Mjekët në pension që ndihmojnë pacientët e vegjël përmes internetit: Dr. Zerina: Këshillimin online sot, e quaj domosdoshmëri

Teksa interneti është kthyer në burimin e parë sa herë kemi një shqetësim të caktuar që lidhet me shëndetin, shpesh informacioni që marrim është ose i ekzagjeruar ose i pasaktë. Kjo ndodh natyrshëm pasi shpesh ai është një informacion që nuk vjen nga profesionistët. Por teknologjia është një ndihmë e çmuar, kur ajo përdoret nga mjekë si Zerina Sheme, e cila kur nisi pandemia nisi t’i përkushtohej pacientëve të saj online, duke ndihmuar prindërit me sugjerime dhe orientime për shqetësimet që ata i komunikonin. Pavarësisht se ka dalë në pension, Zerina ka zgjedhur të mbetet mjeke deri në fund, duke ndarë përvojën e saj. Dhe u përgjigjet të gjithëve, në momentin më të parë që mundet. Gjithashtu  ajo ka hapur edhe një kanal në Youtube, ku jep këshillat e saj për porblematika që prekin të vegjlit.

Dr. Zerina për ata që nuk ju njohin, prej sa vitesh keni punuar si pediatre?

Kam mbaruar fakultetin e Mjekësisë në vitin 1981. Fillova punë në spitalin e Lushnjes si mjeke stazhiere. Atëherë ishte sezoni i verës dhe kishte nevojë për mjek në repartin e Pediatrisë. Përballja me raste urgjente është sfidë më vete që e kam kaluar falë ndihmës së ekipit të mjekëve pediatër në këtë pavion. Përulem me nderim dhe respekt para tyre. Në punë njeriu mëson më shumë se në libra. Ndjenjat njerëzore, kur janë në mes fëmijë të sëmurë, e lidhin mjekun me prindërit në një dimension të ri. Kjo ndjesi e bën mjekun më të përgjegjshëm dhe më human. Pas ristrukturimit të sistemit shëndetsor në vitin 1991 u transferova në Poliklinikën e Rrethit Lushnje, në shërbimin ambulator. Kam punuar gjatë gjithë kohës si pediatre deri sa dola në pension. Afërsisht 4 dekada.

Personalisht ju kam parë fillimisht në internet ku në mos gaboj koha e pandemisë ju bëri mjaft aktive në rrjet… Çfarë ju shtyu drejt këtij vendimi?

Dalja në pension ka aspektin e vet psikologjik. Ishte e vështirë shkëputja nga profesioni. Në vetvete e ndjeja se kisha akoma energji për t’i dhënë prindërve të rinj këshilla rreth shëndetit të fëmijëve. Mosha e pensionit koincidoi me pandeminë. Falë internetit i ruajta kontaktet me ish pacientët e mi. Përparimet e teknologjisë na e bëjnë më të lehtë jetën dhe përmirësojnë cilësinë e saj si kurrë më parë në historinë njerëzore. E rëndësishme është që këto risi t’i përdorim me pozitivitet. Edhe pasioni për rrjetet sociale nuk njeh moshë. Më pëlqen të ndaj me miq, qoftë edhe virtualisht vlerat më pozitive, humane, për të cilën kemi nevojë të gjithë.

Ju tashmë jeni mjeke në pension dhe ndryshe nga shumë kolegë tuajt duket se keni akoma energji për t’u marrë me pacientët e vegjël? Si mendoni a ka njeriu një kohë pensioni?

Mosha është thjeshtë një shifër. Varet si ndjehesh. Edhe koha në dispozicion nuk mungon. Duhet t’a shfrytëzojmë atë në dobi të njerëzve në nevojë. Mendoj se në këtë moshë ja vlen të ndash me miqtë eksperiencën 40 vjeçare, etapat dhe sfidat e vështira që kalon mjeku që ka përjetuar në dy sisteme të ndryshme sociale dhe politike. Njëkohësisht interneti të jep mundësinë të azhornohesh (nga shtëpia) me studime të reja, me publikime të ndryshme edhe në fushën e Mjeksisë.

Ju merrni pyetje e shqetësime nga nënat çdo ditë, si ka ndryshuar kujdesi dhe vëmendja ndaj fëmijëve sot, çfarë ju bën juve përshtypje?

Niveli i prindërve sot ka ndryshuar. Janë ndërgjegjësuar për atë që është më e mirë rreth shëndetit të fëmijës. Mirëqenia ekonomike gjithashtu është rritur. Në kohën e rinisë sime njerëzit e blinin një kilogram mollë vetëm në rast sëmundje, sepse nuk plotësoheshin nevojat e tregut. (Mollët e Korçës shkonin për eksport) Ndërsa sot gjen në treg jo vetëm të stinës, por edhe fruta ekzotike. Edhe informacioni është vetëm një klikim larg. Por duke qenë kaq i shumtë, nuk e përzgjedhin dot. E quaj domosdoshmëri këshillimin online.

Çfarë ju shtyn që pavarësisht moshës të jeni kaq prezente si në Facebook si në youtube me këshillat tuaja dhe çfarë përfitojnë prindrit kur zgjedhin të komunikojnë me ju?

Kam parë në Google plot këshilla pediatrike nga mjekë pediatër, në anglisht, por në shqip nuk e gjeja akoma ( përveç informacioneve mediatike). Pra, komunikim në kohë reale me një mjek. Dy fëmijët e mi që kanë studiuar elektronikë më sygjeruan të pregatis në Power Point këshilla shëndetsore dhe t’i shpërndaj nëpërmjet Youtube. Aty shpjegohen me fjalë të thjeshta situata të ndryshme sëmundjesh, shkaqet dhe në fund çdo video mbyllet me disa këshilla praktike për prindër të rinj. Ky informacion vlen edhe për gjyshërit, kujdestarët e fëmijëve, personeli infermieror dhe ai i konsultoreve të fëmijëve. Në këtë mënyrë mbaj aktiv trurin tim dhe bëhem e dobishme për ato që kanë nevojë për ndonjë këshillë. Asnjëherë nuk lëshoj receta online. Por këshillat (falas), janë edhe si psikoterapi për prindërit e rinj. Të jesh e dobishme për të tjerë është një motiv që të nxit t’a jetosh jetën sipas mënyrës që dëshiron, do të thotë t’i japësh kuptim jetës.

Pyetjet më të shpeshta të prindërve janë në lidhje me ushqyerjen, kujdesin për temperaturën, pse djersin fëmija ; interpretime të analizave të ndryshme; kur duhet të shqetësohen dhe sa kohë duhet të presin për efektin e ilaçeve, kohëzgjatjen e mjekimeve, përkujdesjet e ndryshme që lidhen me mjedisin ku banon fëmija; kur duhet t’a çojnë fëmijën në urgjencë, etj, etj.

Si jeni adaptuar me rrjetet sociale, e patët kollaj të mësoheni me to e për më tepër të përgigjeni dhe në kohë reale?

Kur e hapa Facebook para 11 viteve ishte thjeshtë kureshtje. Por, më tej mendova: pse mos t’a shfrytëzojmë për të shpërndarë informacione të dobishme për të gjithë ne. Nga natyra jam shumë analitike. Kjo më ndihmon të thellohem edhe në diagnozë, Është më mirë të jesh vëzhgues, të gjesh shkaktarin dhe të mundohesh t’a shmangësh atë. Se sa të pish ilaçe pa fund. Ka disa principe bazë në mjekësi që mjeku duhet t’i respektojë dhe pacienti duhet t’i dijë. Kjo është pjesë e etikës profesionale. Nëse ka bashkëpunim me pacientin ( prindin e fëmijës) edhe suksesi është më i garantuar. Për të gjithë të interesuarit në lidhje me shëndetin e fëmijëve, i ftoj të regjistrohen në kanalin tim në Youtube, duke marrë këshilla falas, tek linku i mëposhtëm . Mirëpres sygjerimet tuaja, pyetjet dhe mendimet se si t’a bëjmë më funksional këtë kanal. Faleminderit për intervistën. https://youtube.com/channel/UC79u_Y3oH8rvxfT9wJxx7jA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *