecnin me dy këmbë. Duke shkuar nga perspektiva e së kaluarës në të sotmen dhe të ardhmen, ajo me te cilën ndeshemi është aktualiteti i Nolit sot. Noli është ende i gjallë, jo vetëm për shkak të veçorive të tij stilistikore, apo se Shqipëria e atëhershme nuk ndryshon shumë me të tanishmen, pasi Bijtë e Shekullit të Ri nuk i kanë bëre mirë detyrat e shtëpisë.  Më së shumti, ashtu siç shprehet dhe autorja, sot Noli është i gjallë për të njëjtën arsye që është i gjallë dhe Skënderbeu, duke merituar kështu në mënyrë të drejt piedestalin e “Heroit kombëtar të Ligjërimit në shqip”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *