Pornografia dhe paturpësia

David Herbert Lawrence/Përktheu Agim Morina
Të përcaktuarit e këtyre dy fjalëve varet kryekëput nga individi dhe nga këndvështrimi individual i gjërave. Ajo që për dikë është pornografi, për një tjetër është vetëm një e qeshur gjeniu.
Vetë fjala pornografi, na thuhet, do të thotë diçka që “u takon prostitutave”, d.m.th. diçka që e veçon prostitutën si të tillë. Por çfarë është sot prostituta? Nëse me këtë nënkuptohet femra që mashkulli e paguan para se të çojë dashuri me të, doemos duhet ta nxjerrim në pah të vërtetën se në të kaluarën një varg bashkëshortesh të ndershme kanë ditur të shiten, ashtu sikurse shumë prostituta që kanë çuar dashuri falas kurdo që u është tekur. Nëse femra nuk bart në vete një xixëz të prostitutës, ajo është atëherë një pispilingë dhe një indolente. Përkundrazi, shumica e prostitutave kanë një shkëndijë të fisnikërisë femërore. Por, ç’na duhen këto bindje këmbëngulëse dhe kundërshtuese? Ligji është megjithatë i thatë, ndërsa bindjet ndonjëherë nuk kanë lidhje fare me jetën.
I njëjtë është rasti me fjalën “paturpësi”: askush nuk e di çfarë do të thotë ajo. Le të supozojmë se e ka prejardhjen nga fjala latine “obscena”: ajo që nuk mund të shfaqet në skenë. A kemi sqaruar gjë me këtë? Jo, asgjë! Ajo çfarë është e paturpshme për Tomën, nuk është e paturpshme për Lusin apo Joen; dhe vërtet, kuptimi i një fjale duhet të presë që shumica ta përcaktojë atë. Nëse një vepër teatrore është e pahijshme për dhjetë persona në publik, por në të njëjtën kohë nuk është e pahijshme për 500 të tjerë, atëherë ajo vepër është e paturpshme vetëm për 10 persona, por është normale për 500 të tjerë: pra, për shumicën kjo vepër teatrore nuk është e paturpshme. Përkundrazi, Hamleti ka qenë skandaloz për të gjithë puritanët e epokës së Kromuellit, ndërsa sot nuk e skandalizon askënd, derisa disa komedi të Aristofanit e skandalizojnë pothuajse çdo njeri të sotëm, nuk shkaktonin asnjë cytje, si duket, te grekët e lashtë. Njeriu është shtazë e cila ndërrohet; dhe kuptimet e fjalëve të veçanta ndërrohen bashkë me të, dhe gjërat nuk janë më ato që janë dukur se janë, ajo çfarë është bëhet ajo çfarë nuk është, dhe nëse ne besojmë se e dimë ku jemi në gjithë këtë, kjo vjen ngaqë ne me kaq shpejtësi përkthehemi diku tjetër. Na duhet të lëmë gjithçka në duar të shumicës, gjithçka në duar të shumicës, që të gjitha t’ia lëmë në dorë turmës, turmës, turmës. Ajo e di se çfarë është e paturpshme e çfarë nuk është, po. Nëse dhjetë milionë vdektarë të zakonshëm nuk dinë më shumë se dhjetë pipiruqë, atëherë diçka s’është në rregull me rabushin. Votoni! Ngrini duart, dhe dëshmojeni me të numëruar! VOX POPULI, VOX DEI. ODI PROFANUM VULGUS! PROFANUM VULGUS!*
E po mirë, pra, e tëra përmblidhet në këtë pikë: nëse i drejtohesh turmës, kuptimi i fjalëve të tua është turmë-kuptim, që vendoset nga shumica. Fjala vjen, ashtu si më shkroi dikush: “Ligji amerikan mbi paturpësinë është shumë i thjeshtë dhe Amerika ka vendosur që ta zbatojë këtë ligj.” Mirë, i dashur, mirë, mirë, mirë! Turma e di çfarë është paturpësia. Shprehjet e papjekura të cilat rimohen me SPIT apo FARCE janë kulmi i paturpësisë.* Le të presupozojmë se radhitësi, gabimisht e vë shkronjën “h” në vend të “p”-së në një fjalë të thjeshtë SPIT! Atëherë publiku i madh amerikan e di se ky njeri paska bërë një paturpësi, një pandershmëri, se kjo është një punë amorale, dhe se, si shkrues, është pornograf i kulluar. Nuk mund të ngatërrohesh dot me publikun e gjerë anglez apo amerikan. VOX POPULI, VOX DEI, a nuk është kjo tashmë e njohur për ty? Nëse nuk e di atëherë do të ta mësojmë këtë. Në të njëjtën kohë kjo, VOX DEI, shkumëzon duke lavdëruar filmat sentimentalë, librat, artikujt e gazetave të cilët mua, amoralistit, më duken krejtësisht të neveritshme dhe të paturpshme. Si një pipiruq dhe puritan më duhet ta kthej shikimin mënjanë. Kur paturpësia kalon në shpërshije, formë e cila publikut i pëlqen në mënyrë të veçantë, dhe kur VOX POPULI, VOX DEI-it i ngjiret zëri nga harbutëria sentimentale, atëherë më duhet të ik ku sytë këmbët, si një farise, i cili ka frikë se mos infektohet. Asht njëfarë pisllëku i përgjithshëm ngjitës, që unë mohoj ta prek.
Dhe, prapë, arrijmë këtu: e pranon shumicën, turmën dhe vendimet e saj, ose nuk e pranon. Përkulesh para VOX POPULI, VOX DEI-t apo i mbyll veshët që të mos e dëgjosh se si ai zë uluron paturpshëm. Loz rolin e një palaçoje që t’i pëlqesh një publiku, atij DEUX EX MACHINE-s, ose mohon që të performosh për një publik të tillë, pos nëse aty-këtu nuk do t’ia ngresh veshin e madh dhe të përbuzshëm prej elefanti.
Kur është fjala për kuptimin e farëdo gjëje, qoftë ajo edhe më e thjeshta fjalë, duhet të ndalesh e të marrësh frymë. Sepse ekzistojnë dy kategori të mëdha, përherë të veçanta, të kuptimeve. Ka kuptim të turmës dhe ka kuptim individual. Merr, për shembull, fjalën “bukë”. Kuptimi i përgjithshëm është i thjeshtë: lëndë e përbërë nga mielli i bardhë që hahet. Por merr kuptimin individual të fjalës “bukë”: buka e bardhë, buka e zezë, bukë misri, bukë shtëpiake, era e bukës nga furra, korja e bukës, tuli i bukës, bukë pa majë, bukë fshatare, bukë franceze, vjeneze, bukë e ndiçur, bukë thekre, bukë “Graham”, bukë elbi, gjevrekë, brecel, krigel, bukë qumështore, pogaçe, lista është e pakufishme dhe fjala “bukë” të çon deri te kufijtë e kohës dhe të hapësirës, nëpër labirintet e kujtesës. Por nga kjo edhe përbëhet kuptimi individual. Fjala “bukë” do të shërbejë si pikënisje për udhëtimin personal të individit, kuptimi i saj do ta jetë kuptimi i vetë atij, i bazuar në reagimet e tij të mirëfillta sendërgjuese. E kur ndonjë fjalë e veçantë na vjen me veçantitë e saja dhe zgjon në ne reagimet tona intime, atëherë kjo na krijon një kënaqësi të veçantë. Përpiluesit amerikanë të reklamave e kanë zbuluar këtë, prandaj një pjesëz e literaturës amerikane e shkruar më mjeshtërisht gjendet, fjala vjen, në reklamimin e detergjenteve. Këto reklama janë gati poezi në prozë. Ato i jipin fjalës “detergjent” një kuptim individual, farfuritës e llamburitës, që është shumë mjeshtërisht poetike, e ndoshta do të mund të ishte poetike për mendjen e cila është mund të harrojë se ajo poezi është vetëm një karrem në grep.
(…)
Mirë! Pajtohemi – shpresoj – se PORNOGRAFIA është diçka e ndyrë. Shkurt e shqip, nuk na pëlqen. E pse? Ngaqë zgjon emocione seksuale?
Mendoj që jo. Pavarësisht se sa mund të ngulim këmbë e të pohojmë të kundërtën, por shumica prej nesh do që, së paku në njëfarë mase, të ketë një cytje të matur seksuale. Kjo na nxit dhe na ngroh si dielli pas vranësirës. Pas një apo dy shekujsh namusllëku puritan, kjo është megjithatë e vërtetë lakuriqe për shumicën e njerëzve. Mirëpo zakoni i turmës që ta dënojë çdo trajtë të seksualitetit është tepër i fuqishëm dhe na pengon që këtë të vërtetë ta pranojmë në mënyrë të natyrshme. Vërtet, ekziston një numër i madh njerëzish të cilët sinqerisht tmerrohen edhe nga nxitjet më të thjeshta dhe më të natyrshme seksuale. Por këta janë njerëz të çoroditur të cilët kanë arritur deri në atë shkallë sa të urrejnë njerëzit rreth tyre, të frustruar, të zhgënjyer, të papërmbushur, me të tillë, që për fat të keq, ky qytetërim yni është përplot. Dhe gati gjithnjë ata kënaqen, fshehtas, me forma të pathjeshta dhe të kundërnatyrshme të përnxitjeve seksuale.
Poende edhe kritikë mjaft të përparuar të artit herë-herë mëqaken të na bindin se çdo libër apo çdo pikturë e cila përmban “seksipil”, është IPSO FACTO libër i keq dhe pikturë e keqe. Kjo është vetëm dyfytyrësi; gjysma e poezive të mëdha, e pikturave, e veprave muzikore, madhështinë e tyre ia kanë borxh bukurisë së “seksipilit” të tyre. Pikturat e Ticianit apo të Renoarit, Kënga mbi këngët apo Xhejn Ejri, muzika e Mocartit apo Ani Lauri, të gjitha këto vepra i stolis bukuria e mbushur me seksipil apo me disa stimulime seksuale, quajeni si të doni. (…)
RRËFIMET E GËRRYTA
Çfarë është, pra, pornografia, mbas gjithë kësaj? Nuk është “seksipili” [seksualisht tërheqëse nga angl. ‘sex appeal’ vër. e përkth.] apo përnxitja seksuale në art. Nuk është as qëllimi i paramenduar i artistit që të nxisë emocione seksuale. Nuk ka asgjë të keqe në vetë emocionet seksuale, me kusht që ato të jenë të sinqerta, e jo të fshehura dhe dinake. Nxitja e mirë seksuale është shumë e dobishme për shëndetin e përditshëm të njeriut. Pa të jeta e njeriut do të bëhej e zymtë. Me shumë dëshirë do t’ua fusja nën hundë rrëfimet e gërryta të renesansës: ato do të na ndihmonin që të shpëtonim nga një pjesë e madhe e mendjemadhësisë sonë, kësaj sëmundjeje të njerëzve modernë.
Mirëpo, unë megjithatë do të censuroja pornografinë e vërtetë; edhe atë me shumë rreptësi. Kjo nuk do të shkaktonte kurrfarë vështirësish. Së pari, pornografia është gati përherë e fshehur. Ajo nuk e zbulon fytyrën e saj të vërtetë.Së dyti, atë mund ta njohim në bazë të fyerjeve të cilat në mënyrë të pashmangshme ia bën mendësisë njerëzore dhe seksit.
Pornografia përpiqet ta fyejë seksin, ta damkosë atë. Kjo është një gjë e pafalshme. Merreni shembullin më të mirë: fotografizat të cilat fshehtas shiten tinëzisht në kuartet e dyshimta të qyteteve të shumta. Atë që kam parë aty është aq e shëmtuar – për ta qarë me lot. Fyerje për trupin njerëzor, fyerje për marrëdhëniet më thelbësore njerëzore! Ato ofrojnë një lakuriqësi të shëmtuar dhe të neveritshme, të shëmtuar dhe nënçmuese, akt seksual vulgar, të keq dhe të trishtueshëm.
Rasti i njëjtë është edhe me librat të cilët shiten në kuarte të dyshimta. Ose janë të shëmtuar sa ju bën të villni, ose janë të mjerë deri në atë masë sa që vetëm horrat dhe malokët mund t’i shkruajnë, gjegjësisht mund t’i lexojnë.
Po kështu është rasti edhe me vjersha të paturpshme të cilat recitohen pas darke apo me anekdota të fëlliqura të cilat agjentët tregtarë i rrëfejnë në pufimore. Gjendet ndonjë vërtet qesharake, por shumica janë të shëmtuara dhe të ndyra, ndërsa i ashtuquajturi “humor” shërben vetëm si shkak që të baltoset seksi.
SEKSI NË KOTECE E NË BAJGA
Tani lakuriqësia njerëzore e shumicës së njerëzve të sotëm është thjesht e shëmtuar dhe e degraduar, ashtu sikurse akti seksual sot që është i shëmtuar dhe i degraduar. Por me këtë nuk do të duhej të krenoheshim. Ky është një kob i zi i qytetërimit tonë. Jam i bindur se asnjë qytetërim tjetër, duke futur këtu edhe atë romak, nuk e ka pasur, në masë kaq të madhe, lakuriqësi kaq të turpshme dhe të degraduar, një seksualitet kaq të shëmtuar, të fëlliqur dhe të trishtueshëm. E shkaku qëndron në faktin se asnjë qytetërim tjetër sikurse ky yni nuk e ka dëbuar seksin në kotece e ndër bajga e lakuriqësinë në nevojtore.
Janë të rinjtë e zgjuar që duken të vendosur në synimin që ta ndryshojnë një gjendje të këtillë në këto dy anë. Ata po e nxjerrin lakuriqësinë e tyre rinore nga kotecet e fshehta e ngulfatëse në të cilat i kanë futur brezat e vjetër dhe nuk i bien shumë rrotull kur vjen puna te marrëdhëniet seksuale. Si më të rreptë, brezat më të vjetër, e tmerrohen nga ky ndryshim, por ky paraqet një përmirësim të hatashëm dhe revolucion të vërtetë.
Habit megjithatë fakti se sa I fuqishëm është vullneti i njerëzve të thjeshtë e vulgarë që ta baltosin seksin. Si fëmijë kam pasur iluzione se njerëzit e thjeshtë e në dukje të shëndoshë të cilët i takojmë në trena, në autobusë apo në kafenetë, kanë ndjenja të shëndosha dhe shikim të sigurt, të shëndoshë e të ravijëzuar për seksin. Ky është një mashtrim! Mashtrim i rëndë! Përvoja na mëson se individët e këtillë shfaqin ndjenja dëbuese për të, dëshirë të neveritshme për ta poshtëruar atë. Kur njerëz të tillë kanë marrëdhënie me një femër, ata kanë një ndjenjë ngadhënjyese që kanë përbaltur dhe ajo është më e ulët, më e pavlerë dhe më e neveritshme se më parë.
ANEKDOTAT RRETH USHKURIT
Janë njerëz të kë këtij lloji që rrëfejnë anekdota rreth ushkurit, bartin me vete fotografiza të shëmtuara dhe lexojnë libra të pahijshëm. Kjo është klasa e madhe pornografike – femra të zakonshme rrugaçe e meshkuj të zakonshëm rrugaçë. Për seksin kanë urrejtje dhe përçmim, me ç’gjë njëjtësohen me puritanët më të përbetuar, dhe kur u kërkohet që ta ndajnë mendjen ata gjithmonë janë në anën e engjëjve. Këta janë ata të cilët këmbëngulin që heroina në ndonjë film të jetë neutrale, një gjësend joseksual i pastërtisë së shpërlarë; ata të cilët dëshirojnë që, ndjenjën seksuale, atë dëshirë të shëmtuar, ta shfaqë vetëm horri dhe gruaja e përdalë; ata i konsiderojnë pikturat e Renoarit e të Ticianit me të vërtetë të paturpshme dhe nuk dëshirojnë që gratë apo bijat e tyre t’i shohin ato.
Pse? Sepse janë të infektuar nga një urrejtje e papërmbajtur ndaj seksit dhe, në të njëjtën kohë, nuk mund ta mposhtin dëshirën e ndyrë për të. Funksionet seksuale në trupin e njeriut janë të lidhura ngushtë me funksionet e zbrazjes së të pëgërave, si me thënë, drejtimet i kanë krejtësisht të ndryshme. Seksi është një lloj zbrazjeje krijuese, derisa të qiturit jashtë të pëgërave është pasojë e shkatërrimit, gjegjësisht, shndërtimit, nëse mund të thuhet kështu. Çdo qenie e shëndoshë njerëzore e sheh qartë dallimin ndërmjet këtyre dy zbrazjeve. Ndoshta shtytjet tona më të thella e bëjnë këtë dallim.
Por te qenia njerëzore e degjeneruar këto shtytje të thella kanë vdekur dhe këto dy zbrazje bëhen identike. Kjo është fshehtësia e njerëzve të poshtër e pornografikë: zbrazja seksuale dhe zbrazja e pëgërave për ta janë një e njëjta gjë. E kjo zë fill atëherë kur shpirti qelbet, ndërsa shtytjet e fuqishme e udhërrëfyese shuhen. Atëherë seksi është ndyrësi, e ndyrësia është seks, cytja seksuale është lojë e ndyrë, ndërsa çdo gjurmë e seksit të femra bëhet dëshmi e përdalësisë së saj. I tillë është qëndrimi i njeriut vulgar, i cili është legjionar, e zëri i të cilit është VOX POPULI, VOX DEI. E këtillë është zanafilla e çdo pornografie.(…)
Gjithë problemi i pornografisë duket, prandaj, si problem i fshehtësisë. Pa fshehtësi nuk do të kishte as pornografi. Fshehtësia dhe modestia janë megjithatë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Te fshetësia gjithmonë ekziston një grimcë e frikës e cila shpesh shkon deri në urrejtje. Modestia është e brishtë dhe e përmbajtur. Modestia sot mund të thuhet se është përjashtuar, bile edhe në praninë e gjithë ministrave të Brendshëm. Përkundrazi fshehtësia gjen përkrahje, megjithëse ajo është ves. Ja këndvështrimi i bamirësve maskarenj: “Çupëza të dashura, mos kini turp për asgjë, derisa ta ruani fshehtësinë tuaj të vogël dhe të papastër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *