PO VDES NANË, SOT PO VDES

Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kan’ futur në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kan mbyll në thes linace.

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë.

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n’thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kan ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë.

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kan’ mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bolshevik, e as titista
as hetues, as komunista.

Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndrresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’Orrosh e as Ndërfush
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh e as n’Selitë
as kurkund nëpër Mirditë.

Zoti nan, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndrresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes.

Autori: Meti Fidani

Kushtuar vajzes mirditore, mesueses, Marie Tuci,(1928-1950), të cilën regjimi Enverian e torturoi ne menyrën më makabre, duke e mbyllur në një thes, lakuriq, bashkë me nje mace te egër… Nuk mjaftonin vetëm thonjtë e kafshës se egërsuar, por njekohesisht ajo goditej me mjete te forta nga hetuesat e gardianët e burgut, ne prani te grave te tjera të burgosura. Pse? Sepse mendonte ndryshe… Vdiq e masakruar nga shqipfolesit e nje ideali pa ideal…
Mallkuar qofshin, persekutorët e saj!

2 comments

  • Do te deshiroja te vazhdonit perpara me aktivitetin e faqes suaj! E kam ndjekur ne vazhdimesi dhe eshte me te vertet interesante dhe terheqese dhe do te ishte keqardhese te nderpritej ketu! Gjerat e bukura e gjejne kurdohere rrugen e vet!

    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *