Plagjaturat moderne dhe “kanuni” shqiptar i shtypit

Plagjaturat dhe e drejta e autorit janë bërë shpesh në këto 20 vitet e fundit, temë bisede e diskutimi nëpër mediat e rrethet intelektuale, kulturore e politike shqiptare, duke sjellë në fokus bjerrjen e vlerave reale dhe rënien në nivele të turpshme profesionale e morale të protagonistëve që i bartin. Në ditët e sotme, me bumin e informacionit që na rrethon, në dukje është nga njëra anë e lehtë të shkosh tek burimi i ideve e madje të arrish të kopjosh e të përvetësosh jo vetëm ato, por edhe vepra të tëra intelektuale, letrare, muzikore, shkencore etj, në realitetet kur patentimi apo çertifikimi i tyre, si dhe kontrolli, verifikimi apo ndëshkimi i autorëve që bëjnë “kondravajtjen” në fjalë, rrallë se gjen terren legal, pavarësisht kodeve etike e sanksioneve ligjore në fuqi dhe ekzistencës fizike të agjensive e institucioneve të ngritura për mbikqyrjen e fenomenit në vitet e fundit. Nga ana tjetër, mundësia për të shtuar numrin e recipientëve – nëpërmjet interaktivitetit (në internet) që mundëson në pamje të parë pjesëmarrja në rrjetet virtuale sociale, apo aksesi në forumet, portalet, blogjet, revistat apo faqet web, përtej formave tradicionale si librat, shtypi apo radiotelevizoni – e bën shpeshherë të kotë që në gjenezë një përpjekje të tillë, pasi në rastin më të mirë, do të përballesh me reagimet, linçimet publike apo profesionale, që në thelb thjesht mbesin në kuadrin e reagimeve jolegale e që nuk sjellin kurrfarë pasojash, përveç “turpërimit” momental të autorëve.

 

Plagjatura klasike dhe ajo emblematike

Kemi dëgjuar ndërkohë pretendime se Noli për shembull, paskësh vjedhur idetë e veprat e Konicës dikur, apo se filan shkrimtar ka përshtatur, kopjuar e madje edhe përvetësuar veprat e filan autori, një përkthyes thjesht ka ndërruar emrin e kolegut në një libër të ardhur nga kohë e gjuhë të tjera, një autor fjalori i ka vjedhur punën disavjeçare një ish-kolegut që ka ndërruar jetë e që kish lënë gjithçka në dorëshkrim gati për botim, etj. Pa dashur të citoj emra konkretë, është pretenduar gjatë këtyre viteve të demokracisë se ka pasur edhe raste të veçanta gjatë diktaturës moniste, ku autorët e vërtetë të veprave intelektuale, studimeve shkencore, apo krijimeve letrare, mund të gjendeshin pas hekurave të burgut e ata të rremë, në katedra akademike apo në shkallët e larta të pushtetit. Po kështu ndodh shpesh sot në media, kur varfëria intelektuale, mosthellimi, apo dëshira për protagonizëm, sjell ndonjëherë jo vetëm plagjatura klasike, por edhe tautologji e përsëritje të rëndomta (shpesh të vetvetes) jo vetëm të tematikave në mënyrë periodike, por edhe të teksteve e materialeve të shumta të kopjuara fjalë për fjalë, që në monentin e botimit paturpësisht shiten për lexuesin sikur botohen për herë të parë. Ka ndodhur që të harrohet me kast emri i autorit, përkthyesit, të mos citohen apo injorohen me ndërgjegje burimet, ka ndodhur rëndom madje që komente të platformave të mirënjohura të mendimit politik, ekonomik e intelektual perëndimor, të përcillen nën emrin e ndonjë VIP-i mediatik, në formën e “opinioneve” e “analizave” të ardhura nëpërmjet metodës tashmë të “mirënjohur”,  COPY/PASTE, ku mundimi i vetëm ka qenë vetëm përkthimi në shqip (për veprimin e fundit mbetet sidoqoftë dyshimi, nëse edhe atë ta kenë bërë vetë, apo jo???!!!) pa e vrarë mendjen fare se origjinali mund të konsultohet lehtësisht nga interneti, qoftë edhe me njohuri mediokre të anglishtes apo italishtes. E njejta gjë ndodh shpesh në muzikë, kur një këngëtar vjedh rëndom motive e ritme nga një koleg apo grup i rajonit, apo thjesht sajon një tekst e u jep jetë krijimeve kinse vetjake, që më pas kthehen në hite “shumë të dashura” për publikun. Shumë më pak ndjehet ky fenomen aktualisht në vendin tonë në lëmin e shkencës, falë kjo nivelit shumë të ulët apo inekzistent të kërkimit shkencor e si rrjedhim respektivisht, edhe i pretendimeve përkatëse.

 

“Dokrrat pa vlerë” dhe shembujt nga bota

Dokrra pa vlerë e vogëlsira infantile do t’i dukeshin ndokujt këto pretendime, ndërkohë që jetojmë në një shoqëri ku ndodh që të shiten e të blihen ditën për diell tituj e diploma, grada e medalje, apo për ta shtrirë edhe më tej si fenomen, të trafikohen mandate deputetësh e të blihet heshtja (apo të projektohet përbaltja e kundërshtarit deri në ekstrem), të këmbëhet posti apo të shitet nderi, paçka se bartësit e tyre mund të jenë publikisht “të nderuar e të respektuar deri në …infinit”. Jo shumë kohë më parë nga bota demokratike na erdhën në ndihmë raste emblematike e tepër domethënëse kur ish-Ministri gjerman i Mbrojtjes, një yll në rritje i politikës së ditës në vendin e tij e bartës i vlerave më të mira morale të partisë së vet, u desh të jepte dorëheqjen për shkak të dyshimeve se kishte ushtruar plagjaturë gjatë procesit të pajisjes me doktoraturë. Po ashtu ndodhi edhe me ish-Presidentin hungarez. Në nivele më të ulëta, hasen edhe shembuj të tjerë që na vijnë në ndihmë nga bota në të cilën po synojmë e pretendojmë se do të shkojmë.

 

Akuzat e Kristo Floqit për S. Malëshovën

Sidoqoftë, nëse do t’i referoheshim plagjaturës si fenomen i mirëfilltë në terma lokalë, duket se ajo paskësh qenë një problem i hershëm në Shqipëri, edhe në kohë për të cilat ndoshta nuk do na kishte shkuar ndërmend dhe ku rezultojnë të përfshirë edhe personazhe të njohur të kohës, apo të kohëve që do vinin. Zor se gjen dëshmi që fenomeni në fjalë të ketë prekur fusha në të cilat ai, në ditët e sotme është më vulnerabël. Sidoqoftë, ai hasej në letërsi e shtypin e shkruar, nëpërmjet botimit në media të pjesëve të shkurtra letrare, përkthimeve, kritikave, recensioneve e iniciativave të ngjashme, duke kërkuar në shumë raste protagonizëm (ndonjëherë të pamerituar) në platformat e pakta në shqip që ekzistonin për kohën. Interesante m’u duk të sjell në këtë kontekst reagimin kinse të redaksisë së revistës AGIMI, që botohej në Shkodër në vitin 1919 si organ i Shoqërisë patriotike e kulturore “Vëllaznija”, nën drejtimin e Dr. Kristo Floqit, përballë pretendimeve të Sejfulla Malëshovës, ku ky i fundit akuzohet jo vetëm si njohës i cekët i “grackave” të shqipes “zyrtare” e dialekteve të saj, por edhe si plagjator i veprave të autorëve të tjerë, duke u kërcënuar seriozisht me pasojat që vinin nga “Kanuni i shtypit”.

 

Ashpëria e “Kanunit” shqiptar të shtypit

Aty nuk citohet se kur ishte përpiluar e çfarë përmbante ky kanun, se cilat mund të ishin masat ndëshkuese për kondravajtësit, porse theksohet në formë eksplicite ashpërsia e tij, çka na bën sot të mendojmë se kjo çështje paskësh qenë e rregulluar më së miri me ligj qysh atëherë, paçka se shteti e shtypi shqiptar, s’ishin veçse në gjenezën e tyre. Ky fakt përbën një kontradiktë të turpshme me kohët e sotme, duke menduar se si është vepruar e po veprohet në Shqipëri me pasurinë intelektuale, individuale e kolektive në të gjitha fushat, pavarësisht në dukje prurjeve të panumërta e botimeve pa masë. Konkretisht, në një pasazh në lidhje me këto që thamë, aty shkruhet se: Z. Malëshovën e lusim, mbassi mirret me letretyrë shqipe, përpara se të shkruej artikulla e kritika mbi letratyrë e shkrimtarë t’onë, të mësojë ma parë gjuhën skqipo edhe kur të mërrijë m’u ba edhe si shkrimtar shqiptar të mësojë mirë edhe kanunin e shtypit, i cili i ndëshkon rreptësisht ata njerëz qi grabisin shkrime prej libravet tjerë edhe i botojnë si t’ishin të tyne. Akuzat vinin në mënyrë jo direkte (dmth. nga redaksia AGIMI zyrtarisht) nga një personalitet i kohës si avokat Kristo Floqi, me merita të shquara patriotike e që vetëm një vit më pas do të hipte edhe në postin e Ministrit të Arsimit (më 19 nëntor 1920, kur kryeministër ishte Iliaz Vrioni), për të mos përmendur më tej kontributet e tij në themelimin e Federatës Panshqiptare VATRA e drejtimin e organit të saj të famshëm DIELLI, në Boston.

 

Malëshova dhe fati i tij

Malëshova që më vonë do të bëhej ndjekës i mësimeve të Nolit – ishte Sekretari i tij dhe njëri ndër revolucionarët e parë majtistë shqiptarë (kishte shkuar qysh në vitin 1926 në ish-BRSS dhe kishte përjetuar në vitet ’30 nga afër represionin stalinist, por edhe ngritjen intelektuale si student e pedagog filozofie në Moskë), ideolog i Partisë Komuniste Shqiptare e anëtar i hershëm i Kominternit, rikthyer në Shqipëri në vitin 1941,  fill pas Çlirimit për një kohë të shkurtër, si për ironi të fatit, do të bëhej edhe Ministër i Arsimit, duke shkelur në rrugën e “akuzatorit” të tij, para se të përjetonte purgën ndëshkuese të sistemit që lamë pas. Në kohën për të cilën po flasim, ai s’ishte veçse në fillimet e veprimtarisë së vet intelektuale e letrare, e cila duhet thënë se më pas pati një kurbë të admirueshme në rritje. Sidomos gjatë viteve të Luftës së Dytë, atij i numërohen në shtypin shqiptar e jo vetëm, disa nga poezitë, kritikat e copëzat letrare botuar nën pseudonimin Lame Kodra. Ai njihte disa gjuhë të huaja, shquhej për kulturë të gjerë dhe në krahasim me kastën politike që po vinte në pushtet pas Luftës në Shqipëri, vlerësohej me distancë si njeriu me përgatitjen më të plotë intelektuale e eksperiencën më jetëgjatë. Por, sipas pretendimeve të botuesit në fjalë, S.Malëshova vlerësohej në vitin 1919, edhe për shkak të moshës shumë të re, akoma një emër anonim e pa kontribute, për të cilin madje hidheshin dyshime, nëse ai ishte emri i tij i vërtetë, apo një pseudonim i rastit, ku siç merret me mend, në polemikë haseshin pa doreza edhe doza të dukshme ironie. Gjithashtu nga autori i polemikës në fjalë, K.F. duket se synohet të ngrihen më lart kontributet e Hil Mosit, e të errësohen e minimizohen ato të Jul Varibobës apo autorëve të tjerë, për shembull. Më poshtë teksti i plotë i reagimit polemizues të Kristo Floqit, nën titullin “Nji andërr e çuditshme”, botuar në revistën AGIMI, V. I, Nr. 8, 1919, fq. 132.

* *

“Nji andërr e çuditshme”

Kështu na u duk Nr. 35 i Kuvendit kur këndueme letrën e hapun të Z. Sefulla Malëshovës, prandej na u duk e arsyeshme titullin e përgjegjes, qi duem t’i apim këti zotnije t’a emnojnë nji andërr të çuditshme, qi t’a çquejmë edhe ma mirë mendimin t’onë qysh në krye, e kështu me i dhanë ma mirë me kuptue edhe atyne qi kanë sy e nuk shofin, kanë tru e nuk mendojnë e ndoshta kanë edhe veshë e nuk ndigjojnë. Na edhe nuk e dijmë mirë Z. Sefulla Maleshova, a asht emni i vertetë i ndonji shkrimtari – qoftë shëndosh se nuk ja kishin ndëgjuem asnji herë zanin në lamë të letratyrës-a por mos asht pseudonimi i nji zotnije prej qytetit të Shkodrës, i cili na e pat dhanë atë artikull m’e e botuem në gazetën t’onë; por prap sido qi të jetë puna na këti zotnisë nuk mundim me ndejtë pa ja dhanë përgjegjen qi lypë prej nesh. Z. Sefulla Malëshova kur thotë, qi nd’atë artikull “Shënime të shkurta mbi letërsinë e gjuhës shqipe” se për shkronjësit e gjallë nuk fola, jo veç qi nuk difton aspak të drejtën, por na shtjen ner dyshime shumë të këqija per atë zotni, tue qenë se simotra e jonë “Giovane Europa” qi e kemi para sysh e qi ma përpara e botoi atë artikull, flet edhe për shkrimtarët e gjallë, si Schiro-hin, Atë Fishten e C. Seremben. Z. Sefulla Malëshova po të vejë nji palë gjyslykë e t’a këndojë mirë Agimin e shef se At Fan Noli, Andon Çakoja edhe At Vinçenc Prendushi janë të përmendun nd’atë artikull. Na vjen keq qi Z. Malëshova, mbassi u mirrka me letërsi shqipe, nuk paska mesuem edhe mirë me i shqipruae emnat. Emni Loreçhio në shqipe këndoghet Lorekio e jo Llorequa, e cila trajtë as në djalektin tosknisht nuk tingllon mirë në vesh. Z. Malëshova thotë se do të kish lanë jashtë Gramenon e Mosin, tue qenë se mbas mendjes së tij të dy kushedi mund të numrohen në nji traktat letrësije, nonse të dy shkrimtarët me libra të botuem e me tjerë të pa botuem e kanë ba vehten e tyne popullorë në Shqypni, shumë ma tepër se Santorot e Varibobat, qi mjerisht nuk janë të njoftun në popull t’onë. Këtu po shtojmë edhe se bashkëpunëtor’i ynë Mosi përveç libravet të botuem ka edhe disa tjetër si origjinale ashtu edhe përkëthime të klasikëvet si të Goethes, Molieres e të Schillerit.

Z. Malëshova kur na e dha artikullin për m’e botuem, na e pat dhanë, nuk dijmë se per cilën arsye në gjuhë italisht edhe na si e pamë qi nd’atë artikull bahej fjalë për disa shkrimtarë të gjallë, kryetar i shoqënisë s’onë, tue mos dashtë me fyem edhe tjetër shkrimtarë të gjallë, i mori lejen per me i shtuem edhe disa tjerë edhe me pëlqimin e plotë të tinë u botuenë n’Agim. Z. Malëshovën e lusim, mbassi mirret me letretyrë shqipe, përpara se të shkruej artikulla e kritika mbi letratyrë e shkrimtarë t’onë, të mësojë ma parë gjuhën skqipo edhe kur të mërrijë m’u ba edhe si shkrimtar shqiptar të mësojë mirë edhe kanunin e shtypit, i cili i ndëshkon rreptësisht ata njerëz qi grabisin shkrime prej libravet tjerë edhe i botojnë si t’ishin të tyne. Këto dy vrejtje i bamë për dy arsyena:

a)  Sepse Z. Malëshova nuk e din aspak djalektin tosknisht, në vend qi letra e tij e botueme në gazetën Kuvendi asht e shkrueme tosknisht; duket se ajo letrë ju dërgue mashtrimit t’asaj gazette në gjuhë italisht edhe u përkëthye tosknisht, si e tregon edhe shqiptarim’i fjalës Loreçhio në Llorequa, qi asht nji trajtë tosknishte e gabueshme, qi e përdoron vetëm vulgu.

b)  Artikulli për të cilin po bahet fjalë, nuk asht aspak i tij, veç se asht nji copë e grabitun prej tij prej librit l”Albanie e princ Albert Gjikës, nen titullin homes illustres, faqe 277-282.

Na vjen fort keq se këtë gja e mësueme tashti vonë, kur Z. Malëshova na shtrëngoj të pregatiteshim me i dhanë këtë përgjegje, e cila për atë na duket se nuk asht nji nder.

Me qenë se Z. Malëshova atë Kthiellim qi dha në Kuvendin e shkroj në djalekt të Shqipnisë Jugore, kur gjuha letrare asht ajo e Elbasanit, po na pëlqen t’a mbyllim këtë përgjegje me nji fjalë të vjetër t’ati djalekti, qi të mundet edhe ma lehtësisht m’e bluem në mide të vet përgjegjen qi po i apim: Na rruatë gazi!

Agimi


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *