Po sikur gjithçka që dimë mbi historinë e njerëzimit të jetë e gabuar?

Antropologu dhe aktivisti anarkist David Graeber, një prej organizatorëve të parë të lëvizjes “Occupy Wall Street,” shkruantë një vit më parë në Twitter: “Truri më dhemb nga një befasi e mpirë. Ka përfunduar?”

Fjala ishte për librin që po përgatiste prej thuajse një dekade me arkeologun David Wengrow, që synonte as më pak e as më shumë se sa të ndryshonte gjithçka që mendojmë se dimë për origjinën dhe evoluimin e shoqërive njerëzore.

Edhe përpara famës që do t’i jepnin ditët e tij si aktivist i lëvizjes “Occupy Wall Street,” Graeber ishte cilësuar si një nga mendjet më brilante në fushën e antropologjisë. Megjithatë, libri më ambicioz i tij do të ishte edhe i fundit. Kjo, pasi vetëm një muaj pas njoftimit në Twitter se libri i tij kishte përfunduar, Graeber do të ndahej nga jeta në moshën 59-vjeçare nga një sëmundje e rëndë.

“Agimi i Botës: Një histori e re e njerëzimit” mund të ndryshojë ose jo narrativën tanimë të njohur nga autorë si Yuval Noah Hararir apo Jared Diamond. Kritikat për librin e Graeber kanë qenë pozitive dhe thuajse superlative, ndërsa vetëm tri javë pas publikimit, botuesit i është dashur të porositë edhe 75.000 kopje veç 50.000 kopjeve të shtypura fillimisht.

David Wengrow, profesor në University College në Londër dhe bashkautor i librit u shpreh se përmes tij ata u përpoqën të sintetizojnë zbulimet arkeologjike të dekadave të fundit, që ende nuk kanë zënë vend në ndërgjegjen publike.

“Një pamje krejt e re e të shkuarës së njerëzimit dhe mundësive që e presin është duke u shfaqur,” thotë Wengrow. “Dhe duket se nuk i aspak historive që qarkullojnë aktualisht.”

Autorët më të shitur të librave mbi historinë e njerëzimit si Harari, Diamond dhe të tjerë dallojnë nga njëri-tjetri. Megjithatë, sipas Wengrow, ata i përmbahen narrativës së zhvillimit linear. Sipas kësaj historie, nuk pati ndonjë zhvillim të rëndësishëm për rreth 300.000 vitet e para pas shfaqjes së Homo Sapiens. Njerëzit jetonin në grupe të vogla nomade dhe merreshin me gjueti, derisa shpikja e papritur e agrikulturës rreth 9 000  vjet para Krishtit krijoi edhe shoqëritë e para sedentare dhe shtetet e bazuara në hierarki, pabarazi dhe burokraci.

Graeber dhe Wengrow pretendojnë se kjo narrativë është e gabuar. Sipas tyre, zbulimet e fundit arkeologjike tregojnë se njerëzit e parë jo vetëm që nuk ishin robër të evolucionit, por në mënyrë të ndërgjegjshme kanë eksperimentuar me një sërë formash politike.

“Të gjithë ne jemi projekte të vetëkrijimit kolektiv,” shprehen ata. “Po sikur, në vend të historisë që thotë se shoqëria jonë ra nga një gjendje idilike barazie, të pyesim se si përfunduam në kurthin konceptual, nga i cili jo vetëm nuk mund të dalim, por e kemi të pamundur edhe të imagjinojmë rrugëdaljen dhe të rishpikim veten?”

Dhjetë vjet më parë, kur Graeber dhe Wengrow nisën punën për librin e tyre, menduan se mund të ishte një histori e shkurtër mbi origjinën e pabarazisë sociale. Por, shpejt do të bindeshin se një pyetje e tillë ishte e gabuar në vetvete.

“Sa më tepër që e mendonim, na lindte pyetja se përse historia e njerëzimit duhet trajtuar sipas kësaj dileme? Kjo nënkupton që dikur, përpara shumë kohësh ka patur diçka tjetër.”

Librat më të fundit mbi historinë e njerëzimit janë shkruar nga gjeografë, ekonomistë, psikologë dhe shkencëtarë politikë. Ndërkaq, shumica e tyre shkruajnë brenda kornizës së evolucionit biologjik. Graeber dhe Wengrow nga ana tjetër shkruajën në traditën e Weber, Durkheim dhe Levi-Strauss. Libri i tyre përfshin aludime mbi varrimet princërore në Europë gjatë epokës së akullnajave si edhe ndikimet politike të agrikulturës në tokë të thatë dhe pranë lumenjve. Gjithashtu, ata trajtojnë edhe kompleksitetin e ngulimeve para-agrikulturore në vende si Japonia.

Pavarësisht gjithçkaje, pyetja ngrihet se kush mund të ketë autoritetin e të gjykuarit nëse ato çfarë trajtohen në libër janë të vërteta apo jo?

Historiani Daniel Immerwahr e  cilësoi Graeber si një “mendimtar çmendurisht kreativ” në ktritikën e tij për “The Nation,” ndërsa ngre pyetjen nëse hipotezat e trajtuara në libër mund të jenë të besueshme apo jo.

James C. Scott, studiues i njohur i shkencave politike në universitetin e Yale u shpreh se një pjesë e argumentave të Graeber dhe Wengrow do të hidhen poshtë nga studiues të tjerë. Megjithatë, ai tha se dy autorët i kanë dhënë një goditje fatale idesë tanimë të dobët se krijimi i shteteve me bazë agrikulturën ishte ajo çfarë njerëzimi kish pritur të arrinte qysh prej fillimit.

Graeber dhe Wengrow shqyrytojnë nje sërë provash që mbështesin idenë se shoqëri të mëdha e komplekse kanë lulëzuar në mungesë të një shteti të organizuar, ndërsa liria përkufizohet kryesisht si “liri për mosbindje.”

“Kemi arritur në atë stad të historisë, ku shkencëtarë dhe aktivistë bien dakord se sistemi aktual e ka vendosur botën dhe njerëzimin në prag të një katastrofe,” thotë Wengrow. “Te gjendesh i paralizuar dhe me horizontet e ngushtuara nga një perspektivë false mbi potencialin e njerëzimit, e gjitha bazuar mbi një koncept mitologjik të historisë, kjo nuk është një pozitë e favorshme për t’u gjendur.”/ New York Times/ Solli në shqip, Bjorn Runa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *